Në seancën e fundit plenare ku kaluan disa ndryshime të rëndësishme ligjore si Reforma Zgjedhore. Pas shumë premtimesh më në fund u miratua dhe vota për diasporën. Për herë të parë në Kodin Zgjedhor përfshihet votimi i shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në zgjedhjet e 2025, pas një beteje të gjatë të grupeve pro votës së diasporës.
Në mars të 2024, në rrjetet sociale të rinj shqiptarë të diasporës ndërmorën nismën “#DuaTëVotoj2025”. Shumë shpejt ajo u përqafua nga shumë shqiptarë, banues në vende të tjera jashtë Shqipërisë.
Edhe pse në numër të konsiderueshëm jashtë kufijve të vendit, rreth 37% e shqiptarëve sipas INSTAT, ata nuk gëzojnë të drejtën për të votuar për zgjedhjet në Shqipëri nga vendet ku jetojnë.
Në maj 2024, grupimi i aktivistëve u fut në parlament ku hapën banderolën “Dua të votoj 2025 (nga Diaspora)”. Ndërsa protesta e grumbullime të shqiptarëve janë zhvilluar = edhe në të tjera qytete evropiane e jo vetëm, sikurse në Milano, Bruksel, Hagë etj.
Pak ditë më parë, duke tërhequr pas vetes valixhet, të rinjtë aktivistë qëndruan para Parlamentit në formë proteste për të kërkuar të drejtën e votës.
Për votën e diasporës u ndërmorën disa nisma nga grupe të ndryshme politike apo interesi.
“Diaspora për Shqipërinë e Lirë“ dorëzoi projektligjin elektronikisht për votën e diasporës në shtator 2023, i cili është protokolluar në parlament në tetor dhe dorëzuar me firma deputetësh në nëntë dhjetor 2023.
Më 7 dhjetor edhe lëvizja politike ”Shqipëria Bëhet” dorëzoi në Kuvendin e Shqipërisë një draft-propozim për votën e emigrantëve.
Grupet kanë përshëndetur vendimin e marrë nga qeveria duke u shprehur se u desh shumë përpjekje “por më në fund e arritëm”.
“Një padrejtësi historike u ndreq, duke ju dhënë më në fund emigrantëve përfaqësimin që meritojnë, një armë shumë të fortë demokratike për të bërë ndryshimet që ne të gjithë i presim”, thuhet në reagimin e grupit Dua të votoj 2025.
Ata falenderojnë organizatat si Diaspora për Shqipërinë e Lirë për hapat institucionalë në Gjykatën Kushtetuese, “partinë Shqipëria Bëhet që votën e diasporës e ka prioritet dhe për të cilën ka bërë beteja, si dhe lëvizje të tjera që kanë dhënë kohën dhe energjitë e veta për këtë kauzë”.

Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.