Një grup vajzash dhe grash të shoqërisë civile kapërcyen pirgun e dheut të vendosur në hyrje të një toke bujqësore në Yzberisht për të mbjellë disa pemë frutore.
Në ndryshim nga tokat e tjera, kjo tokë tanimë është e sekuestruar nga krimi i organizuar dhe është në pronësi të shtetit shqiptar.
Përmes projektit “Toka Jonë”, i mbështetur nga BE-ja dhe zbatuar nga COSV në Shqipëri në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) synohet që këto toka të rijetëzohen, duke promovuar bujqësinë sociale.
“Ky është një projekt që zbatohet nga organizatat italiane COSV në Shqipëri, në bashkëpunim me një konsorsium italian. Në Shqipëri kemi partnerin shqiptar ANRD-në dhe mënyra se si projekti e ka menduar rijetëzimin e këtyre tokave të konfiskuara lidhet me fuqizimin e organizatave të shoqërisë civile. Projekti parashikon që të jepen nëngrante siç janë dhënë aktualisht, në tre toka të konfiskuara, dy prej të cilave ndodhen në Yzberisht, këtu ku jemi sot dhe organizatat që punojnë në këto toka janë lëvizja Eco Volis dhe organizata Xhosling në bashkëpunim me organizatën Diakonia Agapes”,- u shpreh Edisona Xhani, menaxhere e projektit “Toka Jonë” pranë COSV Albania.
Sipas saj, projekti ka një natyrë delikate, për vetë lidhjen ndër vite që kanë shqiptarët me pronën.
“Kur bëhet fjalë për prona, toka bujqësore që janë të konfiskuara nga krimi i organizuar dhe kalojnë në pronësi të shtetit, rezistenca është akoma edhe më e madhe për ta pranuar si gjë. E para sepse kemi një lloj mosnjohje të ligjit dhe e dyta sepse kulturalisht përkatësia që shqiptarët kanë në lidhje me pronën është shumë e lartë. Kështu që të hequrit dorë nga diçka pavarësisht se ligjërisht nuk të takon më është shumë e vështirë për tu perceptuar dhe për tu pranuar”,- shprehet Edisona.
Agjensia Shtetërore për Administrimin e Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara (APSK), e cila është në varësi të ministrisë së Brendshme ka vendosur në dispozicion të organizatave tre toka bujqësore të sekuestruara nga krimi, dy në Yzberisht dhe një në Shijak, me qëllim që të rikthehen për të mirën publike. Projekti “Toka Jonë” i financuar nga Bashkimi Evropian synon që të pilotohet në Shqipëri për herë të parë modeli italian i kooperativave sociale, duke pasur parasysh edhe historinë e gjatë që Italia ka me pronat e konfiskuara nga mafia që janë kthyer në ripërdorim social.
Sipas përfaqësuesve të organizatave zbatuese të projektit në fokus është edhe fuqizimi i grave.
“Ka në fokus edhe zhvillimin ekonomik të komunitetit dhe kryesisht të grave. Do të kemi ngritje kapacitetesh mbi njohuritë e tyre bujqësore, se si ato mundet që të punojnë në ato parcelat e vogla nëpër shtëpitë e tyre, por edhe në kultivimin e bletëve”, -u shpreh Vitjona Begeja, koordinatore pranë Diakonia Agapes, një fondacion i Kishës Ortodokse në Shqipëri.
Ndërsa, vlerë e shtuar janë edhe përfshirja e të rinjve dhe parandalimi i emigracionit.
“Sepse në këtë formë ne bëjmë një ndërhyrje pak më të thellë sociale sepse parandalojmë disa risqe apo disa forma siç është emigrimi jashtë i të rinjve, apo edhe dëshira e mungesës së investimit të tyre brenda komunitetit ku ato janë. Pra ne kemi mundësi që ti japim një opsion tjetër, pozitiv, që mund të jetë një model, që mund të replikohet edhe nga të rinj të tjerë në komunitet”,-përfundoi Vitjona Begeja.
Sipas përfaqësuesve të organizatave që zbatojnë projektin, ajo çka synohet në tërësi është edhe ndërgjegjësimi për të krijuar një kulture komunitare që promovon zhvillimin social dhe ekonomik duke pasur qasje të drejtë dhe ligjore.
Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim, dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara e personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).