Citizens.al

Marrëveshja e pashkruar mes AMA-s dhe TikTok ngre shqetësime për censurë

Autoriteti i Mediave Audiovizie (AMA) njoftoi në 22 gusht të 2024 një bashkëpunim me platformën “Tik-Tok”, që synon të frenojë shpërndarjen e materialeve të dëmshme.

AMA u shpreh se tanimë përmes një linku të dedikuar “qytetarët do të mund të raportonin çdo përmbajtje që nxit dhunë, përmban gjuhë urrejtje, shkel të drejtat e fëmijëve dhe komuniteteve”.

Pak ditë pas njoftimit të marrëveshjes, AMA njoftoi se fluksi i denoncimeve ishte i lartë, ku vetëm për pesë ditë janë raportuar 156 video pirate, nga të cilat janë fshirë 112 video, 20 profile që kryenin pirateri; 85 ankesa të tjera ku 40 u konsideruan në shkelje të ligjit, prej të cilave 23 janë fshirë dhe 17 në shqyrtim.

Mirëpo, ky bashkëpunim i AMA-s dhe Tik-Tokut ngjalli kuriozitet dhe shqetësim për sa i takon censurës digjitale. Ndaj, më 4 shtator AMA u ftua të fliste para Komisionit Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik.

“Nuk keni një marrëveshje të shkruar me Tik-Tok. Asnjëri nga ne këtu sot apo publiku, nuk i di kufijtë dhe mënyrën se si funksionon ky lloj bashkëpunimi midis AMA-s dhe Tik-Tok”,- u shpreh Ina Zhupa, drejtuese e Komisionit.

Sipas saj, shqetësimi lidhet me faktin se mund të ndodhë që përmbajtje të caktuara me qasje kritike ndaj qeverisë të raportohen, duke çuar në fshirje të tyre.

“Ne nuk kemi një kornizë të plotë ku do të dijmë deri ku do të jenë kufijtë tuaj dhe çfarë videosh ju do t’i klasifikoni si video të rrezikshme dhe cilat jo”,- deklaroi Zhupa.

Armela Krasniqi, drejtuese e AMA-s, u shpreh se nuk jua lejon ligji të veprojnë për përmbajtjen apo faktet, por vetëm kur ka raportime për gjuhë urrejtjeje apo dhunë.

“Ne nuk kemi kuadër ligjor. Ne jemi vetëm për përdoruresit e thjeshtë të cilët nuk kanë përgjegjësi editoriale. Ndërkohë që mediat, websitet apo portalet të gjitha këto kanë përgjegjësi editoriale në momentin që janë krijuar dhe mbajnë përgjegjësi përpara publikut për çka thonë. Kjo është një marrëdhënie që ne nuk e zgjidhim”,-deklaroi Krasniqi.

Ndërsa theksoi se bëhet fjalë për bashkëpunim dhe jo marrëveshje të shkruar.

“Dua ta theksoj se ka pasur një keqkuptim edhe në media. Bëhet fjalë për një bashkëpunim dhe jo për një marrëveshje të shkruar me platformën. E gjitha kjo, bazuar në funksionet rregullatore të AMA-s sipas ligjit 97/2013 i ndryshuar”,- deklaroi Armela Krasniqi.

Çfarë roli ka AMA?

Sipas Armela Krasniqit, AMA ka proceduar me hapjen e një dritareje në faqen e saj në web, e cila ju mundëson qytetarëve të referojnë përmbajtje të dëmshme të publikuar në Tik-Tok.

“Plotësimi i formularit të aksesuar në dritaren e komunikimit vijnë më pas me shqyrtimin e videos e cila kontestohet nga një qytetar i zakonshëm. Dua ta theksoj, AMA nuk monitoron. Sot për sot AMA nuk monitoron platformat e shpërndarjes së videove por vepron vetëm në bazë të ankesës së qytetarëve”,- u shpreh Krasniqi.

Sipas saj ka një staf që shqyrton ankesat që vijnë në linkun në platformën online të AMA-s.

“Këshilli i Ankesave, Drejtoria e Legjislacionit Ndërkombëtar, Drejtoria e Teknologjisë së Informacionit, po ashtu edhe Drejtoria e Mbikëqyrjes. Të gjitha këto raportime dërgohen pas verifikimit dhe analizimit nëse ajo që raportohet nga qytetari është në shkelje të ligjit organik të AMA-s, raportohen në platformën Tik Tok vetëm ato video, të cilat verifikohen pas analizës se janë në shkelje të ligjit. Raportimi bëhet duke argumentuar gjithmonë nenin përkatës, i cili është shkelur”,-argumentoi Krasniqi.

Përfitimet dhe sfidat e kësaj marrëveshjeje

Në një deklaratë, Qendra e Shkencës dhe Inovacionit për Zhvillim (SCiDEV) analizoi nga pikëpamja ligjore këtë bashkëpunim dhe kompetencat e AMA-s në këtë drejtim.

Sipas analizës së kryer nga eksperti Armando Bode për SCiDEV, ky bashkëpunim tregon për një qasje pozitive ndaj moderimit të pëmrbajtjes, “duke inkurajuar përdoruesit të raportojnë aktivisht përmbajtjet e dëmshme dhe duke nxitur një mjedis më të sigurt në internet”.

Mirëpo, mungesa e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme përbën shqetësim, pasi bazohet thjesht në bashkëpunim vullnetar të të dyja palëve duke venë në pikëpyetje transparencën e AMA-s .

“Si një institucion publik, AMA është e detyruar të përmbushë standardet e transparencës, por pa një marrëveshje të shkruar, palët e interesuara mbeten të painformuara për fushën, kushtet, aspektet financiare dhe ligjore të bashkëpunimit”,-argumentohet në deklaratën e SCiDEV.

Ndërsa vlefshmëria është ajo çka i vesh pikëpyetje këtij bashkëpunimi.

“Për shkak se bashkëpunimi është vullnetar, as AMA dhe as TikTok nuk janë ligjërisht të detyruar nga ndonjë obligim, duke e bërë të vështirë mbajtjen e përgjegjësisë për veprimet apo mosveprimet e tyre. Kjo gjithashtu nënkupton se secila palë mund të tërhiqet nga iniciativa në çdo kohë, duke rrezikuar efektivitetin dhe besueshmërinë e saj”,-thuhet më tej në analizë.

Pasiguritë për bashkëpunimin e AMA-s dhe Tik-Tok

Koloreto Cukali nga Këshilli Shqiptar i Medias u shpreh për Citizens.al se një institucion shqiptar, cilido qoftë, nuk ka fuqi për ti imponuar Tik-Tokut lëvizje materialesh, aq më tepër kur nuk ka një marrëveshje të shkruar.

“Unë mendoj se AMA do të funksionojë si një ndërmjetës për ankesa në Tik-tok, por nuk besoj se përveç faktit që do të përcjellë e-maile te Tik-Tok, unë nuk shoh ndonjë rrezik.  Në qoftë se AMA apo kushdo tjetër ka një ndërmjetësim në çfarëdo lloj platforme për të përcjellë atje ankesat për gjuhën e urrejtjes apo çfarëdolloj ankese të kësaj natyre që nuk është censurë, mendoj se është mirë për publikun shqiptar që të ketë se si të arrijë të kontaktojë platforma që nuk janë aq lehtë të arritshme”,-argumentoi Cukali.

Të njëjtën qasje për rolin ndërmjetësues të AMA-s në këtë proces ndan e SCiDEV, mirëpo thekson se këto ankesa mund të bëhen edhe drejtpërdrejt nga palët e prekura, pa pasur nevojë për ndërmjetësues.

Në këtë kuptim, TikTok vepron si vendimmarrës i fundit dhe nga një perspektivë ligjore, procesi i ndërmjetësuar nga AMA nuk ofron ndonjë përfitim në krahasim me një kërkesë që paraqitet drejtpërdrejt tek TikTok nga pala e prekur (ose publiku i gjerë). Për më tepër, nuk ka ndonjë sqarim nëse llogaria e AMA-s në TikTok ka ndonjë status të veçantë apo nëse funksionon si një llogari e zakonshme përdoruesi, thjesht duke e dërguar përmbajtjen e raportuar në TikTok për shqyrtim”, -sqarohet në analizë.

Analiza thekson se si një institucion publik, AMA duhet të ndjekë ligjet shqiptare, ndërsa deri më tani ka paqartësi për mënyrën si bëhet procesi i shqyrtimit të ankesave.

Nuk ka udhëzime që përcaktojnë kohëzgjatjen për shqyrtimin e kërkesave, duke ngritur shqetësime se ndërmjetësimi i AMA-s mund të shkaktojë vonesa nga ana e AMA-s dhe Tik-Tok-ut. Nuk ka një mekanizëm të përcaktuar apelimi për rastet kur AMA refuzon të paraqesë kërkesat në Tik-Tok, një element themelor i procedurave administrative. Një shqetësim tjetër kritik është se si përpunohen të dhënat personale gjatë kësaj procedure, veçanërisht pasi këto të dhëna janë të ndjeshme dhe ndryshe nga ato që zakonisht trajton AMA”.

Frika për censurë?

Sipas analizës së SCiDEV ka nevojë për udhëzime të qarta dhe procedura transparente për të siguruar që procesi i shqyrtimit të një materiali të jetë i drejtë dhe të mos ndikohet nga motivet politike.

“Nëse AMA paraqet një kërkesë për heqjen e përmbajtjes që është politikisht e ndjeshme ose kritike, ka potencial për abuzim ose tejkalim, gjë që mund të çojë në shqetësime për censurë dhe shtypje të lirisë së fjalës”,-shpjegon analiza.

Aktualisht nuk ka një përkufizim se çfarë quhet media online në ligjin shqiptar, ndaj ekspertët shohin me shqetësim rrezikun për lirinë e shprehjes në këto platforma.

“Kjo nënkupton që në teori, madje edhe një llogari TikTok që ndan video në platformë, mund të konsiderohet si një “media online”. Prandaj, një kërkesë ndaj përmbajtjes që ndahet nga një media e tillë online do të shqyrtohej sipas të njëjtave rregulla dhe procedura të paqarta dhe do të paraqiste një rrezik për lirinë e shprehjes”.

Në deklaratën analizë të SCiDEV rekomandohet që AMA të formalizojë marrëveshjen me TIK-Tok, të sqarojë strukturën rregullatore dhe të sigurojë transparencë; të publikojë një listë të platformave të shkëmbimit të videove që ka në juridiksionin e saj; të qartësojë rolin e saj në këtë iniciativë; të rrisë masat e mbrojtjes së të dhënave; të përmirësojë koordinimin me autoritete kombëtare, si dhe të përcaktojë planet e bashkëpunimit që ka me platforma të tjera duke siguruar edhe transparencë.

Kompetencat ligjore e AMA-s

Çdo përmbajtje dhe aktivitet audioviziv në Shqipëri rregullohet përmes ligjit 97/2013 “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, ku AMA është organi rregullator.

Me ndryshimet e ligjit në vitin 2023, u përfshinë edhe platformat e shpërndarjes së videove, pa përgjegjësi redaktorialë nga ana e platformës.

“Sipas nenit 32/1, platformat e shpërndarjes së videove duhet të marrin masa të përshtatshme për të mbrojtur fëmijët nga përmbajtjet e dëmshme, për të parandaluar nxitjen e dhunës ose urrejtjes, dhe për të mbrojtur kundër përmbajtjes që përbën aktivitet kriminal, përfshirë pornografinë e fëmijëve, racizmin, ose ksenofobinë”,-analizohet në deklaratën e SCiDEV.

Ky ndryshim është kryer me qëllim për të përafruar ligjin shqiptar me direktivën e BE-së. Mirëpo, AMA ka autoritet vetëm mbi ofruesin e shërbimeve me zyra apo veprimtari menaxheriale në Shqipëri.

“Në parim, TikTok do të kualifikohej si një platformë e shpërndarjes së videove, pasi ofron video të krijuara nga përdoruesit pa përgjegjësi redaktoriale, megjithatë, ajo nuk është e vendosur në Shqipëri. Shërbimet që ofrohen nga entitete “të huaja”, në një bazë transnacionale, nuk bien nën fushën e Ligjit të Medias Shqiptar dhe autoritetit të AMA-s”,-argumentohet në analizë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *