Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Dialogu dhe çështjet gjinore bashkon drejtueset gra në Ballkanin Perëndimor

Në një konferencë të mbajtur në Tiranë, përfaqësuese të organizatave për të drejtat e vajzave dhe grave u bënë bashkë për të diskutuar mbi problemet që hasin në vendet e Ballkanit Perëndimor mes tyre, duke e parë këtë problematikë me një perspektivë gjinore.

Lobi Rajonal i Grave në Evropën Juglindore, RWLSEE organizoi konferencën “Gratë që ndërtojnë paqen e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor”.

Drejtuesja e RWLSEE Dr. Edita Tahiri, tha se ndërtimi i paqes në rajon mund të bëhet vetëm duke arritur barazi të plotë të grave.

Tahiri tregoi se kur ajo ishte kryenegociatore për Dialogun me Brukselin, u prodhua më pak tension dhe më shumë paqe.

“Në dy vitet e fundit që kur dialogu ishte në dorën e burrave, ai prodhoi më pak paqe dhe më shumë tensione. Ne duhet ta ndryshojmë këtë realitet në favor të barazisë gjinore, sepse të gjithë do të përfitojnë më shumë dhe veçanërisht qytetarët e të dy vendeve dhe më gjerë’’, tha Tahiri në fjalën e saj.

Duke u ndalur tek marrëdhënia mes Kosovës dhe Serbisë, RWLSEE prezantoi një platformë dialogu mes grave deputete të të dy vendeve.

Konferenca vendosi theksin tek arsyet dhe pasojat e dialogut të bllokuar mes Kosovës dhe Serbisë. Pjesëmarrëset folën për mënyrat e tejkalimit të kësaj pengese.

Ato ranë dakord se dialogu është e vetmja mënyrë për të përmirësuar marrëdhënien e tensionuar mes dy vendeve, duke nënvizuar domosdoshmërinë e përfshirjes së barabartë të grave në këtë proces.

Tahiri në një intervistë për Citizens tha se roli i grave është shumë i rëndësishëm në  negociata te paqes, “gjë që tashmë është dëshmuar edhe shkencërisht”.

“Sipas të dhënave pjesëmarrja e grave në negociata apo dialog për paqen rrisin gjasat e arritjes së marrëveshjeve paqësore si dhe krijimin e një paqe afatgjate”, tha Tahiri duke shtuar se gratë e shohin më shumë të mirën e qytetarëve dhe më pak arritjet e tyre politike krahasuar me burrat.

Ajo ndan rastin e saj si negociatore e dialogut Kosovë-Serbi dhe argumenton se “unë si grua e arrita këtë pajtim historik lidhej me dy fakte, një sepse egoja e burrave u zbut para ndërmjetësimit të një grua, dhe e dyta sepse unë vija nga një familje patriotike dhe dy krahët kishin besim tek unë”.

“Ky bashkim i LDK-së dhe UÇK-së bëri që ne ta pranojmë Marrëveshjen e Rambujes e cila solli paqen dhe lirinë për popullin e tonë të Kosovës, si dhe solli bombardimin e Serbisë nga Amerika dhe NATO që i dha fund luftës dhe gjenocidit serb në Kosovë”, deklaron Tahiri për Citizens.

Gratë përfaqësuese të vendeve të rajonit, kërkuan në këtë konferencë forcimin e bashkëpunimit rajonal.

Ato bënë thirrje për më shumë bashkëpunim ndërmjet grave lidere nga politika në të gjithë rajonin.

Pjesëmarrja e grave në procesin e dialogut të Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë ndryshon nga periudhat e këtij procesi.

Tahiri sqaron se në periudhën 2011-2017 në dialogë ka pasur një grua Kryenegociatore nga pala e Kosovës dhe një burrë Kryenegociator nga pala e Serbisë.

“Kemi arritur rreth 33 marrëveshje pjesa më e madhe e të cilave janë zbatuar, pavarësisht që mediat flasin se s’ka pasur zbatime, gjë që nuk është e vërtetë – kemi harruar të vendosim një bazë evropiane për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë”, tha për Citizens Tahiri duke shtuar se në dialogun me Brukselin në periudhën 2018 deri më sot, nuk ka pasur fare pjesëmarrje të grave nga dyja palët

Ajo thekson mungesën e grave në proces duke u shprehur se kjo mungesë  “ka sjellë më shumë tensione e më pak paqe, madje dialogu ka qenë i bllokuar gati për dy vjet dhe asnjë marrëveshje nuk është zbatuar që nga 27 shkurt 3023 kur është arritur marrëveshja bazë dhe marrëveshja zbatuese e Ohrit e 18 mars 2023”.

Diskutimi gjatë konferencës përfshiu gra pjesëmarrëse në politikë dhe shoqëri civile, përfaqësuese nga parlamenti, qeveria, përfaqësuese të partnerëve ndërkombëtarë, eksperte dhe studiuese.

Së fundmi, Tahiri tha se përfshirja e grave në këto procese është një problem që shkon përtej Ballkanit Perëndimor.

“Sot për sot përkrahja për barazinë gjinore në vendimmarrje në procese politike, paqësore dhe të sigurisë ka mbetur vetëm në fjalë e zotime  dhe në dokumente normative. Jemi shumë larg nga zbatimi i Agjendës përkundër faktit që kanë kaluar 24 vite nga miratimi i Rezolutës 1325. Kjo përkundër e thirrjeve nga vet Sekretari Gjeneral i OKB, Guterres”, tha Tahiri.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *