Citizens.al

I frymëzuar nga kampet e Libisë, filmi për krizën e refugjatëve vjen në Tiranë

Pjesë nga filmi “L’ordine delle cose”

Korado Rinaldi është një funksionar i ministrisë së Brendshme italiane, i cili përzgjidhet nga qeveria e tij për të punuar në qendrat e refugjatëve në Libi. Të trajnuar që mos të kenë asnjë kontakt me migrantët, Korado njihet me Suadën, e cili nxjerr në pah anën njerëzore të tij. Kjo marrëdhënie krijon një dilemë të fortë midis protokollit të punës që duhet të ndjekë dhe dëshirës për të ndihmuar një të panjohur, e cila identifikon dëshirat e miliona refugjatëve në botë.

Kjo është fabula e filmit “L’ordine delle cose” (Rradha e gjërave), i cili u transmetua të premten në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit në Tiranë.  Ky aktivitet u organizua nga shtëpia botuese “Berk” në bashkëpunim me Rea Nepravishta.

Regjisori Andrea Segre, përtej këtij prodhimi të 2017-ës, ka një kontribut 10 vjeçar në kinematografi, me shumë punë të tjera, të cilat fokusohen tek kriza e refugjatëve dhe shkelja e të drejtave të tyre. Përmendim këtu dokumentarët “Il sangue verde” (Gjaku jeshil), “Mare chiuso” (Det i mbyllur) etj.

Segre rrëfen për Citizens se në sajë të intervistave të shumta me anëtarë të stafit italian, që punonin në kampet në Libi, ai arriti të krijonte ngjarjen e filmit.

“Të gjithë të intervistuarit pranonin parimisht që nuk lejohej kontakti sy më sy me refugjatët, por në të njëjtën kohë pohonin se ishte diçka e pamundur. Dhe kështu lindi historia e Rinaldit” – shpjegon ai.

Në sajë të eksperiencës së mëpërparme, Serge vizitoi nga jashtë kampet në Gjadër, në Lezhë.

“Më bën përshtypje sesa i izoluar është, larg prej çdo gjëje, si i shtypur midis maleve dhe pastaj janë dhe këto rrethimet me hekur, shumë të larta, të rrethuara nga çimento, është tamam një burg. Gjëja e parë që duhet të bëjmë është të themi se nuk është një qendër, është një burg, është një vend që njerëzit do ti mbyllin brenda dhe nuk lëvizin dot më”- rrëfen Serge.

Ai thekson se dy marrëveshjet, Itali – Libi dhe Shqipëri – Itali janë dy mekanizma të ndryshme, por që në thelb kanë të njëjtën gjë të përbashkët, kufizmin e lëvizjes, si një nga të drejtat themelore të njeriut.

“Marrëveshja me Libinë është që të ndalen refugjatët përpara se të nisen dhe ti mbyllin në kampe aty. Italia i jep lekët Libisë dhe Tunizisë për ti ndaluar njerëzit përpara se të nisen, në mënyrë që mos të vinë në Itali. Marrëveshja me Shqipërinë është që ndërkohë që po vinë në Itali, i dërgoj në Shqipëri”- sqaron Serge.

Nënshkruar në shkurt 2017, Memorandumi i Mirëkuptimit për Migracionin është një marrëveshje e krijuar midis qeverive italiane dhe libiane për të mbajtur migrantët, refugjatët dhe azilkërkuesit jashtë Evropës. Më 2 nëntor 2022, marrëveshja Itali-Libi u rinovua automatikisht për pesë vite të tjera.

“Në Shqipëri opinioni publik nuk është i përgatitur për këtë temë dhe qeveria italiane shpreson që askush në Shqipëri mos të merret me këtë çështje dhe askush mos ta kuptojë se çfarë realisht po ndodh. Pikërisht për këtë, mendoj se është shumë e rëndësishme që të ketë vëmendje”- shton Serge.

Për të rritur ndërgjegjësimin në audiencën shqiptare për atë çka po ndodh me ndërtimin e kampeve në Gjadër, Serge nxiti një diskutim me audiencën pas përfundimit të filmit. Ai listoi disa arsye kryesore pse marrëveshja Rama – Meloni mund të sjell një spirale abuzimesh në të drejtat e mbi 30 mijë refugjatëve që do të strehohen në vit në këto qendra pritjeje.

“Kush vendos se kush janë migrantët që do shkojnë në Shqipëri? Në bazë të çfarë? Sepse vetëm një pjesë e vogël e atyre që do të ndalohen në Mesdhe, do të dërgohen në Shqipëri. Kush e vendos dhe si? Nuk ka një procedurë ligjore të qartë!” – tha Serge.

Ai përfundoi se vështirësia më e madhe e refugjatëve që do të deportohen në Shqipëri do të jetë periudha shumë e shkurtër që i është vendosur atyre në dispozicion. Ata kanë katër javë kohë për të kontaktuar organizata apo avokatë, që duhet të jenë italiane, duke qenë se juridiksioni është italian.

Më 6 nëntor 2023 u nënshkrua marrëveshja e plotë mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane për strehimin e emigrantëve të paligjshëm. Marrëveshja parasheh që Shqipëria të strehojë deri në 36.000 emigrantë për një vit, në dy qendra brenda shtetit, përderisa Italia të shqyrtojë kërkesat e tyre për azil.

Citizens e ka trajtuar këtë çështje në një podkast të veçantë të ciklit të podkasteve “Pezull” në një intervistë me eksperten e migrimit dhe pedagogen Eda Gemi.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *