Një artikull denigrues online linçoi të hënën drejtuesen e një qendre të pavarur të studimit dhe advokimit të medias në Shqipëri duke ngjallur reagime nga shoqatat vendase dhe të huaja.
Drejtuesja e qendrës “Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim” (SCiDEV), Blerjana Bino, u vu në qendër të një artikulli fyes dhe denigrues për punën e saj. Artikulli anonim, hidhte pa fakte insinuata të rënda sipas së cilave Bino dhe SCiDEV përpiluan në mënyrë të njëanshme një raport për lirinë e mediave në Shqipëri.
Raporti, i përpiluar nga SCiDEV dhe Observatori i Ballkanit dhe Kaukazit Transeuropa (OBCT), ngrinte si shqetësim rritjen e sulmeve dhe padive ndaj gazetarëve.
“Ky raport përmend konkretisht sulmet nga politikanë dhe përfaqësues, si të qeverisë dhe të opozitës, ndaj medias. Ne dhe rrjeti reagojmë gjithmonë për sulmet ndaj gazetarëve dhe për ligjërimin antimedia. Kjo [e sulmit] për raportin, se perse ky raport nxiti kaq agresivitet nuk di ta them,” tha Bino për Citizens.al.
Bino tha se ky sulm ndaj saj dhe qendrës SCiDEV është një fenomen për të cilin ajo ka ngritur zërin që nga 2019.
“Në çdo raport, të paktën që nga 2019, që nxjerrim për lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve, pra sulme të koordinuara me fushata denigrimi dhe linçimi ndaj zërave të pavarur bëhet me qëllim që të na frikësojnë, intimidojnë dhe që ne të heshtim,” vijoi Bino.
Linçimi ndaj Blerjana Binos dhe punës së SCiDEV u bë paralelisht me një tjetër linçim drejtuar një tjetër organizate të pavarur që mbështet dhe advokon për një mjedis më etik të mediave në Shqipëri sikurse është “Këshilli Shqiptar i Medias” (KSHM), i cili drejtohet nga Koloreto Cukali.
Në rastin e KSHM-së artikujt linçues etiketuan drejtuesin Cukali, bashkëpunëtorët dhe mbështetësit e punës së tij për faktin se Këshilli po udhëheq një fushatë adresimi të problemit të artikujve në shkelje etike.
Çështja ka të bëjë me një artikull të botuar gjatë muajit shtator në gazetën SOT, të ankimuar në KSHM për mungesë etike nga pala e përmendur në shkrim. Por përballë ndërmjetësimit për rishikim ose heqje të artikullit, gazeta në fjalë zgjodhi një qëndrim armiqësor ndaj Këshillit.
Ky qëndrim i gazetës vijoi paralelisht me një shkrim tjetër denigrues nga i njëjti portal që linçoi të hënën edhe drejtuesen e SCiDEV, Blerjana Binon.
KSHM i cilësoi këto artikuj “të mbushura me shpifje” dhe “sulme të drejtpërdrejta kundër procesit vetërregullues”.
Artikujt denigrues janë botuar në “Prapaskena.com”, një portal pa autorë, që prezantohet si “nismë gazetarësh të pavarur” që thonë “të vërteta për interes publik”.
Kjo nuk është hera e parë që aktivistët në fushën e medias apo gazetarët kritikë ndaj pushtetit përballen me sulme të koordinuara shpifjesh.
Rasti i fundit, nga i njëjti protal, ishte ndaj gazetares Ola Xama. Bino dhe qendra “SCiDEV” e përkrahën Xamën duke mobilizuar mekanizmat rajonal dhe evropianë për reagim solidariteti.
Reagime të zëshme nga organizata dhe njerëz të angazhuar në mbrojtjen e gazetarëve dënuan hapur sulmet ndaj Binos të hënën.
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve Ricardo Gutiérrez dënoi linçimet duke shprehur mbështetje.
“Mbështetja jonë e plotë shkon për kolegen e shkëlqyer Blerjana Bino (SCiDEV), e cila prej vitesh dokumenton me shumë përmbajtje dhe objektivitet shkeljet e Lirisë së Shtypit në Ballkan. Sulmet e neveritshme ndaj saj nga propagandistët shqiptarë, të cilët e kalojnë kohën duke dezinformuar, tregojnë rëndësinë e punës së saj,” – tha Gutiérrez.
Asosacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) theksoi se “sulmet janë të motivuara ekskluzivisht nga puna e palodhur e organizatave në fjalë të cilat dokumentojnë, raportojnë dhe reagojnë për sulmet ndaj mediave dhe gazetarëve”.
Drejtuesja e Asoacionit të Gazetarëve të Kosovës, Getoarba Mulliqi po ashtu ka dënuar sulmet ndaj Binos.
“Mua s’rreshtin së më befasuari disa ‘media’ në Shqipëri, se si pa pikë hezitimi i sulmojnë koleget e tyre, madje janë ndër më të zëshmit në fushatat denigruese në drejtim të mediave të tjera e kolegëve,” tha Mulliqi përmes një postimi.
Flutura Kusar nga European Centre for Press and Media Freedom, një zë aktiv në mbrojtjen e gazetarëve në Kosovë dhe Shqipëri ka reaguar po ashtu.
“Sulmet ndaj saj janë të pabaza dhe synojnë ta dekurajojnë nga puna fantastike që është duke bërë në Shqipëri”, tha Kusari përmes një reagimi në Facebook.
Sulmet ndaj gazetarëve janë në rritje vit pas viti, sipas raportit të SCiDEV gjatë vitit të shkuar, deri në muajin korrik 2024, janë raportuar 43 padi ndaj gazetarëve apo punonjësve të mediave, ku 38 prej tyre ishin regjistruar në Gjykatën e Tiranës.
Paralelisht gjatë kësaj periudhe kishte 28 çështje në Apel dhe dy të tjera në Gjykatën e Lartë.
Në vitin 2023, Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt dokumentoi 24 raste të sulmeve kundër gazetarëve dhe profesionistëve të medias, 9 prej të cilave ishin sulme të drejtpërdrejta ndaj disa gazetarëve apo grupeve të profesionistëve të mediave.
Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.