Citizens.al

“Rrugë për Askund”, autostrada e re shkatërron biznesin dhe jetën në Thumanë

Vëllezërit Durim dhe Andi Gjoka u kthyen nga Greqia në vitin 1998 për të investuar kursimet në Shqipëri. Ata ngritën një biznes lulesh dhe pemësh në afërsi të Thumanës, aksit që ka shërbyer si rrugë nacionale deri pak javë më parë.

“Me një të rënë të lapsit qeveria na bllokon rrugën kryesore dhe aksesin për t’u lidhur me autostradën e re”- tregon Durim Gjoka për Citizens.

Më ndërtimin e autostradës biznesi i tyre u nda në mes, duke i lënë serat nga një anë dhe qendrën e shitjes së luleve nga ana tjetër e rrugës. I vetmi nënkalim që mundëson lidhjen e dy pjesëve të biznesit është vetëm 3.4 metra, i cili pamundëson kalimin e makinave të mëdha për transportin e pemëve.

“Që të ngarkojmë ne një trailer, duhet që t’i shkarkoj materialet dy herë, se këtu nuk i zë makinat e mëdha. Duan të paktën një ditë, gjithë ditën, me 10 – 12 punëtorë që të ngarkojmë një trailer. Në një kohë që traileri vinte në vendin e vetë, ngarkonte për një gjysmë dite edhe mbaronim punë, edhe bima nuk kishte dëme”- shpjegon ai për Citizens.

Biznesi i vëllezërve Gjoka gjendet vetëm pak metra me rreth rrotullimin e autostradës së vjetër, që prej një muaji është kthyer në një rrugë për askund. Për ironi, autostrada e re ka prerë në mes një rrethrrotullim ekzistues, që ishte ndërtuar me qëllimin që të bënte lidhjen e rrugës me aksin e re që do pasonte.

80 mijë banorët e Krujës dhe rrethinave tani kanë dy mundësi, ose të kthehen deri në Kashar ose të kalojnë në një rrugicë dytësore që të çon drejt Thumanës.

“Është bë skëterrë, krejt makinat e Shqipërisë kalojnë këtej, kjo është rrugë lagje, rrugë që s’mund të nxjerrim fëmijët në rrugë” – tregon Artur Lame.

Arturi banon buzë rrugës së vjetër dytësore. Mbyllja e rrugës e ka kthyer oborrin e tij në një aks ndërkombëtar të improvizuar, ku ccdo ditë kalojnë makina të tonazhit të rëndë dhe shkaktohen aksidente.

Por përveç infrastrukturës së dobët kjo rrugë dytësore nuk ofron as sinjalistikën minimale duke i vendosur gjatë gjithë kohës shoferët në dilemë se nga cila anë duhet të marrin për të arritur destinacione të caktuara.

Ky problem i ka ngarkuar një detyrë të re Edi Farrukut, që shërben si hoxhë në xhaminë e Thumanës.

“Gjatë ditës kur jam te xhamia, rri këtu për me i tregu njerëzve se nga me marrë drejtim, sepse futen dhe çdo rrugë që shohin i duket sikur të lidh me autostradën, ja nxjerr GPS, por në realitet krejt rrugët janë të mbyllura, ose të vijë shteti, të vijë e të verë një tabelë”- thotë Edi Farruku.

Për të ndihmuar qytetarët, ai ka vizatuar mbi murin e Xhamisë shkrime orientuese për drejtimet Shkodër, Kosovë, Morinë.

Protestat dhe dhuna policore

Të hënën është paralajmëruar protesta e tetë radhazi e banorëve të Thumanës. Prej javësh ata në formë revolte kapërcejnë kordonët e policisë dhe  bllokojnë përreth një ore apo më tepër qarkullimin e automjeteve në autostradën e re. E vetmja kërkesë e tyre është aksesi në rrugë.

“Më ka rënë kështu anësore me mburojë edhe më ka gjakosur, janë komplet edhe kamerat dhe atë moment është hap gardhi i policisë, kur më kanë goditur mua”- tregon Durimi.

Në disa protesta forcat shqiponja nuk kanë hezituar të përdorin dhe gaz lotsjellës, spërkatës djegës për sytë etj, për të shpërndarë turmat. Banorët shprehen se nuk do i ndalin protestat derisa të kenë një alternativë kalimi.

“Ne protestat do i vazhdojmë, le të bëjmë burg se ne na kanë futur në burg, bukën e gojës na e kanë marrë, bizneset po na i falimentojnë, rinia po na ikën, ne në burg jemi. Çfarë do presim më tjetër ne?”- pohon Durim Gjoka.

Ai nuk e fshehin dot zhgënjimin e izolimit jo vetëm fizik por edhe ekonomik.

“Çdo vend të botës, çdo biznes i japin favore, jo shkatërrim. Këtu na kanë dhënë shkatërrim, nuk na kanë dhënë asnjë favor, ne na kanë penalizuar në të gjitha anët, si nga toka, prona që na kanë marrë, si nga bizneset….”- përfundon Durimi.

Kjo autostradë  do të aksesohet kundrejt një pagese prej 270 lekësh për çdo mjet. Kontrata e lidhur mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kompanive “Gener 2 sh.p.k parashikon një koncesion 35 vjeçar. Ndërsa projekti ka kushtuar rreth 267 milionë euro, financimi i aksit është bërë nga koncensionari, që planifikon të mbledhë të paktën 1.3 miliardë euro të ardhura bazë për 35 vite.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW