Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Orikumi “pushtohet” nga mbetjet urbane, çdo vit 6500 ton plehra  hidhen pranë përrenjve

Hyrja e Orikumit, një prej destiancioneve turistike të vendit, prej 20 vitesh është shndërruar në një vend grumbullimi të mbeturinave të zonës. Megjithëse çdo vit shpenzohen miliona lekë për pastrimin e qytetit, bashkia e Vlorës nuk ka ende një përgjigje se kur ky venddepozitim do të mbyllet dhe mbetjet të dërgohen në landfillin e Sherishtës.

Autore: Afize Nelaj

“E bëj përditë këtë rrugën dhe sa herë kaloj, mbyll xhamat e makinës sepse ndihet shumë aroma e rëndë e mbeturinave” – thotë i shqetësuar për situatën, Veli Gjipalaj, një banor i Orikumit.

Është turp që mbahemi si vend turistik edhe i presim njerëzit me këtë pirg mbeturinash”, – këmbëngul më tej ai.

Ndodhemi pranë rrethrrotullimit ku bashkohet rruga e “Bypass-it” të qytetit të Vlorës me njësinë administrative të Orikumit. Qyteti i vogël bregdetar, i vendosur në skajin jugor të gjirit të Vlorës është një prej destinacionet turistike të rivierës shqiptare.

Mirëpo edhe pse është një vend i komercializuar për turizmin, gjëja e parë që përballesh sapo afrohesh me Orikumin, është një sipërfaqe e madhe e rrethuar me plastmas, që nuk mund t’i mbulojë grumbujt e pafundëm të mbeturinave.

Vendgrumbullimi ndodhet në juglindje të qytetit të Orikumit, në një largësi rreth 200 m nga lagjja më e afërt, buzë rrugës nacionale Vlorë-Sarandë (70 m), në breg të lumit të Dukatit dhe 500 m nga deti Adriatik.

Turizëm mes tonelata mbetjesh

Pozicioni gjeografik i Orikumit që laget nga dy detet, Jon dhe Adriatik, kushtet klimatike e tokësore ofrojnë bukuri të shumta natyrore dhe mundësi për zhvillimin e qëndrueshëm detar e malor. Pavarësisht kësaj, banorët e këtij qyteti jetojnë fare pranë një gangrenë të madhe plehrash në hyrje të tij. Situata kritike rrjedh që prej kohës kur Orikumi ka qenë bashki dhe sot, pas 20 vitesh, hyrja e tij shërben si pikë grumbullimi i 130 mijë ton mbetjesh.

“Nuk ndihem mire, nëse jam i shoqëruar me miq të huaj, duhet t’ju shpjegoj që zona jonë nuk është vetëm ai pirgu aty me mbeturina në hyrje, por ka edhe gjëra të tjera më të mira.” -shprehet një ‘djalë i zonës’ i cili është larguar 17 vite më parë nga Orikumi, por kthehet çdo verë si pushues.

Banorët e Orikumit, por edhe fshatrave përreth jetojnë pranë kësaj pike grumbullimi, ku janë depozituar mbetje për gati 20 vjet. Çdo vit aty depozitohen rreth 6 mijë e 500 ton mbetje.

“Nëse e llogarisim për 20 vite, aty të paktën janë 130 mijë ton mbeturina” -sqaron N.H, specialisti i Zonave të Mbrojtura, që sqaron se “sipërfaqja e vendgrumbullimit është 4800m²”

Bashkia e Vlorës pritej që t’i jepte zgjidhje trajtimit të mbetjeve në landfillin e ri të Sherishtës që në qershor të vitit 2021. Ky landfill, i cili ndodhet 10 km larg qytetit të Vlorës, ende nuk është vendosur në funksion, pasi afati është shtyrë disa herë.

Ndërtimi i landillit për menxhimin e mbetjeve ka kushtuar 20.8 milionë euro dhe është financuar nga banka gjermane KfW, nga të cilat 12.5 milionë euro janë kredi, ndërsa pjesa tjetër grante.

Qershori i vitit 2020 përkon me kohën kur u shpallën fituesit e tenderit, përkatësisht Integrated Teçnology Services në bashkëpunim me kompaninë italiane “Bulfaro Spa”.

Mirëpo puna ngeli në vend që prej 14 dhjetorit 2021, kohë kur kompania “Integrated Teçnology Services” u sekuestrua me urdhër të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, aksioner i të cilës është Klodian Zoto. Ky i fundit i shpallur në kërkim ndërkombëtar për pastrim parash dhe korrupsion, pas skandaleve të inceneratorëve në Fier dhe Elbasan.

Në 13 shkurt të këtij viti, drejtoresha e qendrës rajonale të menaxhimit të mbetjeve pranë bashkisë së Vlorës, Erinolda Lushaj shprehej se landfilli i Sherishtës, i cili i kaloi si kompetencë bashkisë së Vlorës, do të vihej në funksion në muajin prill.

“Bashkia e Vlorës ka shkëputur kontratën me subjektin dhe tashmë “Sherishta” është në pronësi të Bashkisë prej muajit tetor 2023. Jemi duke u marrë me procedurat dhe në prill 2024 fillon puna,”-deklaronte Lushaj.

Sipas saj, një prej fazave të kapsulimit të mbetjeve ishte edhe ajo për dy fushat e vjetra të mbetjeve, ish-Aviacioni dhe Orikumi.

Mirëpo edhe pse kanë kaluar katër muaj që nga prilli i 2024-ës, në Orikum mbetjet nuk janë kapsuluar ende.

“Ka shumë vite që na premtohet nga bashkia Vlorë që mbeturinat do të largohen prej aty. Edhe gropa që është hapur për depozitimin e mbetjeve është ndërtuar nga njësia administrative e Orikumit, si zgjidhje e vetme, në një tokë që është e shpronësuar me vendim të këshillit bashkiak të Vlorës.” -sqaron Selim Haskoçela, kryetar i njësisë administrative të Orikumit.

Ai pranon si pasojë e mungësës së trajtimit të mbetjeve, ndotja në mjedis është e përmasave të mëdha.

Duke qenë se ujërat freatike janë afër dhe toka është zhavorrishte, pra në afërsi të lumit, kemi depërtimin e lëndëve kimike në këto ujëra, që vinë si shkak i depozitimit të këtyre mbetjeve.”-shprehet Haskoçela.

Ekspertët thonë se edhe pozicioni i këtij venddepozitimi, në anë të lumit të Dukatit, shton rrezikun që këto mbetje të përfundojnë në ujrat e kristalta të gjirit të Vlorës.

“Këto mbetje kanë një efekt negative në mjedisin deta ,pra preket flora dhe fauna detare. Mbi të gjitha ka ndikim edhe në cilësinë e ujërave, kryesisht atyre nëntokësore, të cilat po ashtu përfundojnë në det.” -thotë specialisti i Zonave të Mbrojtura.

Shumë premtime, por zgjidhja duket e largët

Shërbimi i pastrimit të mbeturinave për Orikumin nuk respekton parimet e përgjithshme të ligjit për largimin e mbeturinave.

Mbeturinat lihen në mes të qytetit, në shkelje flagrante të nenit 3 të ligjit nr. Nr.8094( datë 21.3.1996),  të cilat qartësojnë se duhet të: Mënjanohet çdo dëm a rrezik për shëndetin, mirëqenien dhe sigurinë e jetës së personit; Garantohet kërkesa higjieniko-shëndetësore dhe çdo rrezik ndaj ndotjes së ajrit, ujit, tokës e nëntokës;  Të ruhet e mbrohet fauna e flora e mjedisit

Për pastrimin e Orikumit, bashkia e Vlorës ka hapur një procedurë prokurimi, ku si objekt i kontratës është “Shërbimi i pastrimit të Orikumit për vitin 2023” me një fond prej 27,910,434 lekësh, pa TVSH, por qyteti vijon të vuajë pasojat e këtij venddepozitimi.

Bashkia e Vlorës fillimisht hezitoi ti përgjigjej interesimit tonë, për të ditur fazën e projektit të landfillit të Sherishtës dhe kohën kur është përcaktuar kapsulimi i mbetjeve në Orikum.

 “Ju informojmë se pastrimi i njësisë administrative Orikum kryhet me operatorë privatë të kontraktuara nga bashkia Vlorë. Ndërmarrja e shërbimeve publike Vlorë nuk ka informacion zyrtar mbi pyetjet që keni ngritur ju.”, – tha bashkia e Vlorës.

Pra referuar përgjigjes së Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, edhe pse si kompetencë menaxhimi i mbetjeve pas ngerçit të vitit 2021 është e bashkisë Vlorë, nuk saktësohet se kur do të largohen mbetjet nga venddepozitimi i Orikumit.

Qytetarët e Orikumit dhe fshatrave përreth, Dukat, Dukat Fshat, Tragjas dhe Radhimë, paguajnë çdo muaj taksë pastrimi. Numri i banorëve është 11976, ndërsa në periudhën e sezonit turistik(Qershor-Gusht), ky numër arrin në 40 mijë persona.

Çdo familje e kësaj zone, në faturën e energjisë elektrike, paguan 3 mijë lekë të reja në vit, të cilat shkojnë për pastrimin e zonës.

Ndërsa sa i takon bizneseve, një biznes i vogël paguan 45 mijë lekë të reja në vit dhe një biznes i madh 60 mijë lekë të reja.

Tarifa mujore që qytetarët paguajnë

Për person
[Lekë/muaj]
Për familje
[Lekë/muaj]
62,5 leke250 leke

Tarifa mujore për njësitë e biznesit

Biznesi i vogël
[Lekë/muaj]
Biznesi i madh
[Lekë/muaj]
3750 leke5000 leke

Sipas statistikave të bashkisë Vlorë për njësinë administrative të Orikumit (viti 2022), rezulton se numri i banorëve arrin në 11976, thënë ndryshe nëse i referohemi një familje me 3 pjesëtarë, ky numër përkthehet në 3720 familje, nga të cilat arkëton 11 mln lekë të reja në vit.

Nëse llogarisim bizneset, nga të dhënat rezulton se kjo zonë ka 270 biznese të vogla, ku në total bashkia merr 12 milionë e 150 mijë lekë rë reja.

Numri i bizneseve të mëdha arrin në 70, të cilat depozitojnë në buxhetin e bashkisë 4 milionë e 200 mijë lekë të reja.

Pra në total, familjet dhe bizneset e Njësisë Administrative të Orikumit i “falin” 27 milionë e 510 mijë lekë të reja bashkisë Vlorë, po aq sa kjo bashki ka hapur tendering për pastrimin e kësaj qyteze.

E pavarësisht kësaj çdo mbetje e Orikumit e fshatrave përreth vijon të depozitohet në të njëjtin vend, aty ku rreziku i zjarrit për shkak të pranisë së gazit metan është prezent.

Metani është një gaz, i cili për shkak të strukturës së tij çliron deri në 35 herë më shumë nxehtësi në atmosferë sesa dioksidi i karbonit. Çlirimi i tij në këtë vendgrumbullim dhe mungësa e menaxhimit ka bërë që ndër vite vendi të përfshihet nga flakët, për pasojë të kthehet në rrezik për shëndetin e banorëve dhe gallesave në ekosistemin përreth.” -thotë specialisti i Zonave të Mbrojtura.

Sipas tij, zjarret në venddepozitime të ngarkuara me gaz metan janë të vështira për tu kontrolluar dhe fikja e tyre kërkon një kohë më të gjatë, duke shkaktuar dëme të mëdha mjdeisore dhe shëndetsore në komunitet.

Pa u krijuar një plan i mirëfilltë për kapsulimin dhe largimin e këtyre “malesh” me mbetje, këto pamje do të shoqërojnë jo vetëm banorët e Orikumit dhe fshatrave përreth, por edhe qindar turistë  që përshkojnë këtë aks për të shkuar drejt plazheve të jugut. Kjo “njollë e zezë” mjedisore është zhgënjimi më i madh për turistët, në një kohë kur vendit ynë përshkruhet në mediat e huaja si perla e Ballkanit.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *