Citizens.al

Zall – Gjoçaj në gjykatë: “Për drejtësi nuk është kurrë vonë”

Banorët e Zall – Gjoçaj në Mat, u mblodhën sot përpara Gjykatës Administrative të Apelit me thirrjen “Për drejtësi nuk është vonë kurrë”.

Ata akuzojnë gjykatën se ka më shumë se pesë vite që nuk hap për gjykim dosjen kundër dy hidrocentraleve.

Punimet për hidrocentralet “Sekë” dhe “Zajs” në lumin Flim dhe Urakë janë shoqëruar me protesta dhe qëndresë prej banorëve të Zall Gjoçajt që prej vitit 2019.

“Kanë tharë dy lumenj në zonën tonë dhe gjithë fshatrat janë pa pikën e ujit. Kemi bërë dy herë kërkesë për përshpejtim të çështjes dhe nuk janë marrë parasysh”- tha aktivisti Dhimitër Koleci.

Sot banorët depozituan edhe një akt inspektimi të realizuar së fundmi në zonat e ndikuara nga zhvillimi i projektit për ndërtimin dhe funksionimin e HEC-eve Sekë dhe Zajs, ku tregohen të gjitha pasojat që ka sjellë ndërtimi i tyre.

Biologu Melitjan Nezaj analizon se ndikimet e drejtpërdrejta janë të dukshme në zonë, kryesisht në faunën nën ujore dhe florën, por ndikime pritet të ketë për vite e vite me radhë, nëse hidrocentralet vazhdojnë operimin për një kohë më të gjatë.

“Këto ndryshime lidhen me ndryshimin e komplet klimës lokale të zonës, e cila do të ketë pasoja patjetër edhe për ekosistemet pyjore më lart”- vijon Nezaj.

Në nëntor të 2022 Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit që i hoqi firmës private “Seka hydropower” licencën për prodhim energjie nga hidrocentrali “Zais”. Në atë kohë banorët menduan se sakrifica e tyre u shpërblye, por mesa duket ishte një entuziazëm i cili do zhbëhej me kalimin e viteve.

“Ne arritëm që gjykatat shqiptare, tre shkallë gjyqësore, fituam të drejtën tonë për HEC-in e paligjshëm që është bërë në Zall Gjoçaj dhe tani ai vendim i gjykatave nuk po gjen zbatim këtu në Shqipëri” – tha sot për Citizens.al Adem Gjokolaj.

Gjokolaj shton se në këto kushte i gjithë aktiviteti ekonomik i banorëve të zonës është paralizuar.

“Ne si fshatra atje merremi kryesisht me blegtori dhe bletari sepse s’kemi tjetër, e tani po ngordhin bagëtitë për ujë, bletët, të gjitha gjallesat” – thekson ai.

Ekspertë të tjerë mjedisorë kujtojnë se ky nuk është i vetmi rast i izoluar ku po abuzohet me sistemet natyrore.

“Kemi raste plot të tilla, kemi rastin me inceneratorët, kemi rastin me TEC-in lundrues, me TEC-in tjetër të Vlorës dhe lloj-lloj mbeturinash të rrezikshme që vijnë këtu për tu demontuar”- kujton ambinetalisti Lavdosh Ferruni.

Zall-Gjoçaj u bashkua me Lurën në vitin 2018 duke formuar Parkun Kombëtar me sipërfaqen më të madhe në Shqipëri, “Lurë-Mali i Dejës”. Në po atë vit, firmës private iu dha leja për ndërtimin e dy hidrocentraleve, ku njëri prej tyre do të ndërtohej në zemër të parkut Kombëtar.

Sipas ligjit nr. 81/2017 në zonat e shpallura “Park Kombëtar”, kategoria II nuk lejohet të ndërtohen linja të prodhimit të energjisë si hidrocentralet.

Në janar të vitit 2022, pas rishikimit të zonave të mbrojtura, territori ku është ngritur sot diga në Zall- Gjoçaj u hoq nga parku “Lurë – Mali i Dejës” dhe nuk është më pjesë e Parkut Kombëtar.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *