Citizens.al

“Boll plehra ka Shqipëria”, ligji për importin e plehrave pritet me kundërshtime

Të mërkurën u mbyll afati për qytetarët dhe grupet e interesit për të shprehur mendimet e tyre mbi projektligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, i cili është pritur me kundërshtime.

Pak ditë më parë Aleanca kundër Importit të Plehrave AKIP mbajti një takim ku renditën edhe njëherë arsyet se pse çdo qytetar i Shqipërisë duhe të jetë kundër këtij ligji, si dhe i bënë thirrje qeverisë të tërhiqet njëherë e mirë nga ky ligj.

“Njëherë e mirë”, sepse kjo nuk është hera e parë që qeveria sjell në tavolinë importin e plehrave.  Tentativat kanë nisur që në 2004 në qeverinë e ish kryeministrit Fatos Nano.

Më pas nisma u rikthye nga qeveria e ish kryeministrit Sali Berisha në 2009 . Dy vite më vonë, përpos kundërshtimeve, Kuvendi kaloi ligjin me 76 vota pro. 

Dy muaj pas votimit, Presidenti  Bamir Topi riktheu ligjin për rishqyrtim në Kuvend, por mazhoranca e rrëzoi dekretin e presidentit me 71 vota.

Në vitin 2012, një bashkim qytetarësh dhe shoqatash të shoqërisë civile të njohur si Aleanca kundër Importit të Plehrave (AKIP) mblodhi rreth 64 mijë firma për mbajtjen e referendumit kundër importit të mbetjeve.

Firmat u dorëzuan në KQZ në mars 2012. Në mars të 2013-ës, Gjykata Kushtetuese u shpreh pro mbajtjes së referendumit pas zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit 2013.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama para se të vinte në pushtet premtoi ndalimin e importit të plehrave, si një nga vendimet e para që do të bënte kur të vinte në pushtet.

Sot në mandatin e ti të tretë, qeveria Rama sjell edhe njëherë këtë ligj, në një formë tjetër.

“Pas një dekade premtimi u tret”

Gati një dekadë më vonë, kryeministri Rama “harron” premtimin e bërë në 2013 dhe tenton të risjell importin e plehrave përmes projektligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.

Në projektligj parashikohet lejimi i importit të lëndëve djegëse alternative në favor të industrisë së prodhimit të çimentos dhe importimin e mbetjeve për industritë prodhuese dhe ricikluese.

Në ligjin e vjetër thuhej në një paragraf se “importi i mbetjeve të bëhet në rast se vërtetohet se në vend mungojnë kapacitetet”. 

Ndërsa në projektligjin e ri kjo fjali është hequr dhe në nenin 73 i hapet rrugë importit të mbetjeve, ku saktësohet se “Në territorin e Republikës së Shqipërisë lejohen të importohen, vetëm disa kategori të caktuara mbetjesh jo të rrezikshme”.

Eksperti mjedisor dhe arkivisti i AKIP, Lavdosh Ferruni tha gjatë takimit të mbajtur kundër këtij projektligji, se Shqipëria ka një krizë në menaxhimin e mbetjeve brenda vendit, dhe nuk mundet të pranojë dhe importin e plehrave.

I pranishëm në këtë takim ishte dhe një mjek Hektor Grazhdari, i cili jeton në Itali dhe ndau eksperiencën e tij, duke theksuar rrezikun që sjell në shëndetin e qytetarëve nëj vendim i tillë.

Ai tha se plastika kur digjet lëshon nxehtësi të madhe, por edhe lënde toksike dhe kancerogjene, të cilat përmes ajrit, ujit dhe ushqimeve “vinë tek ne”. Pasojat mund të mos jenë menjëhershëm por janë afatgjate dhe shumë të rrezikshme, tha Grazhdari.

AKIP ka paralajmëruar protesta në rast se qeveria nuk tërhiqet apo merr parasysh rekomandimet e tyre.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *