Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Kushtetuesja rrëzon qeverinë për tatimin me 15% të profesioneve të lira

Gjykata Kushtetuese vendosi unanimisht rrëzimin e ligjit për tatimin me 15% të profesioneve të lira. Gjykata pranoi pjesërisht padinë dhe shfuqizoi nenin nr. 69, që taksonte profesionistët me të ardhura nën 14 milionë lekë/vit.

Vendimi la në fuqi tatimin prej 23% për profesionistët me të ardhura mbi 14 milionë lekë/vit.

Gjykata argumentoi se tatimi i profesionistëve të lirë është një masë joproporcionale pasi diskriminon këtë kategori në raport me biznesin e vogël, që do të fillojë të taksohet në vitin 2029.  Vendimi argumenton më tej se ligji i ri shkel parimin e sigurisë juridike, kjo pasi detyrimi i ri tatimor filloi të zbatohej menjëherë, pa i lënë kohë tatimpaguesve të përshtaten me skemën e re. Edhe pse ligji u miratua në maj 2023, lista e subjekteve të prekura u publikua vetëm 8 ditë përpara se të nisnin efektet e ligjit, në 23 dhjetor të vitit të shkuar.

Citizens ka raportuar më parë për kaosin që krijuan udhëzimet kontradiktore të Drejtorisë së Tatimeve mbi aplikimin e tatimit të ri.

Vendimi vjen pasi institucioni vendosi në 18 qershor të bashkojë tre padi, atë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Institutit të Kontabilistëve dhe Dhomës Kombëtare të Avokatëve.

Qeveria parashikoi të mbledhë rreth 79 milionë euro nga tatimi i mbi 29 mijë profesionistëve të lirë. Me vendimin e sotëm të gjykatës, këto të ardhura do të ulen ndjeshëm, pasi qeveria do të arkëtojë vetëm tatimin e profesionistëve të lirë me xhiro vjetore mbi 14 milionë lekë.

Deri më tani, profesionistët e lirë e kanë parapaguar tatimin shtesë. Shpenzimet e zbritshme prej 30% u aplikuan me vonesë, ndërsa për diferencat e përllogaritjes Drejtoria e Tatimeve deklaroi se do të zbriteshin dhe rimbursoheshin në momentin e deklarimeve vjetore, pra në mars 2025. Me rrëzimin e ligjit, paratë e depozituara duhet t’i rikthehen qytetarëve që i kanë paguar.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *