Doriana Musaj*
Është ende herët. Të vetmit zgjuar duket se janë peshkatarët. Në distancë, varkat duket sikur rrinë në ajër duke mos cekur sipërfaqen e ujit. Qetësia e mëngjesit, ku dielli ende nuk e ka ndriçuar sipërfaqen e lagunës, prishet vetëm nga zogjtë që fluturojnë për tu ulur në një rrip toke brenda ujëmbledhësit, ku duket sikur janë grupuar për të diskutuar planin e ditës që sapo ka nisur. Nën kurorën e pyllit të Sodës, disa karavanë të ardhur nga anë të ndryshme të kontinentit, janë e vetmja gjurmë e njeriut i cili ende po fle.
Në mes të tokës bujqësore, midis lagunës, kriporeve dhe deltës së lumit Vjosa, një drejtkëndësh më shumë i gjatë se sa i gjerë, ka rikornizuar format e natyrës me makineri që lëvizin dheun dhe mbushin tokën me beton. Një projekt i kontestuar prej vitesh po vijon punimet me kryeneçësi duke injoruar çdo pasojë që mund të sjellë. Vendimi i cili ka ardhur me urdhër nga lart, premton ndërtimin e aeroportit më të madhin ndërkontinental, në Ballkan, me një ofertë të pakërkuar.
Laguna e Nartës, identifikohet për biodiversitetin e saj të pasur natyror duke u zhvilluar si oaz ku shpendët migratorë që lëvizin midis veriut dhe jugut të Europës zgjedhin të shumohen, grupohen dhe më pas shpërndahen. Trafiku ajror që krijojnë shpendët migratorë, ofron spektakël unik në Ballkan, e ndërsa korsitë ajrore priten të dynden nga avionët ndëroqeanikë, ato kërcënojnë jo vetëm flamingot dhe foletë e tyre, por edhe një nga habitatet më të rëndësishme për shpendët shtegtarë të Evropës.
Konflikti midis urbanes dhe natyrores
Një ishull artificial, që për nga forma e përngjashme, të kujton parkun qendror në Nju Jork (Central Park), ndryshe nga ky i fundit, ofron struktura të ngurta dhe një pistë të betonizuar. E ndërsa Nju Jorku, sot frymon prej vizionit të Frederick Law Olmsted, 187 vjet më parë, aeroporti i Vlorës u shfaq nëpër ekranet e mediave shqiptare pa një arkitekt vizionar si Olmsted, po më shumë si një kapriçio e kryeministrit. Askush nuk di të thotë nëse sipërfaqja prej 297 hektarësh, do të mund të sjellë brenda peizazhit të mbrojtur të Pishë-Poro- Nartë, atë çfarë emeraldi 341 hektar, i kurorës së gjelbër të qytetit të Nju Jorkut, kontribuoi në zhvillimin ekonomik dhe social-kulturor të kryeqytetit të ekonomisë botërore. I pa konsultuar, i paplanifikuar dhe në kundërshtim me rregullat e ligjet e shtetit shqiptar, parcela drejtkëndore e koracuar, u shfaq si imazh në kulmin e pandemisë së COVID-19.
Marrëdhënia e habitatit natyror me atë të krijuar nga njeriu (artificial), zhvillohet midis konflikteve të vijueshme, nga ku planifikuesit urbanë, inxhinierët dhe arkitektët janë vazhdimisht në përpjekje për të gjetur ekuilibrat e nevojshëm për mbijetesën e përbashkët. Projekti i propaganduar në mediat sociale të qeveritarëve, premton trafik ajror të rënduar, ku avionë gjigandë ndër-oqeanike do të ulen për tu rimbushur me karburant dhe ku, pasagjerët do të shkëmbejnë me Pishë-Nartë-Poron maksimumi numrin e terminalit, kur të lëvizin nga perëndimi në lindje dhe anasjelltas. Pa dyshim, projekti do të sjellë të ardhura për pronarin miliarder të aeroportit, por njëkohësisht për rajonin e Vlorës dhe jo vetëm, ai ofron më shumë pasoja negative se sa pozitive. Ndotja akustike, ajo e ajrit si dhe ndryshime socio-ekonomike, të stilit të jetesës e deri tek humbja e peizazhit, janë vetëm maja e ajsbergut të pasojave që pritet të shfaqen me të nisur punë aeroporti.
Rritja e lëvizshmërisë ajrore, ka sjellë sfida të reja për vendet në zhvillim dhe pa eksperiencë në këtë sektor, e megjithatë dështimet dhe sukseset e vendeve të zhvilluara do të duhej të ishin referuar, në zhvillimin e strategjisë për të ndërtuar një aeroport ndërkontinental në Shqipëri. Aeroporti i Barcelonës, i ndërtuar në fillim të shekullit të kaluar, me zmadhimin e tij ndër vite në lagunën La Ricarda, ka ndikuar negativisht në biodiversitetin e shpendëve migratorë dhe ka sjellë ndotje nga zhurmat dhe emetimet aeroplanëve. Autoritetet nisën përpjekjet për të minimizuar dëmin përmes restaurimit të habitateve, duke krijuar laguna të reja për të zëvendësuar ato të shkatërruara dhe duke rritur mbrojtjen e rezervateve të mbetura për shpendët migratorë. Projekti gjithashtu, shkaktoi tensione midis autoriteteve dhe komunitetit përreth për shkak të shqetësimeve dhe ndikimit në shëndetin e banorëve. Shkatërrimi i habitateve natyrore ka ndikuar në turizëm dhe aktivitete të tjera ekonomike që varen nga natyra, duke sjellë humbje të mundësive për punë dhe aktivitete rekreative. Zgjerimet e mëtejshme të aeroportit, u bënë me planifikim më të mirë për të shmangur dëme të mëtejshme mjedisore, duke përdorur teknologji për të reduktuar ndotjen e ajrit dhe zhurmën si dhe duke ngritur programe monitorimi për të mbikëqyrur ndikimet në florën dhe faunën e zonës por dëmet nuk u rikuperuan plotësisht.
Një shembull suksesi në ndërtimin e një aeroporti me zhvillim më të qëndrueshëm, është Gardermoen, aeroporti i Oslos. Qasja në planifikimin e tij ishte që nga fillimi e qëndrueshme, duke përdorur energji të rinovueshme, menaxhim të ujit dhe mbrojtje të zonave natyrore, duke shmangur dëme mjedisore. Ai përfaqëson një shembull të ndërtimit të qëndrueshëm, ku janë ndjekur strategji për minimizimin e ndikimit në mjedis dhe menaxhimin e burimeve natyrore pa dëmtuar habitatet lokale. Falë masave që u morën që në konceptimin e projektit, ka pasur më pak pasoja negative për njerëzit, duke përmirësuar cilësinë e jetës dhe mbrojtur shëndetin publik dhe arriti të merrte mbështetje edhe nga komuniteti i zonës.
Çfarë Aeroporti i Vlorës shfaqet, nisur nga procedurat në kundërshtim me ligjin, tek koncesionet e dyshimta dhe propaganda e manipulimit të opinionit publik, brenda rezervatit natyror të mbrojtur të Pishë-Poro-Nartë, është një projekt anonimat, që nuk prezanton as karakter arkitektonik, aq më pak një vizion të planifikuar në mënyrë të qëndrueshme. Kontestimit nga ana Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës, organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare, ndaj projektit i cili ndërhyn dhunshëm brenda sistemit natyror të mbrojtur duke e dëmtuar në mënyrë të pariparueshme atë, qeveria shqiptare i është përgjigjur duke hequr nga mbrojtja, “copën” e peizazhit që do të gllabërojë projekti urban. “Emeraldi”, njëherazi urbanizuar, nuk do të mund të jetëzojë vlerat të cilat sot i vishen, duke rrezikuar kështu vendin kandidat jo vetëm të konventës së Bernës. Në raportin vjetor të Komisionit Evropian, parashtrohet se “aeroporti i Vlorës është planifikuar të ndërtohet në një zonë të mbrojtur, në shkelje të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare që Shqipëria ka ratifikuar për mbrojtjen e diversitetit”- Citizen.al.
Megjithëse, nisma është e shekullit të 21, qasja dhe sjellja e autoriteteve shqiptare, të përngjason me qeveritë autoritare dhe injorante ndaj çështjeve të mjedisit të fund shekulli 19-të dhe fillim 20-tës. Qeveria shurdhon diskutimet e komuniteteve, organizatave mjedisore dhe aktorëve të interesuar, duke i trajtuar rezervat natyrore të brezave të ardhshëm të shqiptarëve, si pronë e një shteti tjetër brenda shtetit shqiptar, ku ligjet, dhe rregullat përdoren si instrumenta kontrolli nga pushteti absolut, dhe ku interesat e sovranit, nuk merren parasysh. Eksperienca, na ka treguar se kur kokëfortësia e pushtetit përplaset me ligjet e natyrës, kjo e fundit, mund ta kthejë me këmbë përpjetë karrigen e pushtetarit, por deri atëherë, do të shohim nëse aeroporti i Vlorës do të mund të sfidojë Barcelonën dhe të tejkalojë dështimin e atij të Kukësit.
*Doriana Musaj, është arkitekte dhe planifikuese urbane. Ajo është lektore në universitetin Polis, dhe ka në fokus të studimeve dhe kërkimeve të saj postdoktorale, politikat urbane dhe konfliktet që gjenerojnë proceset e urbanizimit në rastin e Shqipërisë.