Një kredi e vogël e marrë disa vite më parë, çoi drejt flijimit shtetasin Pal Trashaj, i cili i dha fund jetës duke pirë fotoksinë në dyert e SPAK.
Përmes skemave të mashtrimit, kjo mikro kredi po ia pamundësonte jetesën.
Për të denoncuar mashtrimet me mikro kreditë, pasi rasti i të ndjerit Pal Trashaj nuk është i izoluar, aktivistët e Lëvizjes Bashkë mbajtën sot një aksion përballë Bankës së Shqipërisë.
Ata e krahasuan skemën e mikrokredive sot me atë të piramidave të 97-ës dhe hapën një banderolë ku
shkruhej “Sudja 2.0”.
“Ndërkohë që kujtesa dhe plagët e shqiptarëve janë ende të freskëta nga falimentimi i firmave piramidale
të vitin 1997, skema të reja piramidale kanë dalë në sipërfaqe”, – thuhet në reagimin e Lëvizjes Bashkë.
“Ata që e shtynë qytetarin Pal Trashaj drejt vetëvrasjes, administratorët e kioskës së fajdeve Mikro Kredit Albania, Olsi dhe Ilda Ibro, janë në arrati bashkë me paratë e zhvatura nga mijëra qytetarë. Me siguri të ndihmuar nga ortakët në krye të shtetit”, – deklaroi më tej aktivisti i Lëvizjes Bashkë, Klodi Leka përballë Bankës së Shqipërisë.
Në Maj të këtij viti, Prokuroria e Tiranës arrestoi 5 persona dhe për 4 të tjerë dha masën “arrest shtëpie” për skemën e mashtrimit më kreditë, nga subjektet Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS dhe FLASH.
Për Lëvizjen Bashkë qeveria dhe Banka e Shqipërisë, janë përgjegjës për këtë situatë.
“Qeveria shqiptare, e cila përkundër detyrimit ligjor për t’i mbrojtur qytetarët nga abuzimi, është kthyer
në bashkëpunëtore dhe shërbëtore të oligarkëve, banditëve dhe fajdexhinjve”, – thuhet në deklaratën e
Lëvizjes.
Sipas tyre Banka e Shqipërisë është përgjegjëse, sepse i ka licencuar dhe supozohet t’i monitorojë.
“Çka jo vetëm nuk po ndodh, por ka dyshime serioze se guvernatori i Bankës se Shqipërisë, Gent Sejko, është i përfshirë vetë në to”, – tha më tej Leka.
Lëvizja Bashkë i bëri thirrje organeve të drejtësisë, “në dyert e të cilëve i dha fund jetës një qytetar,
t’i thellojnë dhe përshpejtojnë hetimet në lidhje me këto kioska fajdesh dhe zyrtarët e përfshirë në to”.
Deri më tani është zbuluar se skemat e mikrokredive kanë mashtruar mijëra qytetarë. Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se ata përdorën një skemë shtrënguese të kredi-marrjes. U imponohej
debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimerrnin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje, si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat.

Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.