Eva Buzo është gruaja e parë në histori që përshkoi me not kanalin e Ontrantos. Buzo notoi 92 km nga Italia në Shqipëri për 35 orë. Ajo e nisi rrugëtimin e saj nga brigjet e Leçes në Itali të shtunën në orën 18.00 dhe mbërriti rreth orës 5:00 të mëngjesit të sotëm në kepin e Gjuhëzës. Në një intervistë për Citizens.al përpara nisjes së maratonës, Buzo rrëfen se tragjedia e Otrantos dhe origjina e saj shqiptare janë dy faktorë kyç që kanë ndikuar në ndërmarrjen e kësaj nisme.
“Kalimi nga Italia në Shqipëri nuk ka përfunduar me sukses, kështu që ishte diçka që unë duhet ta bëja dhe është diçka që unë jam në pozitat e favorshme dhe kam aftësitë që ta bëj. Është një maratonë që nuk është bërë dhe duhet bërë!”- thekson ajo.
Ajo shpjegon se Greqia është një rrugëtim vetëm pesë kilometra dhe nuk është sfiduese, kështu që Kanali Otrantos ishte objektiv më i lartë për të.
“Gjyshi im është shqiptar dhe unë di shumë gjëra për Shqipërinë! Kam ardhur për herë të parë këtu në 2015 dhe e ndjeva menjëherë si shtëpinë time të dytë. E shoh Shqipërinë si pjesë të identitetin tim”, thekson Buzo.
Në Australi Eva punon si avokate për të drejtat e njeriut dhe refugjatëve.
“Ti vendos një qëllim dhe duhet të përpiqesh që ta arrish atë qëllim. Kështu për shembull për kalimin e kanalit të Anglisë, pati me dhjetëra e dhjetëra tentativa të dështuara, derisa pati një tentativë të suksesshëm nga kapiteni Matthew Webb në 1872”- shton ajo.
Kjo ishte tentativa e dytë e saj për të përshkruar Otranton pasi vjet e ndërpreu maratonën në orën e fundit për shkaqe shëndetësore.
“Unë po notoja kundër rrymës, në ditën e parë mu deshën nëntë orë për të notuar 15 km e para, kur do më duheshin vetëm katër orë për të notuar 15 km. Kështu që këtë vit kemi një informacion paraprak më të mirë sesi do të jetë deti”- pohon Buzo në lidhje me eksperiencën e vitit të kaluar.
Eva Buzo është atletja e parë grua që e kalon kanalin e Otrantos me not, pas Paolo Pintos, i cili e ka bërë këtë në vitin 1979.
“Kalimi i Pintos ka qenë i asistuar ndërsa Eva ka realizuar një itenerar krej e vetme”- shpjegon për Citizens.al Ebi Spahiu, notare e cila ka qenë pjesë e skuadrës shoqëruese të notares Eva Buzo.
Eva Buzo rrëfen se ndër momentet inkurajuese gjatë orëve të tej zgjatuara të notit janë mesazhet që i vijnë nga familjarë dhe të afërm.
“Vajzave dhe grave shqiptare të cilave u është thënë se nuk mund t’ja dalin, sot ato po ja dalin” – ishte njëra nga pankartat që ju dërgua Evës nga Kolektivi Feminist.
“Është një event shumë personal për mua dhe kur e di që kam këtë lloj mbështetje është shumë e rëndësishme”- përmbyll Buzo.
Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe ccështjet e migrimit.