Një grup qytetarësh në Lezhë ka nisur peticion kundër aktivitetit të një fabrike përpunimi mbetjesh shtazore, e cila sipas tyre ndot mjedisin.
Mbi një mijë persona kanë mbështetur nismën duke shfaqur shqetësim kryesisht ndaj aromës së rëndë që krijohet pranë fabrikës së kompanisë “INCA”. Disa prej tyre thanë për Citizens se aroma që krijohet është aq e rëndë sa është e pamundur të qëndrosh në shtëpi.
Kompania “INCA”, e themeluar në vitin 2005, zgjeroi aktivitetin në vitin 2021 me fabrikën në rrugën “Frang Bardhi” në lagjen Skënderbej. Zona përreth njihet si “Ushqimorja e vjetër”. Banorët aty janë ankuar disa herë.
Për këtë çështje Citizens zhvilloi intervista në gusht të 2023, por redaksia u kthye sërish këtë javë pas nismës për peticionin ku banorë të tjerë ndanë sërish të njëjtin shqetësim.
“Ne na fillojnë dhimbjet e kokës, na jep shqetësime në aparatin e frymëmarrjes dhe është bërë e padurueshme” – tha Ardiana Kola, banore afër fabrikës “INCA”.
Por kompania hedh poshtë pretendimet e banorëve.
Koordinatori i Përgjithshëm i “INCA”, Drini Zusi, tha për Citizens se kompania “bazohet 100% në ekonomi qarkulluese” ku riciklohen dhe ripërdoren çdo ditë 20 tonë mbetje dhe nënprodukte shtazore.
“Që të akuzohet kompania kryesore mbrojtëse e mjedisit në Shqipëri për dëm mjedisor është një absurditet,” – theksoi Zusi.
Drejtuesi i Agjencisë Rajonale të Mjedisit Lezhë, Bardhok Frroku tha për Citizens se kjo agjenci ka zhvilluar disa herë kontrolle për pretendimet e ngritura, por të gjitha kanë rezultuar sipas rregullave.
I pyetur specifikisht për aromën e rëndë në zonë, Frroku tha se ajo nuk mund të nxirret si e dhënë specifike ndotjeje pasi agjencia nuk disponon pajisje të tilla matëse.
“Aparatura për matjen e aromave nuk ka. Nuk ka laborator në Shqipëri që mat aromat, aroma janë perceptive”- thekson ai.
Për pretendimin e banorëve se kur ka kontrolle firma ndez filtra mbrojtës, Frroku shpjegoi se kontrolli është në bazë të ligjit për inspektimin, ku subjekti duhet të njoftohet jo më pak se tre ditë përpara.
Por ai pohoi se edhe në procese mbi pesë orë ku është monitoruar djegia, nuk ka pasur asnjë lloj shkarkimi të aromave të pakëndshme.
“Personalisht kam kontaktuar [institucionet], por nuk është se kam marrë ndonjë zgjidhje […] ne na shqetëson dhe kjo lloj fabrike nuk duhet të ishte brenda qendrave të banuara, unë s’po gjej zgjidhje askund…”- vijoi Ardiana Kola.
Sipas aktivistëve që po mbledhin firmat për peticionin, e mbiquajtur “kundër fabrikës që qelb Lezhën”, problematika nuk qëndron vetëm te aroma por edhe te ndotja e ekosistemit ujor.
“Shkarkimet bëhen të gjitha në kanal, kanali pastaj vazhdon në lumin e Drinit. Drini pastaj derdhet edhe në lagunën që është dhe zonë e mbrojtur, laguna Kuna – Vainit, pastaj nëpërmjet shkëmbimit të baticave dhe zbaticave të lagunës me detin, kështu ndotet e gjithë vija bregdetare,” – analizoi gjeografi Fatjon Vathaj.
Lidhur me këtë, ARM Lezhë pohon se shqetësimet kanë ardhur vetëm për aromat dhe jo për ujin.
“S’kemi pasur ndonjë indicie për të shkuar për të bërë kontroll të befasishëm për ujin, kemi bërë vetëm inspektim të planifikuar,” – përfundoi Frroku.
Arilda Lleshi, aktiviste tha për Citizen se firmat e mbledhura do t’i dërgohen institucioneve lokale dhe së shpejti do të organizohet një protestë në qytet.
“Lezha ka nevojë urgjente për një zonë industriale. Qyteti qelbet, sepse kemi tre fabrika që merren me përpunimin e peshkut dhe mbetjeve shtazore, të gjitha të ndërtuara në qytet, në zona të banuara,” – shkruan Arilda në platformat e saj sociale.
Kompania “INCA”, e themeluar dhe drejtuar nga Alban Zusi, u mbështet nga qeveria shqiptare dhe Bashkimi Evropian përmes skemës së financimit nga programi “IPARD II”.
“INCA” përfitoi rreth 135 milionë lekë investim për pajisje dhe makineri të fabrikës, e cila u përurua më 16 shkurt 2020 me prezencën e Bledi Çuçit, asokohe Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
“Në Lezhë ka nisur punën impianti më i madh në Ballkanin Perëndimor për trajtimin e mbetjeve me origjinë shtazore, duke zgjidhur përfundimisht një problem të hershëm në vendin tonë. Dyfish i kënaqur për këtë investim modern edhe për faktin se është mbështetur me fonde nga programi IPARD” – shkroi asokohe ish-Ministri Çuçi.
Alban Zusi, sipërmarrës i vjetër në industrinë e përpunimit të produkteve shtazore, ishte zëvendësministër i Bujqësisë në mandatin e parë të qeverisë Rama. Ai ushtroi këtë detyrë në kabinetin e Edmond Panaritit deri më 30 shtator 2015 kur u dorëhoq për “arsye personale”.
Lexo gjithashtu: “Na morët frymën!”: Lezha proteston kundër fabrikës së mbetjeve shtazore
Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.