Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Reagime: Policia sulmoi mediat për raportimin e vrasjes në Pogradec

Vrasja e 42 vjeçarit Egli Proga në Pogradec më 10 gusht solli edhe reagime të Policisë së Shtetit ndaj raportimit të mediave.

Kreu i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, i konsideroi si skandaloze raportimet e gazetarëve që treguan se ngjarja u tentua të fshihej.

“Aludimi se është tentuar të fshihet ngjarja nga Shefi i Komisariatit të Policisë Pogradec është i pabazuar në asnjë dyshim të arsyeshëm, provë apo fakt konkret dhe si i i tillë është skandaloz”,-deklaroi Rrumbullaku në një deklaratë për mediat.

Ai mbrojti punonjësit e policisë duke u shprehur se “në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë, nga asnjë punonjës i Policisë së Komisariatit të Policisë Pogradec, nuk është tentuar të fshihet apo minimizohet ngjarja e rëndë”

Sipas tij, kjo baltosje cenon integritetin dhe besueshmërinë e garantimit për rendin publik ndaj do të merren hapa ligjore.

“Dua të bëj me dije se, Policia e Shtetit do të ndërmarrë hapa ligjorë për të bërë deri në fund transparencë mbi shkaqet dhe qëllimet e përhapjes së këtij dezinformimi dhe keqinformimi të qëllimtë mbi rolin e saj në këtë ngjarje”.

Egli Proga u dhunua teksa po punonte në lokalin e tij të marrë me qira. Ai ndërroi jetë në spital, mirëpo familjarët janë shprehur publikisht se pati vonesa të mbërritjes së ambulancës dhe mos reagim të menjëhershëm të policisë. Për këtë ngjarje u arrestua Denis Meçe, 29 vjeç, i cili po përballet me akuzën e vrasjes nga pakujdesia.

Organizatat e medias dënojnë reagimin e Policisë së Shtetit

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt në Shqipëri e pa me shqetësim deklaratën e fundit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Muhamet Rrumbullaku, sa i përket mbulimit që i bëri media vdekjes tragjike të qytetarit në Pogradec.

“Gazetarët raportuan për këto shqetësime, duke u bërë presion autoriteteve që të reagojnë. Më 14 gusht 2024, Rrumbullaku akuzoi gazetarët se po përhapin “fabrikime dhe akuza të ndyra” kundër Policisë së Shtetit, duke i cilësuar raportimet e tyre si “dezinformim të qëllimshëm”. Ai bëri të ditur se Policia e Shtetit do të marrë masa ligjore ndaj gazetarëve individualë dhe përdoruesve të rrjeteve sociale”,- u shpreh Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt.

Sipas tyre, ky kërcënim përmes akuzave penale kundër gazetarëve është përtej autoritetit policor.

“Kriminalizimi i raportimit gazetaresk bie ndesh me parimet dhe garancitë kushtetuese të fjalës së lirë dhe lirisë së medias. Kjo përpjekje mund të mbysë gazetarinë e pavarur dhe të minojë rolin e medias si mbikëqyrëse e qeverisë dhe institucioneve publike”,- thuhet në reagim.

Sipas Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt, vërejtjet e drejtorit të policisë tregonin se duhet të besohej vetëm versioni zyrtar i policisë lidhur me ngjarjen, duke sfiduar detyrën kryesore të gazetarëve për të verifikuar informacionin përmes burimeve të ndryshme.

“Ky qëndrim, i miratuar nga Kryeministri Edi Rama, kërcënon të minojë rolin kritik të medias në mbajtjen e institucioneve përgjegjëse po ashtu ofrimit te publikut një kuptimi të plotë të ngjarjeve. Në një peizazh mediatik si Shqipëria, ku praktika e zyrtarëve publikë për të shpërndarë materiale të përgatitura paraprakisht (audio, video dhe tekst) në media është e përhapur dhe ku gazetarët kanë akses të kufizuar në burimet e dorës së parë, pohimi se vetëm tregimet zyrtare janë të besueshme. është veçanërisht shqetësuese”,-thuhet më tej në deklaratë.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënoi akuzën e kreut të policisë ndaj mediave. Sipas tyre, Rrumbullaku i orientoi gabimisht mediat, duke bërë thirrje se vetëm lajmet e zyrës së shtypit janë të vërteta.

“Ne duam të sjellim në vëmendje të z.Rrumbullaku se gazetarët nuk janë zëdhënës të Policisë dhe të asnjë institucioni tjetër, ata kanë një sërë burimesh përtej deklaratave zyrtare. Gazetarët përdorin burime zyrtare dhe jozyrtare për punën e tyre, ndaj thirrja e tij është krejtësisht e panevojshme”, -thuhet në deklaratën e AGSH-së.

Ata u bënë thirrje kolegëve të trajtojnë me kujdes pretendimet e palëve, por të mos tërhiqen nga e vërteta.

Këshilli Shqiptar i Medias u shpreh se deklarata e kreut të policisë cënon rëndë lirinë e medias e të shprehjes.

“Ngjarja e rëndë meriton vëmendje maksimale të mediave dhe ka interes të lartë publik, ndaj tentativa e Policisë së Shtetit, përmes përfaqësuesit të saj, z. Rrumbullaku, për të kontrolluar narrativën jo vetëm mediatike por dhe në rrjetet sociale të kësaj ngjarjeje, duke kërcënuar me procedime penale është kundër parimeve të lirisë së shprehjes në botën demokratike dhe në kundërshtim me çdo princip të lirisë së medias e tëshprehjes së individit në hapësirën e BE-së ku qeveria e z. Rrumbullaku ka premtuar të na integrojë”,-thuhet në komunikimin e KSHM-së.

Sipas KSHM-së mënyra më serioze për të luftuar dizinformimin është përmes transparencës e jo përmes kallëzimeve penale.

“Dhe, transparenca prej kohësh nuk është pika e fortë e institucionit të z. Rrumbullaku e as e qeverisë që e ka emëruar në atë pozicion”.

KSHM shprehet se përndjekja e atyre që shpërndajnë “dezinformim keqdashës”, nuk hyjnë në tagrin, as në kompetencat e drejtuesit të poilicisë.

“I vetmi institucion i shtetit shqiptar që ka tagrin dhe kompetencën për të përcaktuar se çfarë është dezinformim (dhe me dashje), dhe kush duhet dënuar sipas të drejtës civile e jo asaj penale për shpifje, është Gjykata Shqiptare”.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *