Citizens.al

Kampet në Gjadër: Marrëveshja që ndau opinionin publik

Pamje nga kampet në ndërtim, në Gjadër, Lezhë/ Shtator 2024

“Jemi spektatorë, vetëm shohim! Po s’na kanë lajmëruar moj burrneshë, se populli e merr vesh i fundit,” – rrëfen një nga banorët e fshatit Gjadër mbi marrëveshjen midis Italisë dhe Shqipërisë për refugjatët.

Më 6 nëntor 2023, qeveritë e dy vendeve nënshkruan marrëveshje për të ndaluar valën e refugjatëve. Marrëveshja e pa-konsultuar më parë u bë e njohur për publikun nga mediat.

Ajo parashikon vendosjen e përkohshme në Shqipëri të rreth 36 mijë refugjatëve në vit, të cilët do të ndalohen nga rojet bregdetare italiane në detin Mesdhe gjatë përpjekjeve të tyre për të emigruar drejt vendeve të BE-së.

Më 29 janar 2024, me një vendim të diskutueshëm me 5 vota “pro” dhe 4 “kundër”, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e konsideroi marrëveshjen të ligjshme. Kjo i hapi rrugë zbatimit të paktit me Shqipërinë dhe investimit nga pala italiane.

Fillimisht, më 5 qershor, gjatë vizitës së Kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, e cila përuroi qendrën e pritjes në Shëngjin, u tha se kampi do të hapet më 1 gusht, ndërsa tanimë hapja është shtyrë për gjatë muajit tetor. Nga vizita Citizens në terren duket se punimet janë ende larg përfundimit.

Elton Laska

“Nuk është e vërtetë që ne po përkrahim emigrantët, në këtë kuptim, ne po i de – motivojmë që t’i drejtohen shteteve anëtare të BE-së”- shpjegon avokati Elton Laska.

Sipas tij, procedurialisht do të duhej që qeveria atë plan që kishte për marrëveshjen me palën italiane, t’ia dërgonte për miratim Presidentit në mënyrë që ai të konfirmonte  për formën e ekstra-territorialitetit, që do të ishte për të dhënë një pjesë të territorit në shfrytëzim një shteti tjetër.

“Këta emigrantë nuk kanë ardhur për të qëndruar në Shqipëri, këta kanë ardhur për të qëndruar në një nga vendet e Bashkimit Evropian. Merren dhe dërgohen në një shtet tjetër, i cili nuk është i BE-së dhe nuk ka asnjë lidhje me ligjet e ekstradimit dhe të drejtat e emigrantëve”- analizon Laska.

Një refugjati do t’i jepet vetëm 4 javë kohë për shqyrtimin e kërkesës për azil, kohë e konsideruar e pamjaftueshme duke pasur në konsideratë të dhënat se Italia shqyrton kërkesat për azil në afate të gjata, 6 muaj deri në 1 vit.

Reagimi i organizatave dhe aktivistëve lokalë

Menjëherë pasi marrëveshja u bë publike, në rrjet shumë qytetarë nisën të shpërndanin meme ku ironizohej më shumë me faktin që në kampe do të priteshin vetëm djem dhe burra dhe “risku për të miksuar ngjyrat e popullsisë vendase”.

Besmira Lekaj

“Pse nuk merret në konsideratë aspak informimi paraprak dhe parapërgatitja e komunitetit? Në Shqipëri ne kemi krijuar një lloj mendësie, që çfarëdolloj vendimi që merr qeveria duhet ët pritet krahëhapur dhe pa asnjë lloj rezistence”- analizon drejtuesja Besmira Lekaj e qendrës rinore “HANA” në Lezhë.

Kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, reagoi duke bërë humor me një “konkurs për memen më të bukur për emigrantët”.

“Fituesit do t’i garantohen shtatë ditë pushime në një prej resorteve më të mira të Shëngjinit, me pronar të bardhë. Të shohim kush e shfryn fantazinë më shumë” – u shpreh Ndreu.

Lekaj e cilëson këtë si qasje të gabuar dhe mungesë totale konsiderate.

“Për mua ka qenë revoltuese, mënyra sesi u zgjodh të trajtohej nga përfaqësuesit tanë politikë në Lezhë. Ishte thellësisht mungesë respekti, ishte ofenduese, që nëse do ta dyjëzosh më shumë diskutimin rreth gjësë bëj pikërisht këtë dhe pikërisht këtë gjë bënë”- përfundon ajo.

Gjatë vizitës së datës 5 qershor të Giorgia Melonit në Shëngjin, dy aktivistë Arlinda Lleshi dhe Edison Lika përfunduan në polici për shkak se ndërkohë që zhvillohej takimi pritës lëshuan një parullë ku 5 nëntori i vitit 2023, dita e nënshkrimit të protokollit Rama-Meloni, krahasohej me 7 prillin e 1939, kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë.

“Italia po e trajtonte Shqipërinë si një koloni të sajën, duke i marrë tokën dhe duke vendosur juridiksionin e saj mbi këto toka. Ndërkohë që në 1939 ne ishim të pafuqishëm për të bërë diçka, kësaj radhe nuk kishim pse të vepronim në këtë mënyrë”- thekson Lleshi.

Reagimet e organizatave ndërkombëtare

Reagimet ndërkombëtare mbi protokollin janë kontradiktore. Komisionerja e Lartë për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Dunja Mijatovic, e ka cilësuar si “trend ndikues të rrezikshëm për azilkërkuesit jashtë kornizës evropiane”, ndërsa Komisioneria për Migrimin në BE, Ylva Johansson, është shprehur se “kjo marrëveshje nuk shkel ligjin e BE-së”.

Ndërkohë pritet që Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët të ndërmarrë një rol monitorues në 3 muajt e parë, ku do të përpiqet të përmirësojë mbrojtjen e refugjatëve duke identifikuar dhe raportuar tek autoritetet kompetente çdo mospërputhje me të drejtat ndërkombëtare të njeriut dhe ligjin e refugjatëve.

Më 18 janar, 31 organizata lokale dhe ndërkombëtare hartuan një opinion miqësor për gjykimin e kësaj marrëveshje si antikushtetuese, ndërsa Amnesty International (AI) theksoi se kjo marrëveshje i tejkalonte kufijtë ligjorë.

Citizens ka publikuar edhe një podkast mbi marrëveshjen e refugjatëve, me eksperten e migrimit Eda Gemi.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW