Citizens.al

Dy vite nga propozimi, rikthehet shqetësimi për miratimin e urdhrit të inxhinierëve

Edhe pse është kundërshtuar nga vetë inxhinierët, propozimi për krijimin e urdhrit të inxhinierëve dhe të inxhinierit hidroteknik, është ende duke u diskutuar në tavolinat e komisioneve parlamentare.

“Beteja jonë duhet bërë tani, që të refuzohet që në komisione” – tha Dëshira Mena, drejtuese e Unionit të Inxhinierëve Shqiptarë.

Dhjetëra inxhinierëve u mblodhën dje në një takim, ku shprehën sërish kundërshtinë e tyre për projektligjin e vitit 2022, të propozuar në Kuvend nga inxhinierja Luljeta Bozo. Sipas tyre futja e këtij profesioni nën logon e një urdhri, cënon lirinë profesionale dhe i jep atributet e një monipoli një grushti njerëzish, që do të vendosin për licencat.

“Lufta këtu bëhet të heqim logon nga ministria e Infrastrukturës dhe të vendosim logon e urdhrit, në mënyrë që i gjithë fluksi i inxhinierëve, e gjithë puna dhe aktiviteti të drejtohet drejt një grupi njerëzish, që do të jenë pjesë e urdhrit” – rendit Mena disa nga arsyet se përse janë kundër këtij propozimi.

Pjesëmarrësit thanë se ky profesion është tashmë i rregulluar, nëpërmjet një licence që merret nga ministria e Infrastrukturës.

“Bashkimi Evropian ka kërkuar të rregullohen vetëm profesionet e arkitektëve dhe inxhinierëve, por jo me urdhër, edhe pse inxhinierja Bozo ka dashur të na e prezantojë si një praktikë që e ka gjithë bota” – theksoi Gjergji Caca.

Caca paralajmëroi se nëse miratohet urdhri për inxhinierët, shumë shpejt do të kalojë dhe ai i arkitektëve, ndaj i inkurajoi këta të fundit ti bashkohen kësaj kauze.

“Kam aplikuar në Kanada, më kanë kërkuar njehsimin e diplomës, më kanë kërkuar kurrikulën dhe s’më kanë kërkuar asnjë urdhër apo fletë rrufe nga Shqipëria. Të gjitha premtimet që ju rregullon punë për jashtë janë mashtrime”- shpjegoi inxhinieri Ali Haziraj.

Maksim Çipi, i cili është pjesë e “Urdhrit të Inxhinierëve të Romës”, thotë se aplikohet si praktikë vetëm në Itali, në Greqi, në Spanjë, Portugali.

“Në vende të tjera nuk ka urdhër inxhinieri, por ka shoqata që japin një licencim dhe quhet ligjërisht e rregulluar, njësoj si në vendin tonë”- shpjegon ai.

Inxhinierët e pranishëm në takim kërkuan që të mos ndërhyhet në mënyrën e licencimit, por në problematikat aktuale, për të bërë propozimet e duhura.

Nisma ligjore për urdhrin e arkitektëve dhe inxhinierëve ka nisur të diskutohet që në 2019, ndërsa ishin të përshirë dhe arkitektët, të cilët tashmë janë shkëputur.

Në relacionin që shoqëron këtë propozim, thuhet se ky projektligj plotëson boshllëkun ligjor të krijuar nga ligji nr.10171 “Për profesionet e rregulluara në RSH”.

Më 13 qershor të 2023, shoqata “Unioni i Inxhinierëve Shqiptarë” iu drejtuan me një letër kuvendit të Shqipërisë dhe komisionit për veprimtaritë prodhuese dhe atij të ligjeve ku argumentonin pse ishin kundër këtij projektligji. Bashkëngjitur letrës, Unioni dorëzoi edhe 400 firma të njoma të inxhinierëve dhe 2939 të tjera të mbledhura online përmes platformës change.org, që ishin kundër projektligjit.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *