Citizens.al

Çfarë po ndodh me motoristët e “Wolt”?

Dhjetëra motoristë e korrierë të kompanisë “Wolt” zunë rrugët kryesore të Tiranës të shtunën duke iu drejtuar zhurmshëm sheshit “Nënë Tereza”. Edhe pse në pamje të parë nuk kuptohej qartë motivi, ata po protestonin për shkak të ndryshimit të kushteve të punës.

Korrierët e shërbimit të shpërndarjes (delivery) kundërshtojnë kuotat e reja të pagesave që marrin për çdo porosi të dërguar.

“Janë ulur tarifat gjysmë për gjysmë! Nga një qind lekë që kanë qenë për kilometër ose 80 lekë, e kanë ulur te 50 lekë kilometri,” – shpjegoi për Citizens Channel motorristi Fatmir Hasmeta.

Punonjësit e shpërndarjes shpjegojnë se kjo ulje ua pamundëson mbylljen e muajit pasi shpenzimet për benzinë, siguracione apo mirëmbajtje të motorëve ata i heqin vetë.

“Kërkojmë rikthimin e tarifave siç kanë qenë përpara dy muajsh!” – theksoi Hasmeta.

Të dielën motoristët u mblodhën sërish në sheshin “Nënë Tereza” për t’u organizuar më mirë. Disa prej tyre nuk e fshehën frikën e largimit nga puna nëse do të vijojë protesta.

Të hënën ata vendosën t’i kërkojnë takim përfaqësuesve të kompanisë për kërkesat konkrete.

Citizens ndoqi nga afër protestën e radhës, ku mori zërat e disa prej korrierëve të pranishëm.

Motoristi Bislim Lakna analizoi se përpjekjet e mëhershme për organizimin e punëtoreve të shpërndarjes kanë qenë shumë të vështira dhe se kjo protestë i ka frymëzuar motoristët e kompanive të tjera për të ndërmarrë hapa për një organizim sektorial.

“Ne jemi arkivol me dy rrota, domethënë, një nga problematikat më të mëdha të sektorit është rreziku në përditshmëri. Ne kostot e punës i mbulojmë vetë, koston e transportit, koston e ushqimit, etj. Për të mos folur pastaj për vështirësi të tjera si trafiku rënduar, fluksi punë, nxitimi, presioni nga të gjitha anët, duke u shndërruar në një nga punët më të vështira në tregun e punës,” – shpjegoi Lakna.

Citizens ka mbuluar edhe më parë çështjen e vështirësive në punë të motoristëve që shpërndajnë ushqime apo porosi në Tiranë. Përveç pagesave të ulëta, ndër problemet kryesore me të cilat ata hasen në rrugë janë rastet e aksidenteve.

Lexo: Motoristët mbeten të pambrojtur përballë rreziqeve në punë

Filiali i “Wolt” në Shqipëri u hap më 27 nëntor 2023 nga kompania mëmë në Finlandë “Wolt Enterprises Oy”. Me kapital themeltar prej rreth 500 mijë eurosh filiali shqiptar administrohet nga dy shtetas finlandezë dhe një grek.

Citizens ka mësuar se “Wolt” në Shqipëri operon përmes nënkotraktorëve për sa i përket sigurimit të krahut të punës për korrierët, të cilët edhe pse realisht nuk kanë marrëdhënie direkte me kompaninë mbajnë logon e “Wolt”.

Falë pagesave të kënaqshme, “Wolt” ka tërhequr dhjetëra të rinj, kryesisht në Tiranë, të cilët e morën në konsideratë shërbimin e shpërndarjes edhe për punë të dytë me kohë të pjesshme.

Thirrjet për oferta pune nga “Wolt Albania” vijojnë të jenë të hapura në rrjetet sociale.

Citizens u mundua të marrë një koment nga kompania “Wolt” në Shqipëri. Redaksia iu drejtua përmes postës elektronike një prej administratorëve, por nuk mori përgjigje deri në momentin e botimit të këtij shkrimi.

Kontakti i telefonit fiks i deklaruar në QKB nga “Wolt Albania” rezulton i një zyre ligjore, e cila refuzoi të jepte informacione për Citizens.

Redaksia kërkoi dhe gjeti kontakt tjetër të zyrës në fjalë. Një punonjëse e kësaj zyre ligjore, e quajtur CR Partners, pranoi se “Wolt” ishte kliente e saj, por theksoi se nuk mund të jepte komente për çështjen.

*Përditësuar pas informacioneve që u morën në kontakt me burime të Citizens.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *