Citizens.al

“Rozafa e re e Shkodrës”, kulla 35 katëshe ngre debate publike për identitetin e qytetit

Projekti për ndërtimin e një kullë prej 35 katesh në qendër të qytetit të Shkodrës, karshi pedonales dhe zonës historike, është pritur me kundërshti nga banorët dhe ekspertët.

“Mirëmëngjes me projektin fitues të konkursit ndërkombëtar, “ Rozafa e Re e Shkodrës”, e studios prestigjioze spanjolle Selgascano Architects”,-ishte urimi i kryeministrit Rama të mërkurën e shkuar.

Kulla do të ndërtohet në hapësirën e hotel Rozafës, duke iu shtuar hapësirës së saj, por shumëfish më e lartë se godina e Rozafës. 

Eltjana Shkreli, planifikuese urbane, thotë se është e paqartë se çfarë parashikon konkretisht ky projekt, por referuar imazheve që qarkullojnë “hotel Rozafa do qëndrojë dhe do ketë shëmbëlltyrën e vet ngjitur, me të njëjtin emër”, pasi investitori ka arritur të blejë pronën ngjitur me të.

“Pra qyteti do ketë një trini, që nga kalaja, te hoteli si objekt i realizmit socialist i viteve ’70 e tashmë te ‘Kulla’ që sipas kryeministrit do jetë simboli i shekullit të ri. Tërë kjo histori kështu e ka zanafillën – pra qyteti orienton zhvillimin e vet, qoftë edhe qendrën e tij, varësisht prej kërkesave dhe interesave të investitorëve”, – thotë planifikuesja urbane, Shkreli.

Per urbanistin Imeldi Sokoli, godina Rozafa i përket stilit arkitektonik racionalist, e ndërtuar në vitin 1970.

“Tipologji të tilla objektesh karakterizohen nga volume të pastra, përdorimi i modular dhe principi i përsëritjes duke sjellë një lloj impostimi drejt qytetit tradicionalist. Në fakt ky objekt ka vlerat e veta të arkitekturës së kohës dhe ndërhyrja e këtij objekti mund të sjellë dhe fshirjen e kësaj tipologjie arkitekturore në qytet”.

Shkreli sugjeron se pas 30 vitesh të rënies së kësaj periudhe, jo vetëm nuk kemi vlerësuar e përmirësuar asgjë, por Kryeministri vendos veton edhe për fytyrën e qyteteve tona.

“Planifikojmë ad-hoc, për një ndërtesë në Shkodër, Shëngjin, Kukës, Vlorë apo Tiranë vendos veto Këshilli i Ministrave e Kryeministri, sikur të ishte pronari i vetëm i këtij vend dhe zeron çdo kompetencë të bashkive. Lëre pastaj nëse do kishim ndonjë përpjekje të ringrinim Institutet e Projektimit/Ndërtimit, që do ishin një e mirë publike që do mbronte interesin e publikes përmes nëj zëri profesionist, të paanshëm dhe do nxirrte nga loja tërë studiot klienteliste qofshin vendase, por akoma më shumë të huaja, që i sillen vërdallë qeverisë”, – thotë Shkreli.

Kreu i bashkisë Shkodër, Benet Beci, u shpreh se kjo ndërtesë do të rrisë ambientet akomoduese turistike në qytet.

“Një projekt shumë inovativ, i cili jo vetëm do të jetë një pikë e re moderne reference për qytetin, por dhe do të rrisë e përmirësojë cilësisht dhomat e hotelerisë e sallat e konferencave, në përgjigje të rritjes së kërkesës turistike të qytetit”.

Eltjana Shkreli mendon se “arsyetimi se një qiellgërvishtës 30-katësh do të plotësojë kërkesën në rritje për standard të hotelerisë tregon sesa ad-hoc e joprofesional mbetemi”. 

“Nuk e zgjidh turizmin e Shkodrës as Kulla ROZAFA, as egot e investitorëve, as egoja e pushtetarëve të kohës për të lënë gjurmët e shekullit të ri. Qyteti ka nevojë të ruajë identitetin e vet njerëzor dhe linjën e vet horizontale”.

Mirëpo, ky projekt është përcjellë me kritika dhe kundërshti nga qytetarët e Shkodrës, pasi i hap rrugën ndërtimeve të larta në qytet, duke prishur identitetin e qytetit.

“Duke parë projektin, këto thënie janë krejt spekulative, sepse projekti i ndarë sipas funksioneve ka rreth 4-5 kate qendër tregtare, rreth 20-22 kate pallate banimi dhe rreth 7 kate hoteleri në katet e sipërme. Një logjikë krejt e thjeshtë do ishte që kapacitetet hoteliere mund të plotësoheshin vetëm duke ndërtuar një hotel përafërsisht 7 kate (aq sa edhe plani lejon) pa pasur nevojë të shtohen funksionet e tjera të cilat janë me tepri në Shkodër”,-nënvizoi Imeldi Sokoli. 

Sipas Sokolit, përmes këtij projekti preket gjithë zona e qendrës historike të qytetit të Shkodrës duke i hapur rrugë shkatërrimit arkitektonik të zonës. 

“Bashkia Shkodër ka nje plan të Përgjithshëm Vendor, i cili është miratuar në vitin 2017 dhe ka një afat implementimi 15 vjecar, ky plan shkelet në mënyrë flagrante nga ky projekt”,– argumenton urbanisti Imeldi Sokoli. 

Kulla Rozafa është një investim privat i Rozafa Group, një kompani me eksperiencë në fushën e turizmit.

Kundërshtitë ndaj këtij projekti, investitori Agustin Uldedaj iu përgjigj me argumentin se është një investim privat, konfort të gjitha rregullave.

“Investimi privat i Rozafa Group në pronën tonë nuk mund të përdoret si argument për të kryer sulmet politike të ditës ndaj kundërshtarëve”,-u shpreh Uldedaj në një komunikim për publikun.

Sipas Imeldi Sokolit, ky projekt do të rrisë pabarazitë ndërmjet zonave të qytetit.

“Zakonisht ndërtimet e larta apo Down townet ndërtohen apo zhvillohen për të energjizuar qendërsi të reja në qytet dhe nuk prishin për të ndërtuar realitete te reja arkitektonike”.

Qytetarët e Shkodrës dhe aktivistë kanë thirrur pasditen e sotme një protestë kundër ndërtimit të kësaj kulle. 

“Kulla s’asht cool”,-është thirrja që do të mbledhë protestuesit në sheshin “Nënë Tereza” në Shkodër në orën 19:00. 

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW