Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Që prej motmoti”, një thirrje artistike për kujtesën popullore

Foto nga ekspozita "Që prej motmoti" Autor: TRIVET
Foto nga ekspozita "Që prej motmoti" Autor: TRIVET

“Që prej motmoti” është një thirrje artistike për të mos harruar të shkuarën, që tre motrat Paja na bëjnë përmes ekspozitës së tyre në gurrën popullore shqiptare.

Elsa, Natasha dhe Fatma që mbartin emërtimin artistik “Trivet’ kanë veshur me artin e tyre strehëzën e Grupit ATA në Kamëz në një rrugëtim në kohë, përmes pikturave, imazheve, instalacionit dhe filmit.

“Që prej motmoti”, si një përgjigje sa herë na duhet të flasim dhe interpretojmë ritet, kultet, besëtytnitë dhe legjendat tona popullore në një kohë të paqenë, atë të tashmen.

“Shpesh gjatë rrugëtimit tonë me gocat kur takojmë njerëz të ndryshëm dhe flasim për gjëra që lidhen me folklorin, mitologjinë, i themi prej sa kohësh e mban mend ti këtë gjë. Dhe shpesh na ka ndodhur që të na thonë “ohuuu” që prej motmoti dhe kjo ishte një indicie që na frymëzoi ta mbajmë”,-rrëfen Elsa Paja, ndërsa na përshkruan çdo copëz të artit të tyre.

Lëvizja në zona të ndryshme të vendit dhe mbedhja e historive përmes gojëdhënave, sipas motrave Paja ka qenë pikënisje e idesë së ekspozitës.

“Duke i mbledhur gjithë këto ndër vite menduam të krijojmë një ekspozitë që titullohet “Që prej motmoti”. Me idenë që të kthejmë këto ritet, besëtytnitë e ndryshme, që ndoshta një pjesë e mirë e njerëzve ju duket shumë normale, ama kur i sjell në këtë formë pak më të kuruara vizualisht dhe artistikisht ti i vendos në pah dhe ia shton pak më shumë vlerën në kuptimin që edhe ne paskemi gjëra që ti përmendim, ti rikthejmë herë pas here”,- shpjegon Natasha.

Është hera e dytë që kjo ekspozitë shpërfaqet, por hera e parë në Shqipëri, pasi çeljen e parë e pati në Kosovë. Ndërsa përzgjedhja e Kamzës dhe Grupit ATA për të bujtur vjen jo pa qëllim.

Zgjodhëm Kamzën si një vend më familjar, me më shumë tradita, jo shumë i ftohtë sa Tirana. Kemi gjetur një ambient shumë të këndshëm te Grupi ATA, që ofron një lloj shtëpize që na përshtatet dhe me tematikën edhe më shumë duke zbërthyer mënyrën e jetesës së njerëzve dikur, se si kanë jetuar me ato besimet e tyre, që janë të jashtëzakonshme për ditët tona”,-rrëfen Fatma.

Ekspozita ndahet në pesë sektorë. Ndër to ndërthuren pikturat, pjesa më e madhe e tyre të realizuara në natyrë në zona të ndryshme të Shqipërisë, Kosovës e Ballkanit. Një pjesë i dedikohet ilustrimeve të ndryshme digjitale që pasqyrojnë pjesën e ritualeve, besëtytnitë; një tjetër pjesë duke përdorur ilustrime me linokat, përmes gdhendjes si dhe një instalacion që përshkruan përzënien e nuselalës nga shtëpia.

“Një pjesë e mirë e pikturave janë inspiruar dhe janë bërë në Belsh, vendin nga vijmë ne, është një nga vendet që na inspiron më shumë, jemi shumë të lira, të frymëzuara kur jemi atje”,– rrëfen Natasha për vendlindjen e tyre.

Njeriu në raport me natyrën dhe kafshët

Një pjesë e rëndësishme e ekspozitës përshkruan përmes ilustrimeve marrëdhënien që njeriu, komuniteti ka pasur mot pas moti me kafshët dhe me natyrën. Më shumë një bashkëjetesë në harmoni se sa përjashtuese.

“Gjarpri në folklorin tonë është figurë shumë e rëndësishme, shumë e pasur, prezente. Prindërit tanë nga eksperienca, por edhe më herët sidomos kur dilnin në arë në sezonin që duhet të fillonte bujqësia, lidhnin besën me gjarprin që ti s’do më zësh mua dhe unë nuk do të të zë ty, nuk do të të vras. Në këtë formë është një lloj bese që e lidhnin për tu ruajtur të dy bashkë. Që sezoni të vazhdonte i mbarë dhe këtë shprehje e thonin tre herë”,-shpjegon Elsa Paja një prej ritualeve të banorëve të zonave rurale.

Ndërsa një tjetër ritual lidhet me manifestimin e dukurive natyrore, sikurse shiu.

“Në zona të ndryshme, për ta manifestuar shiun, një fëmijë i vogël i lagjes mbështillej me bimë, me degë dhe të gjithë fëmijët dilnin në lagje duke vrapuar. Ky ishte i pari dhe zonjat e shtëpisë i hidhnin ujë dhe fëmija rrotullohet për të manifestuar pjesën se si binte shiu dhe kështu që do kishte bereqet”,-shpjegon Elsa Paja.

Në ballkonin e Grupit ATA, qëndron edhe një instalacion që përshkruan se si largohej nuselala nga banesa.

“Mamaja na thonte se ne nuk mund ta vrisnim nuselalën, sepse për ne ishte shumë e shenjtë. E vetmja mënyrë që ishte është që të përzinin. E përzinin si një tip gostie. Mamaja merrte një copë lëmshi në dorë, merrte bukë, merrte djathë, i këndonte nuselalës afër kasollës, si e si ta përzinte dhe i thonte: nuselalës mos eja këtu, shko te filani. Por që është e jashtëzakonshme se si njerëzit e kanë ruajtur afërsinë me natyrën”,-shpjegon Fatma instalacionin.

Ndërsa zbret nga njëri kat në tjetrin në hapësirën e Grupit ATA, vëren një tjetër punim, një film eksperimental të xhiruar në Has, që tregon hap pas hapi pikturimin e nuses ilire.

Materiali filmik vërtitet rreth historisë së një ndër të paktat zonja në moshë që kanë mbetur në këtë zonë që e mbajnë ende mend pikturimin e nuses ilire.

“Në fakt gjyshja e saj ka qenë shumë e vogël që ka pikturuar nuset ilire, por për shkak të luftës mungojnë dokumentacionet dhe shumë gjera janë djegur”,-rrëfen Elsa.

Sipas saj, përpos pikturimit të nuseve ilire, veshjet tradicionale mbeten po aq të vyera për të.

“Tërë jetën e saj ka punuar me veshjet dhe janë ndër veshjet më të pasura që mund të kemi. Pasuria e elementeve antropomorfe, lulet, është kaq shumë evidente në këtë veshje sa pastaj imagjino sa kohë i është dashur thjesht të bëjë një jelek. Gjyshja ka një palë veshje që i ka shumë të vjetra, thotë i kam veshjet më të mira, por dua thjesht kur të vdes të mi vendosni në varr”,-mbyll Elsa rrëfimin për materialin filmik.

Ekspozita do të qendrojë e hapur për publikun deri më datën 14 korrik në hapësirën e Grupit ATA.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *