Citizens.al

Raporti: Përqëndrimi i medias ndikon në pavarësinë editoriale, pluralizmi mediatik në rrezik

Monitori i Pluralizmit të Medias (MPM) e renditi sërish Shqipërinë në vendet me rrezik të lartë.

Tre nga katër fushat e treguesve mbi lirinë e medias dhe pluralizmit, përfshirë Mbrojtjen Themelore (55%),
Gjithëpërfshirjen Shoqërore (69%) dhe Pavarësinë Politike (70%) regjistruan ndryshime të pakta ose nuk ndryshuan fare në krahasim me vlerësimin e mëparshëm. Ndërkohë, rreziku u rrit në fushën e Pluralizmit të Medias (92%). 

“Siguria fizike dhe kushtet e punës për gazetarët mbeten të dobëta, ndërsa shoqatat profesionale kanë vuajtur për të garantuar pavarësinë editoriale dhe respektin për standardet profesionale”, thuhet në raport. 

 MPM është një mjet kërkimor i konceptuar për të identifikuar rreziqet e mundshme për pluralizmin e medias në vendet e Bashkimit Evropian dhe ato që synojnë të futen në BE. 

Rreziqet ndaj pluralizmit të medias maten në katër fusha kryesore si Mbrojtja Themelore, Pluralizmi i
Tregut, Pavarësia Politike dhe Gjithëpërfshirja Sociale. 

Në vitin 2023, këto fusha u vlerësuan me rrezik të lartë dhe të mesëm.

Sa i përket pluralitetit të tregut, monitori e vlerëson me një rrisk të lartë në masën 92%, duke
regjistruar rritje të rrezikut në krahasim me vitin e mëparshëm. 

“Vlerësimi i rrezikut si i lartë vjen si pasojë e mungesës së parashikimeve në ligjin kombëtar për transparencën dhe deklarimin e pronësisë së medias, detyrimeve për raportim financiar dhe
deklarimeve të pronarëve fundorë përfitues”, argumentohet në studim.

Treguesi mbi Transparencën e pronësisë së medias ka marrë vlerësimin me rrezik të lartë në masën 81% në 2023.

Po ashtu treguesi i Pavarësisë editoriale nga ndikimi tregtar dhe i pronarëve është vlerësuar me rrezik të
lartë 97%.

Ligji shqiptar nuk parashikon kufizime apo kritere të tjera që kufizojnë një përqendrim të lartë horizontal
për gazetat dhe mediat online, “ndërsa në praktikë, shkalla e përqendrimit për mediat audiovizive mbetet e lartë, ku katër pronarët kryesorë në tregun e transmetimeve kontrollojnë 72% të të ardhurave dhe 87% të audiencës”. 

Indikatori i Pavarësisë Politike u vlerësua me rrezik të lartë në masën 70% për vitin 2023. 

“Mungesa e pavarësisë editoriale në media vjen nga mungesa e masave rregulluese dhe vetë-rregulluese që garantojnë lirinë nga ndërhyrja në vendimmarrjet politike si dhe nga numri i rasteve të ndërhyrjeve politike të regjistruara gjatë vitit 2023”, thotë raporti.

Në masën 69%, me risk të lartë po ashtu është vlerësuar dhe fusha e Gjithëpërfshirjes shoqërore.

Vlerësimi vjen kryesisht si pasojë e mungesës së përgjithshme të barazisë gjinore në panoramën mediatike, mungesës së edukimit mediatik te publiku dhe mungesës së mbrojtjes kundër dizinformimit dhe gjuhës së urrejtjes”, argumenton studimi.

Raporti rekomandon që të bëhen më shumë përpjekje për të siguruar për zbatimin e duhur të legjislacionit mbi Të Drejtën për Informim.

“Shoqatat profesionale duhet të bëjnë më shumë për të garantuar pavarësinë editoriale në respekt të standardeve profesionale në media. Komuniteti i medias duhet të bëjë më shumë për të trajtuar faktorët që shtyjnë gazetarët drejt vetëcensurës”, thuhet më tej.

Për të përmirësuar rrezikun me pluralizmin mediatik, raporti rekomandon që  autoritetet shqiptare të
marrin masa rregullatore mbrojtëse në lidhje me transparencën e pronësisë së medias informative.

Po ashtu raporti kërkon që të bëhen më shumë përpjekje për të mbledhur të dhëna nga tregu si dhe të dhëna mbi audiencën dhe lexueshmërinë.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW