Citizens.al

Shfryhet rritja e pensioneve, të moshuarit mbeten nën minimumin jetik

Duke nisur nga muaji tetor, pensionet do të indeksohen me 4.1%, sipas vendimit të fundit të qeverisë shqiptare.

“Nga ky vendim përfitojnë 791,257 përfitues pensionistë sipas numrit aktual të ndarë në këto dy kategori në 721,705 janë pensione nga skema e detyrueshme e pleqërisë dhe invaliditetit apo pensionet familjare dhe 68,613 janë pensionet nga programe dhe trajtime të veçanta të qeverisë si ish-ushtarakët, punonjësit e minierave apo naftëtarët, përfituesit e pensioneve të posaçme shtetërore dhe nga skemat suplementare”,- u shpreh Ministri Blendi Gonxhja, ndërsa bëri të ditur vendimin.

Mirëpo, ky indeksim do të thotë një shpërndarje e ndryshme për secilin nga llojet e pensioneve, duke i qëndruar rritjes shumë të lehtë, krahasuar me nevojat e pensionistëve në Shqipëri.

Me këtë indeksim, pensionet urbane rriten me afër 752 lekë. Nga 18,241 lekë që është pensioni mesatar, pensionistët në qytet do të marrin muajin tjetër 18,993 lek.

Për qytetarët në zonat rurale rritja është më e ulët, në vetëm 453 lekë. Nga 11,051 lekë që është pensioni mesatar rural, do të shkojë në 11,504 lek.

Në ndryshim nga dy kategoritë më sipër, rritja pak më e madhe është për qytetarët që marrin pensione nga trajtime të veçanta, sikurse ish- ushtarakë, minatorë, naftëtarë etj.

Për ata që përfitojnë 20.000 lekë, rritja është 800 lek. Ndërsa ata që përfitojnë 30.000 lekë, do të marrin 1200 lek më shumë.

Sipas ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, vetëm për 3 muajt e mbetur të vitit 2024, ky indeksim i kushton buxhetit të shtetit rreth 17 milionë euro.

“Qeveria e Shqipërisë i ka në vëmendje të veçantë dhe fokus, është një sfidë e jona për të garantuar që kemi një rritje të të ardhurave për pensionistët në mënyrë që të kemi një jetë sa më të denjë për ta”,-deklaroi Gonxhja, ndërsa theksoi se po pritet të nisë puna për rishikim të skemës së pensioneve.

Vitin e kaluar pensionet u indeksuan me 8.6% për shkak edhe të rritjes së çmimeve të shportës ushqimore.

Citizens.al realizoi më herët një anketë online, ku mblodhi opinionet e dhjetëra qytetarëve në moshë pensioni, të cilët ndanë përvojat e tyre për kostot e jetesës. Shumica e tyre u shprehën për Citizens.al se ilaçet ishin shpenzimet e tyre kryesore të muajit.

87,5% e pensionistëve që iu përgjigjën anketës së Citizens.al, u shprehën se në fund të muajit nuk ju mbeten para, ndërsa 72,1% e tyre u shprehën se i ndihmojnë fëmijët me para, për shkak të pensioneve të ulëta. Ndërkohë, 14% e tyre raportojnë se marrin borxh nga të afërmit ose blejnë veresie produktet që duan të konsumojnë.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, OBSH, rreth 60% e shërbimeve shëndetësore në Shqipëri përballohen nga xhepi i qytetarëve. Kjo kosto që përllogaritet në 27 mijë lekë në vit, rëndon në mënyrë të veçantë pensionistët, për shkak të pensioneve të tyre të vogla.

Sipas Bankës Botërore, kufiri i varfërisë në vendin tonë është 6.7 dollarë në ditë për person, që do të thotë se një pjesë e konsiderueshme e pensionistëve e prekin këtë prag.

Gjatë viteve të fundit, kostoja e produkteve është rritur edhe për shkak të inflacionit të lartë të shportës së ushqimeve. Në qershor të vitit 2022, inflacioni kapi vlerën 7.4%, në nivelin më të lartë në Shqipëri që nga vitit 1998.

Lexo më shumë: Shëndetësia falas? Barra e barnave zhyt në mjerim pensionistët shqiptarë

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *