Citizens.al

Gazetarët shqiptarë “raportuan nga larg” vizitën e Erdoganit në Presidencë

Foto/Isa Myzyraj. Raportimi i gazetarëve shqiptarë gjatë takimit Begaj-Erdogan.

Sot gazetarët denoncuan në rrjet se nuk mundën të raportonin nga brenda Presidencës takimin e Presidentit Bajram Begaj me homologun turk Recep Tayyip Erdogan, ndryshe nga reporterët e mediave të huaja.

“Gazetarët shqiptarë raportuan së largu duke respektuar masa sigurie për vizitën e presidentit turk, ndryshe nga kolegët e huaj, të cilët jo vetëm kryen detyrën nga ambientet e brendshme të Presidencës, por ishin të shoqëruar edhe nga kamerat e tyre gjatë gjithë kohës,” – tha për Citizens gazetarja Fjona Xhafaj.

Zyra për shtyp e Presidencës, e cila komunikon përgjithësisht me gazetarët përmes një grupi Whatsapp, njoftoi për takimin e orës 11:30 të Presidentit Begaj dhe homologut të tij Erdogan vetëm në orën 10:22.

Në një tekst, të përcjellë nga Arta Sakja, Këshilltare e Presidentit për Çështjet Politike dhe Sociale, gazetarët u njoftuan se dy presidentët do të kishin një takim “kokë më kokë” dhe më pas do të vijonte “takimi dypalësh me delegacionet përkatëse”.

“Sapo të nisë ceremonia do t’ju kalojmë linkun përkatës. Gjithashtu do t’ju përcjellim shumë shpejt, planet, fotot dhe njoftimin për shtyp me konkluzionet,” – shtoi në mesazhin e saj Znj. Sakja.

Linku i ceremonisë, – transmetim me regji qendrore i hedhur fillimisht në faqen zyrtare të Facebook-ut të Presidentit, – u përcoll në grupin në fjalë në 11:33, ndërsa fotografitë dhe materiali i përgjithshëm zyrtar nga takimi u përcollën në orën 15:00.

Në këtë kohë lajmi për takimin mes dy presidentëve ishte konsumuar tashmë dhe raportuar gjerësisht edhe nga mediat e huaja.

Citizens ju drejtua për një koment këshilltares Sakja, e cila theksoi përmes telefonit se në mjediset e Presidencës hynë vetëm “fotoreporterë dhe gazetarë të sjellë nga pala turke”.

“Kanë hyrë vetëm gazetarët e sjellë nga pala turke dhe gazetarët e televizionit shtetëror shqipatar, që ne i përdorim për regji qëndrore. Janë operatorë të tyre dhe fotografë shqiptarë dhe të huaj që kanë hyrë, vetëm fotoreporterë shqiptarë dhe të huaj,” – u shpreh Sakja*.

Por gazetarët shqiptarë thanë për Citizens se ata nuk kishin marrë as një njoftim paraprak për axhendën apo orarin e pritjes së Presidentit Erdogan nga Begaj.

“Ne kishim një axhendë kryesisht nga mediat turke. Presidenca na njoftoi në mëngjes, gjithsesi ne e dinim me burime që [Begaj dhe Erdogan] do të takoheshin” – shpjegoi gazetarja Esiona Konomi.

Gazetari Andon Kello tregon se situata u paraqit ndryshe gjatë vizitës në Kryeministri, ku gazetarët u lejuan në brendësi të institucionit.

“Mediave shqiptare dhe ato nga Kosova i është lëne një perimetër i pamjaftueshëm për të raportuar, krejt e kundërta ka ndodhur tek Kryeministria, ku ne ishim të lirë të zgjidhnim mes dy perimetrave ku do të raportonim, njëjtë si mediat turke”- thotë Kello.

Gazetarët e cilësuan ngjarjen e sotme shqetësuese kundrejt parimeve të transparencës, të drejtës së informimit dhe aksesit të barabartë si dhe cënon lirinë e medias.

“Lënia jashtë e grupeve shqiptare të mediave është diskriminim, përçmim dhe mospërfillje ndaj mediave vendase. Institucionet përkujdesen të dalin bukur vetëm në mediat e huaja dhe kjo është e papranueshme”- përmbyll për Citizens gazetari Isa Myzyraj.

*Lajmi u përditësua pas komunikimit telefonik me Këshilltaren e Presidentit për Çështjet Politike dhe Sociale, Arta Sakja.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW