Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Zgjedhjet në Universitete, procesi përfundon mes parregullsish

Foto ilustrim nga kutitë e votimit

Mes mungesën së garës në universitetet publike, u mbajtën sot zgjedhjet për rektorë dhe dekanë.

Në Universitetin e Tiranës në 50% të fakulteteve pati vetëm një kandidat, duke mos ofruar alternativa.

Zgjedhjet u monitoruan edhe nga 24 të rinj të Qëndresës Qytetare, ku sipas tyre u vunë re disa parregullsi.

“Prani e studentëve të paautorizuar, të cilët shoqëronin dhe drejtonin studentët në qendrat e votimit duke orientuar për votimin e kandidatëve të caktuar, kryesisht kandidatët për senatin për studentet. Dukuri kjo e shtrirë gjerë në UT dhe më problematike në Fakultetin e Ekonomisë”,-thuhet në komunikimin e Qëndresës Qytetare.

Po ashtu, nuk u lejua prania e gazetarëve dhe operatorëve për të pasqyruar procesin.

“Komisioni Institucional Zgjedhor i UPT vendosi të lejoje prezencën e medias pas gjysmës së dytë të ditës”,-qartëson Qëndresa.

Sipas Qëndresës Qytetare në pjesën dërrmuese procesi i zgjedhjeve nisi me vonesë. Posterat e studentëve kandidatë për senatin akademik ishin prezent në hapësirën e votimit si dhe disa prej dhomave të votimit me simbole të partive politike

“Printimi i fletëve të votimit me ngjyra vetëm në njërën anë të fletës pamundësonte që votuesi të identifikonte ngjyrën e 5 fletëve të votimit se cilës kuti i përkiste, duke detyruar në shumë raste hapjen e tyre për verifikim pranë kutisë dhe cënuar kështu privatësinë e votës”,-ishte një tjetër parregullsi e hasur.

Asociacioni i Gazetarëve: “Ndalimi i gazetarëve për raportim cënon transparencën”

Ndalimi i gazetarëve për të raportuar për procesin zgjedhor u denoncua edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, një organizatë e krijuar rishtazi në mbrojtje të tyre.

“Gjatë zgjedhjeve për organet drejtuese në universitete të premten, gazetarët nuk janë lejuar të zhvillojnë punën e tyre, për raportimin dhe vëzhgimin e këtij procesi në interes të opinionit publik. Gazetarët janë njoftuar se duhej të aplikonin për të marrë aprovim për të xhiruar brenda institucionit. Por njoftimi për këtë procedurë është bërë ditën e sotme, pra kur procesi kishte nisur dhe nuk kishte më asnjë mundësi për tu akredituar”,-thuhet në komunikimin e Asociacionit.

Sipas tyre ky veprim cënon punën e gazetarëve dhe vendos në pikëpyetje transparencën e këtij procesi.

Zgjedhjet në universitete mes denoncimeve për plagjiaturë

Ndërsa kandidatët për rektorë dhe dekanë kishin shpallur platformat e tyre për zgjedhje, studiuesi Taulant Muka denoncoi për plagjiaturë të punimit doktoral rektorin Artan Hoxha dhe dekanen e Fakultetit të Drejtësisë Dorina Hoxha.

Denoncimet për plagjiaturë në rrethin akademik në Shqipëri kanë qenë të shpeshta. Për plagjiaturë është akuzuar edhe kandidati për rektor në Universitetin e Durrësit, aktualisht dekan i Fakultetit të Biznesit, Shkëlqim Fortuzi si dhe kandidati i vetëm për dekan në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, Bernard Dosti.

Megjithatë, deri më sot nuk është marrë asnjë masë nga ana e universiteteve sa i takon verifikimit të plagjiaturave apo titujve akademikë.

Më 14 qershor, aktivistë të Qëndresës Qytetare vendosën tellallin para Rektoratit të Universitetit të Tiranës, duke kërkuar shqyrtimin e plagjiaturës së rektorit Artan Hoxha dhe dekanes së Fakultetit të Drejtësisë, Dorina Hoxha.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *