Citizens.al

Buxheti i shëndetësisë për vitin 2023, më i ulëti në gjashtë vitet e fundit

Foto ilustruese nga ambiente spitalore Citizens
Foto ilustruese nga ambiente spitalore

Buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale pati 693,4 milionë lek më pak krahasuar me buxhetin fillestar për vitin 2023.

Sipas gjetjeve të raportit të publikuar nga organizata ‘Together for Life”, plani buxhetor ishte parashikuar në 77.35 miliardë lek, mirëpo më pas buxheti është pakësuar duke prekur shërbimet e kujdesit parësor, shërbimet e shëndetit publik si dhe përkujdesin social.

“Nëse do të analizojmë historikun e shpenzimeve buxhetore faktike në vite për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale vërejmë se buxheti i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në vlerë nominale ka ardhur në rritje nga viti 2017 deri në vitin 2021. Ndërkohë, në vitet 2022 dhe në vitin 2023 shpenzime buxhetore faktike kanë tendencë rënëse”,-thuhet në raport.

Burimi: Together for Life

Sipas “Together for Life” në raport me shpenzimet e përgjithshme publike, buxheti i shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale bie në nivelin prej 11.3%.

Burimi: Together for Life

Raporti vë në dukje se cilësia e të dhënave të publikuara nga institucionet është e dobët dhe shoqërohet me mungesë të theksuar transparence në lidhje me përdorimin e fondeve financiare.

Ndërsa vihet re mes të tjerash një zhvendosje e pajustifikuar prioritetesh edhe brenda vetë buxhetit të shëndetësisë, nga projektet për investime në programin ‘Shërbimet e Kujdesit Parësor’, tek ato për instalimin e pajisjeve. Edhe në këtë rast 90% e fondit është përdorur për pajisje kompjuterike dhe vetëm 10% në pajisjet për laboratorët e higjienës.

Krahasuar me rajonin, shpenzimet në sektorin e shëndetësisë për Shqipërinë në raport me shpenzimet e përgjithshme publike rezultojnë më të ulëtat.

“Më të ulëtat me mesatarisht 10.1% përgjatë periudhës 2016-2021, ndërkohë që kryeson listën e vendeve të rajonit me shpenzimet më të larta për shëndetësinë Mali i Zi”.

Në raport me produktin e brendshëm bruto (GDP), Shqipëria vijon të mbetet e fundit në rajon me një nivel mesatar prej 3% ndaj PBB.

“Vendet e tjera të rajonit kanë një nivel të lartë të shpenzimeve të shëndetësisë në raport me PBB duke arritur në nivel mbi 5.5% e PBB”, – nënvizon raporti.

Sipas raportit, ky financim i ulët për shëndetësisë rëndon në xhepat e qytetarëve.

“Ky nivel financimi nga qeveria për shëndetësinë përkthehet dhe në pagesa të larta nga xhepi i qytetarëve shqiptarë, të cilat sikurse raportohen në të dhënat zyrtare, rezultojnë më të lartat në rajon me një nivel prej 59.7% për vitin 2021”.

Burimi: Together for Life

Kjo bën që shumë shqiptarë të paguajnë shuma të larta nga të ardhurat e tyre vetjake për të zgjidhur problemet e tyre shëndetësore, jashtë mbulimit që ofrojnë skemat shëndetësore dhe premtimet për shëndetësinë falas.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW