Citizens.al

Zgjidhja provizore për aksesin në autostradë shihet me dyshim nga banorët e Thumanës

Pas disa muajsh protesta, 85 mijë banorët e prekur nga izolimi pas ndërtimit të rrugës Thumanë – Kashar, u njohën me një zgjidhje të përkohshme, që i jep akses në autostradën e re.

“Në mënyrë provizore ata do ta aksesojnë mbikalimin ekzistues të Gramzës, me një rampë të dedikuar që do të ndërtohet për ta në javët në vazhdim” – u shpreh zv/kryeministrja Balluku gjatë interpelancës në parlament më 12 shtator.

Interpelanca u kërkua për shkak të protestave të banorëve të Krujës dhe Fushë Krujës, që kanë bllokuar disa herë rrugën që prej hapjes në korrik të këtij viti.

Gjatë fjalës së saj zv/kryeministrja Balluku premtoj se si zgjidhje afatgjatë do te jetë një nyje të dedikuar në hyrje të Thumanës, e cila është pjesë e projektit Thumanë – Milot, për të cilin është  ende në pritje të firmosjes së kontratës.

“Me banorët kemi rënë dakord edhe me diçka tjetër, që në rast se ata do ta shikojnë të arsyeshme, mund të konsiderojmë që edhe mbikalimin e Gramzës ta kthejmë në një nyje permanente” – tha Balluku.

Vetë banorët shprehen të pasigurt për këtë alternative të ofruar. “Hyrja përfundimtare do bëhet tek ‘Europa Park’, për leverdi të ‘Titan’-it, fabrikës së çimentos”, tha Andi Gjoka, banor i zonës.  

“Kjo është zgjidhje mashtrimi! Na është thënë, nëse arrini ju në negociata me dy shtëpiat që janë tek rruga, ne mund t’jua bëjmë rotondën. Këta kanë shembur shtëpia, biznese, nuk kanë mundësi të bien në ujdi me dy shtëpia që të bëhet rrethrrotullimi?”- thotë Gjoka për Citizens.

Artur Lame, një tjetër banor i Thumanës shton se cilësia e punimeve që po ndërmerren tani për zgjidhjen e problemit tregon shumë për alternativën e ofruar.

”Nuk mendohet se do mbahet ky opsion, është vetëm momentale, duket nga punimet që po zhvillohen, që janë pa parametra. Duhet me ja lënë kohës, duhet me pa punën! Shpresoj që po e mbajnë premtimin për zgjidhje të përhershme!”- thekson Lame.

“Zgjidhja e një problemi të krijuar vetë”

Sipas raportit teknik të ndërtimit të rrugës “Thumanë – Vorë – Kashar” nyjet e propozuara do të ishin katër në Thumanë,  në Fushë – Krujë, në aeroportin e Rinasit dhe një për Tiranë –  Durrës.

Në dokumentat e marrëveshjes koncensionare të publikara në vitin 2018, Raporti Teknik përmban një dalje në zonën e Thumanës e cila nuk është realizuar.

Foto: Ndërkalimi dhe lidhja me rrugën e Thumanës
Foto: Ndërkalimi dhe lidhja me rrugën e Thumanës
Foto: Gjendja aktuale e rrugës

Por sipas zëvendës kryeministres, nuk ka pasur asnjë ndryshim të projektit të rrugës Thumanë-Kashar, pasi nyjet e parashikuara në projekt janë ndërtuar.

“Dy nyjet janë të ndërtuara dhe nuk ka asnjë ndryshim nga projekti fillestar dhe bëhet fjalë për hyrjen e Rinasit dhe të Kasharit. Ajo nyje që do të zgjidhë përfundimisht problemin e Thumanës është nyja e Thumanës që ndodhet si pjesë e projektit që do të vazhdojë”- ka përfunduar  Balluku.

Ky dokument tregon se projekti është ndryshuar nga ai fillestari për llogari të marrëveshjes së firmosur mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kompanisë “Gener 2 sh.p.k,

Projekti ka kushtuar rreth 267 milionë euro, ndërsa financimi i aksit është bërë nga koncensionari, që planifikon të mbledhë të paktën 1.3 miliardë euro të ardhura bazë për 35 vite.

Në lidhje me protestat banorët momentalisht i kanë pezulluar dhe i konfirmuan Citizens se do të presin si do të shkojnë punimet provizore për të dalë më pas me një qëndrim.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *