Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Shi yjesh në Parkun Kombëtar të Shebenikut

Foto nga qielli i Fushë Studën në Librazhd, pjesë e Parkut Kombëtar të Shebenikut.

Vapa zhuritëse e 11 gushtit në kryeqytetit u la pas teksa dhjetëra qytetarë të grupmopshave të ndryshme zunë vend në makinat e rreshtuara për një udhëtim të përbashkët.

“Shiu i yjeve” ishte togfjalëshi më i dëgjuar prej turmës shumëngjyrëshe, i cili do të përjetohej prej tyre në fshatin Fushë Studën të Librazhdit, pjesë e Parkut Kombëtar të Shebenikut.

Ky është viti i katërt që 28 vjeçari Lyto Alliu, pjesë e guidës lokale “Shebenik Egnatia Explorers” organizon kampin e yjeve. Ndërsa datat 11,12 dhe 13 gusht konsiderohen më të rëndësishmet e muajit për sa i përket densitetit të rënies së meteorëve Perseid dhe dukshmërisë së tyre me sy të lirë.

Për Arlindin, kjo është hera e parë që përjeton këtë përvojë.

“Kam shkuar herë të tjera në zona ku ka pamje shumë të mirë yjesh sepse afër vendlindjes sime ka zona që janë me shumë pak ndriçim dhe vazhdimisht kam kërkuar që të shkoj tek ato për të parë yjet. Por këtu është një eksperiencë shumë më ndryshe sepse ka shumë njerëz të tjerë që duan të shohin të njëjtën gjë si unë kështu që është realisht diçka shume interesante”,- rrëfen Arlind Igrishti.

Grupe shoqërore, familjarë e fëmijë pasi vizituan qendrën e vizitorëve të Parkut Kombëtar të Shebenikut dhe u njohën me historikun e zonës dhe shumëllojshmërinë e faunës dhe florës, u mblodhën rreth zjarrit të ndezur karshi çadrave të kampingut.

Për Ersilda Alcanin, njohja me fenomenin e shiut të yjeve erdhi përmes rrjeteve sociale.

“Jam njohur nëpërmjet rrjeteve sociale. Jam person që në jetën time me shoqërinë time i bëj kampingjet. Mundësisht rreth Tiranës, ndonjëherë edhe jashtë hapësirave të tjera dhe mu duk si mundësi e mirë për tu njohur me njerëz të rinj pse jo”,– rrëfen Ersilda.

Ndërsa ardhja në Librazhd është emocionale për të, pasi është vendi nga ka origjinën.

“Me pëlqeu edhe shume ideja se në fakt fisi im është nga Librazhdi dhe vetë nuk kam qenë asnjëherë dhe mu duk shumë gjë e bukur që mund të vija ta vizitoja më në fund pas kaq shumë vitesh”.

Përvoja është e këndshme edhe për Nevjola Lilën, një tjetër e re pjesë e kampit.

“Më pëlqen shumë pjesa e organizimit dhe gjithë rrjetëzimi që krijojmë me njerëz të rinj dhe gjithë kjo eksperienca që po marrim dhe padyshim që edhe pjesa e shiut të yjeve që po e presim. Mendoj që për pjesën e relaksit dhe qetësisë zgjedhja më e mirë është të vish në mal dhe në këto ekspeditat që bëhen”,-rrëfen Nevjola.

“Kampi i yjeve” vendos Parkun Kombëtar të Shebenikut në hartën turistike

Shumëllojshmmëria e grupmoshave dhe rikthimi për të disatën herë e të tjerë turistëve janë dy karakteristika që guida Lyto Alliu nxjerr në pah.

“Jam shume i suprizuar, jam shumë i kënaqur në të njëjtën kohë që vitin e parë e kemi nisur me 20 veta dhe sot e kësaj dite ka një numër të pafundëm që vetëm po rritet. Vitin e kaluar kishim mbi 400 persona dhe këtë vit lajmi është që nga tre net këtë vit do të jemi të fokusuar në katër net. Grupmoshat që vijnë në këtë kamp janë të ndryshme. Më i vogli është 3 vjec dhe më i madhi sonte është 69 vjeç”,-shprehet ai.

Lyto Alliu, guidë “Shebenik Egnatia Explorers”

Ky fenomen i shiut të meteorëve ndodh në të gjithë botën, mirëpo është i dukshëm në qiej të kthjellët e të pastër, veçanërisht në zona të gjelbërta.

“Për ti parë ato gjëra duhet të jesh sa më larg dritave, sa më larg ndotjes së ajrit. Parku Kombëtar i Shebenikut, më konkretisht në fshatin Fushë Studën është i fokusuar në hartën astronomike shqiptare ku ti mund të shikosh me sy të lirë këtë rënie. Datat janë të fokusuara në 11, 12 dhe 13 ku data 12 është piku më i madh i tyre dhe ku brenda një ore ka rreth 100 rënie. Kjo e bën më të mahnitshme gjënë dhe njerëzit mund ti shikojnë me sy të lirë”,- rrëfen Lyto Alliu.

Për punonjësit e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, të cilët janë çdo ditë në monitorim të Parkut Kombëtar të Shebenikut, ky ekosistem natyror është shumë i pasur me vlera turistike dhe faunistike.

“Është rreth 34 mijë hektarë në total si sipërfaqe dhe ka vlera të mëdha nga pjesa floristike dhe të faunës. Kemi zonën e parë, zonën e punimit tradicional ku lejohen disa aktivitete social-ekonomike. Zonimi qendror dhe zonimi strikt sic kemi rastin e zonës UNESCO që është në pjesën e Rrajcës që është shpallur trashëgimi natyrore botërore për pyjet e vjetra të ahut”,- shprehet Xhek Nezha nga Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura të Elbasanit.

Sipas tij, ky aktivitet është vetëm njëri nga disa të tjerë që ofron parku.

“Përveç vlerave natyrore ka edhe këtë vlerën që vijnë njerëzit për qetësinë që ka pjesa e sipërme e qiellit për të parë yjet natën. Kjo është një nga atraksionet që vijnë njerëzit sepse një pjesë e madhe vijnë për të ecur nëpër shtigjet që ka Shebeniku. Ne kemi markuar disa shtigje. Kemi bërë rreth 14 shtigje të markuara me harta ku kanë edhe sinjalistikë rrugore ku mund të orientohen vetë turistët”,-shpjegon ai më tej.

Xhek Nezha, AdZm

Vëmendja turistike që kanë marrë fshatrat përreth Librazhdit dhe Përrenjasit, dy bashki që ndajnë territorialisht Parkun Kombëtar të Shebenikut ka bërë që shumë banorë të rikthehen në shtëpitë e tyre të vjetra dhe ti kthejnë në shërbime për turistët.

“Zona ka filluar vitet e fundit një trend rritjeje në pjesën e ndërtimit të bujtinave. Edhe shtëpitë e vjetra janë restauruar nga banorët e zonës që dikur janë larguar kohë më parë, për ti kthyer në bujtina. Këtë e fakton pjesa e rritjes së kërkesës që kanë vizitorët, turistët për të qëndruar. Dikur mungesa e rrugës sillte edhe mungesë të kërkesës për të ndenjur njerëzit”,-sjell Xheku në vëmendje.

Pyetjes frikësuese për ndikimin që këto zhvillime infrastrukturore mund të kenë në peizazhin natyror ai i përgjigjet me ligjin.

“Ligji i zonave të mbrojtura parashikon shumë qartë se ku lejohet ndërtimi i infrastrukturës dhe hotelerisë, bujtinave e me radhë. Zona ku ndodhemi është zonë e rekreacionit që do të thotë lejohen aktivitetet turistike si kjo e sotmja. Kemi zonimin e prodhimit tradicional ku lejohet ndërthurja midis aktiviteteve natyrore dhe social-ekonomike dhe kemi zonimin qendror dhe zonimin strikt, ku aty do të lemë natyrën të bëjë punën e saj të mos ndërhyjë fare dora e njeriut”,-shpjegon Xhek Nezha.

Parku Kombëtar i Shebenikut me një vendim të Këshillit të Ministrave në vitin 2022 ka shtuar sipërfaqen nga 33 ha në 34 ha. Ndërsa është zonë ndërkufitare me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Numëron një sërë vlerash të biodiversitetit, bimëve të rralla, liqeneve akullnajore, si dhe drurëve të vjetra të ahut të mbrojtura nga UNESCO (në pjesën e Rrajcës).

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *