Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Pse po mbahen peng rezultatet e Censusit?

Më shumë se shtatë muaj kanë kaluar nga përfundimi i Censusit 2023 dhe ende nuk është bërë publike asnjë e dhënë paraprake mbi regjistrimin e popullsisë.  

Përkundër kësaj vonese të stërgjatë, në anën tjetër të kufirit, në Kosovë u deshën vetëm 24 orë për të dalë të dhënat e para. Më 27 maj Kosova mbylli procesin e Censusit dhe një ditë më pas, kreu i Agjencisë së Statistikave, Avni Kastrati deklaroi se pritet të ketë rreth 1.6 milionë banorë të regjistruar.

Vonesat në publikimin e rezultateve i sheh me shqetësim edhe ish – drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja. Sipas saj në Cenusin e 2001 edhe pse formularët plotësoheshin me dorë, publikimi i të dhënave paraprake mori dy muaj kohë, ndërsa në 2011, kur përdorej mënyra e skanimit, të dhënat paraprake morën pesë javë kohë.

“Të dhënat duhet të ishin nxjerrë për një ditë. Atëherë pse vonohen 10 muaj?”- tha Nurja për Citizens.

Në 2022, Censusi u shty për shkak të dështimit në tenderin për blerjen e 8 mijë tabletave, që pretendohej të përshpejtonin procesin.  Dy vite më pas, edhe pse tabletat u blenë, rezultatet nuk u përshpejtuan.

“Kostoja e teknologjisë do të shkojë rreth 300 milionë lekë, ndërkohë i gjithë procesi do të kushtojë 16 milionë euro” – është shprehur Elsa Dhuli, Drejtoresha e INSTAT.

INSTAT: “Nuk ka vonesa”

Pa një arsye të qartë, publikimi i Censusit është shtyrë disa herë. Në fund të muajit maj, Elsa Dhuli, drejtoresha e INSTAT deklaroi se rezultatet kryesore të Censusit do të bëhen publike me 28 qershor, ndërsa për rezultatet e plota duhet të presim tetorin. Vonesë ajo e justifikoi me bashkëpunimin me shtetet evropiane, duke mos qartësuar shkaqet reale.

“Unë e kam përmendur dhe jo vetëm unë, por i gjithë stafi për angazhimin e këtij institucioni, në këtë proces kemi qenë në bashkëveprim dhe krah me përfaqësues të shteteve evropiane të zgjedhur dhe të përcaktuar nga Komisioni Evropian” – tha ajo gjatë fjalës së saj.

Citizens i dërgoi një kërkesë për informacion INSTAT se për të kuptuar arsyet e zvarritjes së publikimit të Censusit, por INSTAT mohoi të ketë vonesa.

“Nuk ka vonesa në publikim pasi INSTAT ka deklaruar zyrtarisht se rezultatet përfundimtare të Cens 2023 do të publikohen në Qershor 2024, sipas planit të publikimeve të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në planin vjetor” – konfirmon INSTAT për Citizens.

Më herët edhe Arbjan Mazniku, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor në një dalje publike, përpara tre muajsh pohoi se ashtu siç është dhe protokolli dhe procesi punës, në fund të marsit duhet të jenë të aksesueshme të dhënat paraprake.

Pikëpyetje ngre edhe fakti se nuk është vendosur asnjë gjobë ndaj qytetarëve që nuk janë paraqitur për regjistrim, pavarësisht presionit të madh për ndëshkime për ata që nuk bëhen pjesë e tij.

“Ju bëjmë me dije se nuk ka patur sinjalizime për kërkesa lidhur me procedime kundravajtje administrative apo vendosje gjobe”- theksohet në përgjigjen e INSTAT, ndërsa shton se kur të publikohen të dhënat do të bëje me dije edhe numrin e pjesëmarrjes.

Ndryshim retorike ndaj të ikurve

Censusi i 2023 është i 12-i i kryer në vendin tonë. Në 2011 u mbajt Censusi i fundit në vend, ku rezultoi se ishim zyrtarisht 2 milionë e 821 mijë e 977 shqiptarë.

I parashikuar të realizohej në 2020, Censusi u shty për shkak të pandemisë. Në vitin 2021 u shty sërish për shkak të zgjedhjeve parlamentare dhe në 2023 shtyrja erdhi si pasojë e mos sigurimit në kohë të mjeteve të nevojshme.

Mungesa e vullnetit për të realizuar matjen e popullsisë, përkon me ikjet masive të viteve të fundit, të cilat janë të dokumentuar në shifra nga studime të ndryshme.

Nga viti 2011 deri më 2020, janë larguar nga vendi rreth 600 mijë persona. Sipas të dhënave të INSTAT nga viti 2001 në 2011 ishin larguar në emigrim 481 mijë persona, por përgjatë dekadës së tretë 2011-2020 numri i emigrantëve u rrit me 25%. Po sipas INSTAT çdo vit largohen mes 30-40 mijë shqiptarë.

Një anketë e profesorëve Ilir Gëdeshi dhe Rusell King, nga Qendra për Studime Ekonomike dhe Sociale me 1650 studentë, zbuloi se 79% e studentëve shqiptarë dëshirojnë të largohen nga vendi në raport me 65% në vitin 2018. Nga ana tjetër, 95% e atyre që studiojnë jashtë nuk dëshirojnë të kthehen.

Grafikë: Ndikimi i Migracionit në Forcën Punëtore Shqiptare dhe Nevojat për Zhvillimin e Aftësive nga Perspektiva Gjinore në Shqipëri

Ndërsa për sa i përket të ardhurve nga jashtë, një studim i IOM Albania tregon se ndikimi i migracionit të jashtëm në ekonomi kuptohet më mirë kur shohim migracionin neto, që del si rezultat i zbritjes së numrit të migrantëve të brendshëm nga numri i migracionit të jashtëm. Grafiku më poshtë tregon se, në shifra absolute, numri i imigrantëve në Shqipëri nuk mund të zëvendësojë atë që ka humbur përmes migracionit të jashtëm.

Ikjet u komentuan në arenën ndërkombëtare edhe nga vetë Sekretarja e Brendshme britanike, Suella Braverman, e cila në nëntor të 2022 pohoi se ka një “pushtim” të emigrantëve që kalojnë La Manshin me varka të vogla, një referencë e veçantë për shqiptarët.

“Ka qenë një moment shumë, shumë i turpshëm për politikën britanike” – ju kundërpëgjigj Rama për programin “Today” të BBC Radio 4, Braverman.

Ndërkohë vetë kryeministri ka ndryshuar retorikë politike në lidhje me valët migratore në vend. Nga “njerëzit janë të lirë” dhe “s’ka qeveri dhe fuqi në tokë që t’ua bëjë Shqipërinë Gjermani sot”, në takimin me shqiptarët e Italisë përdori togfjalëshat dhe thirrjet si “koha e ribashkimit përfundimtar”, “kthehuni dhe investoni në Shqipëri” etj.

Ndryshimi i retorikës tregon se vetë kryeministri nuk është kaq indiferent ndaj shifrave dhe dëshirës për tu larguar, flukse të cilat priten të reflektohen edhe tek shifra e Censusit, e cila po zvarritet prej kaq kohësh.

Ish – drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja paralajmëron se manipulimi i shifrave të Censusit do të ishte një kosto e madhe për vendin.

“Çdo politikë sociale dhe ekonomike bazohet te ky Census, ndërtimi rrugëve, banesave, nëse janë bosh, sa njerëz kanë, a ka nevojë për ndërtime të reja , punësimi, GDP – ja, çdo lloj planifikimi bazohet në këto të dhëna. Në momentin që jep një të dhënë të gabuar çdo gjë është planifikuar gabim” – përmbyll ajo.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *