Alfred Peza, drejtues i Radio Televizionit Publik Shqiptar dha dorëheqjen një vit pas marrjes së detyrës.
“Ju paraqes dorëheqjen, në mënyrë të parevokueshme, nga pozicioni i drejtorit të përgjithshëm të RTSH”,- përmbyllet letra drejtuar kryetarit dhe anëtarëve të këshillit drejtues të Radio Televizionit Shqiptar.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) dhe Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt u shprehën se do të monitorojnë nga afër procesin e përzgjedhjes së drejtuesit të ri.
“AGSH i kërkon këshillit drejtues çeljen pa vonesë të garës për drejtues të RTSH sipas dispozitave statutore. Vetëm një proces transparent, i pavarur dhe i bazuar në meritë mund të bëjë që transmetuesi publik t’i kthehet publikut”, –thuhet në njoftimin e AGSH-së.
Ina Zhupa, kryetare e komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik u shpreh se “çlirimi i RTSH-së është një fitore e vogël e një beteje për ligjshmëri”.
“RTSH është aset publik që mbahet me taksat e shqiptarëve dhe duhet drejtohet në bazë të ligjit dhe në shërbim të interesit publik. Fatkeqësia ishte që ligji, por edhe normat morale ishin zhdukur nga Peza. Këshilli drejtues të ngrihet në lartësinë e detyrës në zgjedhjen e re”,- deklaroi Zhupa.
Ky largim vjen dy ditë para zhvillimit të asamblesë kombëtare të Partisë Socialiste që do të mbahet më 8 shtator, ku pritet të përcaktohet nëse do të ketë ose jo ndryshime të drejtuesve politikë të PS-së në qarqe.
Alfred Peza mori detyrën në qershor të vitit 2023 përmes kontestimeve për shkak të së shkuarës së tij politike, si ish-deputet dhe sekretar i marrëdhënieve me median në Partinë Socialiste.
Zgjedhja e tij në krye të RTSH-së u prit me shqetësim edhe nga organizatat e medias në vend, të cilat kërkuan pavarësi dhe neutralitet politik në poste të tilla.
Edhe koha e qëndrimit në krye të RTSH-së u përcoll me shqetësime, kjo për shkak të shkarkimeve të shumta të gazetarëve dhe punonjësve të RTSH-së.
Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim, dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara e personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).