Dy gra, 64 vjeç dhe 66 vjeç u vranë nga bashkëshortët e tyre dy ditët e fundit. Ngjarjet kanë ndodhur në qytetin e Vlorës dhe atë të Konispolit.
Hatije Delia nga Vlora vdiq në spitalin e Traumës në Tiranës, si pasojë e dhunës së bashkëshortit të saj Ëngjëllush Delia.
Ndërsa, Shano Islamaj nga Konispoli u vra nga bashkëshorit Hysen Islamaj me mjet prerës. Sipas Policisë së Shtetit, pasi ka vrarë bashkëshorten ai është konfliktuar me djalin e tij, i cili e ka shtyrë nga shkallët e banesës dhe si pasojë e dëmtimeve ka humbur jetën.
Sipas Ines Leskaj nga “Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri” (AWEN), fakti qe dhuna është e përsëritur dhe që është falur duhet ngritur si shqetësim.
“I pari që vret është patriarkati, të cilin për fat të keq e ka te brendësuar një pjesë e madhe e shoqërisë, përfshirë të rejat e të rinjtë, përfshirë ato gra të cilat durojnë e nuk kërkojnë ndihmë”.
Sipas saj, rasti i Vlorës është çështje mentaliteti dhe jo vetëm qasje dhe funksionimi i sistemit.
“Sepse rasti ka qenë pjesë e një programi rehabilitimi në Itali, pra ku sistemi ka ofruar shërbime e ndihmë. I njëjti problem me rastin në Konispol. Dhuna me siguri është e perceptuar si normale dhe është pranuar sepse një grua në atë status e moshë duron shumë për shkak të mentalitetit”,- thekson Leskaj.
Ajo thekson se problematike në këtë pikë mbetet edhe funksionimi i sistemit shëndetësor.
“Nuk duhet lenë pa theksuar se nuk funksionon sistemi shëndetësor sa i takon shëndetit mendor dhe trajtimit të rasteve me problematika. Ato ende nuk trajtohen jo vetëm nga sistemi, por shpesh nuk pranohet edhe nga familjarët”.
Ndërsa theksoi rëndësinë që ka në këto raste raportimi i kujdesshëm nga media.
“Raportimi në media gjithashtu duhet bërë shumë i kujdesshëm dhe brenda etikës dhe parimeve bazë profesionale. Vihet re se kur ndodhin vrasje të tilla makabre pasohen nga disa, pra janë të njëpasnjëshme duke e bërë të padiskutueshëm ndikimin e medias”,- përfundoi Ines Leskaj.
Në 13 vitet e fundit në Shqipëri janë vrarë 159 vajza e gra nga bashkëshortët, partnerët apo familjarët e tyre.
Në një tryezë të muajit mars që mblodhi institucione sikurse ministria e Brendshme, Avokati i Popullit dhe Kombet e Bashkuara, ish-ministri i brendshëm Taulant Balla u shpreh se vetëm në janar dhe shkurt të vitit 2024 janë regjistruar 629 denoncime të vajzave dhe grave që kanë denoncuar dhunën.
“Janë 465 të dëmtuar që kanë marrë urdhëra mbrojtjeje, nga të cilat 350 janë vajza dhe gra. Pa dyshim që pjesa më e prekur janë vajza e gratë. Krimet seksuale janë 125 raste, nga të cilat 103 janë kundër grave dhe vajza. Por mos harroni asnjëherë që këto shifra janë vetëm maja e ajsbergut, dhe ka shumë raste të tjera që ende nuk denoncohen”, – u shpreh asokohe Balla.
Denoncimi i dhunës dhe urdhrat e mbrojtës
Në Shqipëri çdokush që e sheh jetën të rrezikuar nga individë brenda familjes mund ta adresojë te autoritetet, garantuar kjo nga ligji “Për Masa ndaj Dhunës në Marrëdhëniet Familjare”, i vitit 2006. Ky ligj ka në vetvete një mekanizëm që ofron mbrojtje të personave që kanë përjetuar dhunë përmes “Urdhrit të Mbrojtjes” dhe “Urdhrit të Menjëhershëm të Mbrojtjes”. Më 2018 ky ligj u pasua me disa ndryshime.
Urdhri për mbrojtje lëshohet për 48 orë nga policia dhe në rastet kur personi i dhunshëm shkel udhëzimet e policisë ai dënohet sipas ligjit.
Në Shqipëri numri i urdhrave të mbrojtjes të shqyrtuar nga gjykatat kanë qenë të larta dhe dominohen nga vajzat e gratë.
Për vitin 2019 pranë Rrethit Gjyqësor Tiranë janë shqyrtuar 804 raste për “Urdhër të Menjëhershëm Mbrojtjeje”, nga të cilat 390 janë pranuar, 302 janë pushuar dhe 111 janë rrëzuar përfshirë edhe një prej tyre të pajtuar. Shumica e këtyre kërkesave për urdhër mbrojtjeje të menjëhershëm kanë ardhur nga vajzat dhe gratë.
Gjatë atij viti janë shqyrtuar 150 çështje sa i përket “Urdhër Mbrojtjeje”, prej te cilave 68 janë pranuar, 49 janë pushuar dhe 33 janë rrëzuar.
Ndërsa për vitin 2020, janë shqyrtuar 144 çështje lidhur me kërkesën për “Urdhra Mbrojtjeje” nga të cilat 57 janë pranuar, 52 janë pushuar dhe 35 janë rrëzuar.
Po në të njëjtin vit, janë trajtuar 796 kërkesa për “Urdhër të Menjëhershëm Mbrojtjeje”, prej nga ku janë pranuar vetëm 442 kërkesa.
Përgjatë vitit 2021 pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë kanë shkuar 122 kërkesa për “Urdhër Mbrojtjeje”, prej të cilave 47 janë pranuar. Ndërsa kërkesat për “Urdhër të Menjëhershëm Mbrojtjeje” për 2021 kanë qenë 693 prej të cilave 339 janë pranuar.
Gjykata e rrethit Durrës përgjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2021 ka dhëne 236 vendime për “Lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes”.
Gjykata e rrethit Vlorë deri në muaji nëntor 2021 ka dhënë 103 urdhra të menjëhershëm mbrojtjeje dhe 9 urdhra mbrojtjeje. Ndërsa sipas Drejtorisë Vendore të Policisë ne Durrës nga vitit 2015 deri më 2021 numri i kërkesave për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes është 3536.
Në Drejtorinë e Policisë së Fierit nga vitit 2015 deri më nëntor të vitit 2021 janë evidentuar 1299 kërkesa për udhër mbrojtjeje, ndërsas janë kryer 937 denoncime për dhunën në familje.
- Urdhri i mbrojtjes është urdhri i lëshuar me vendim gjykate, ku parashikohen masat
mbrojtëse për viktimën, fëmijët dhe sipas rastit, masa për rehabilitimin e dhunuesit. - Urdhri i menjëhershëm plotësohet nga Policia, lëshohet nga Gjykata dhe zgjat 20 ditë, deri në vendimin përfundimtar për ta zgjatur më tej ose për ta pushuar atë. Pas 20 ditësh, nëse kjo masë mbrojtëse zgjatet, bëhet urdhër mbrojtjeje dhe mund të shkojë deri në 1 vit. Gjatë kësaj kohe, viktimës i garantohet çdo muaj mbrojtja ligjore dhe ndihmesa monetare prej 3000 lekësh në muaj.
Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim, dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara e personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).