Nëntë muaj pasi Gjykata Kushtetuese konsideroi kufizues ligjin për studentët e mjekësisë duke hedhur poshtë disa nga pikat e tij, Kuvendi miratoi ndryshimet me votat e shumicës socialiste.
Ligji i ri, i cili hyn në fuqi për vitin akademik 2025-2026, i detyron studentët të punojnë 3 vite në Shqipëri, në të kundërtën, të paguajnë tarifën e plotë të studimit.
Në fillim ligji parashikonte 5 vite punë të detyruar, por me ndryshimet e miratuara më 19 shtator 2024, u ul në 3 për studentët e sapodiplomuar, 2 për ata që janë aktualisht në vit të dytë e deri në vit të katërt dhe 1 vit për studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë.
Tashmë studentët vihen përballë dy zgjedhjesh, të nënshkruajnë kontratë me shtetin, ose të refuzojnë dhe të paguajnë tarifën e plotë për vitet e studimit. Por ata që nënshkruajnë, duhet të kenë parasysh se do të mund ta tërheqin diplomën vetëm pas përmbushjes së kontratës së punës.
Ligji i ri pasqyroi ndryshimet për punësimin. Brenda tre muajsh pas licencimit, Ministria e Shëndetësisë detyrohet t’i punësojë mjekët sipas notës mesatare, duke i përjashtuar nga konkurrimi.
Ministria shpall vendet sipas nevojave dhe përzgjedhja bëhet nga mjekët e licencuar sipas renditjes me notë mesatare. Prioritet merr sistemi shëndetësor publik, por në rastet kur mjekut të ri nuk i ofrohet mundësi punësimi, ai mund të punësohet vetë në sistemin privat duke vënë në dijeni Ministrinë.
Sipas ligjit të ri, nëse mjekët e rinj nuk punësohen për 9 muaj atëherë ata kanë të drejtën e pagës 80% gjatë kësaj periudhe 9 mujore.
Kundërshtimet
Pavarësisht ndryshimeve në ligjin e ri, sërish studentët e mjekësisë, të cilët protestuan disa herë, e kundërshtojnë atë.
Për Dea Gurin, e sapodiplomuar në mjekësi, ky “është një ligj nul”.
“Duke marrë parasysh që direkt mbas diplomimit, studenti ka një praktikë 3 mujore të vetë universitetit, pastaj ka prezantim diplome, më vonë ka një periudhë prej 90 ditësh që bën stazhin, pas asaj pret për të hyrë në provimin e licencës dhe më vonë i duhet të presë për të konkurruar për specializim… edhe sikur të jemi në kushtet e ligjit, ky një vit pritjeje do të jetë bosh, një vit pa punë, një vit vullnetar. Dhe më vonë do të futen në këto kontratat e punës së detyruar,” – shpjegoi Guri.
Rei Haluli, student i vitit të katërt në mjekësi tregoi për Citizens.al se kërkesat e studentëve nuk janë marrë parasysh.
“Ne kemi propozuar që mjekësia të cilësohet degë prioritare, ku secili student me kriter mesatareje të përfitonte bursë sa paga minimale. Atëherë secili student do të duhej që në këmbim të bursës dhe firmosjes së kontratës të ishte i detyruar të ofronte shërbim shëndetësor për një numër vitesh të caktuara,” – tha Haluli.
Mirëpo, degë pritoritare janë vetëm ato që “nuk preferohen nga studentët”, ka qenë përgjigja e dhënë për studentët në komisionet parlamentare.
Trevor Xhixha, student i vitit të gjashtë për mjekësi, tha se kanë qenë kundër ligjit që prej fillimit.
“Ne ishim kundër ligjit në themelin e tij. Nuk është se e kundërshtonim ligjin për çështje teknikalitetesh” – tregoi Xhixha.
Sipas tij, trajtimi me 80% të pagës së mjekut të përgjithshëm gjatë periudhës së pritjes për të hyrë në punë është i pamjaftueshëm.
“Fillimisht nuk parashikohej asnjë pagesë gjatë kësaj periudhe që mund të zgjaste deri në 9-muaj. Dhe më pas pasi u konstatua boshllëku sa i përket vendimit të Gjykatës Kushtetuese, u vendos që do të trajtohen me 80% të pagës së mjekut t përgjithshëm gjatë periudhës së pritjes,” – vijoi Xhixha.
Njëjtë mendon edhe Dea Guri.
“Është një pagë qesharake sepse mjeku i përgjithshëm merr diçka te 700-800 mijë lek të vjetra dhe i bie të marrë 80% e kësaj,” – theksoi Guri, ndërsa shtoi se “me kaq para [560-640 mijë lekë] nuk mund të paguash as shpenzimet mujore të jetesës”.
Propozimet e studentëve
Para se ligji të kalonte në Kuvend, studentët iu drejtuan institucioneve me propozime konkrete. Por ato nuk u morën parasysh.
Përpos vendosjes së degës së mjekësisë si prioritet, me qëllim uljen e largimit të mjekëve, ata kërkuan edhe ndryshime në sistemin shëndetësor.
“Gjatë periudhës së stazhit të paguhet 50% e pagës së mjekut të përgjithshëm,” ishte një nga kërkesat.
Sipas Dea Gurit, këto janë kosto që i heq familja e secilit student të mjekësisë.
“Se ne bëjmë stazhe vullnetare. I bie tre muaj Urdhri i Mjekut, tre muaj praktika spitalore, gjashtë muaj stazh, asnjë lek! Muajt e pritjes, gati një vit pa asnjë lek. Pra çdo shpenzim e heq familja,” – vijoi Guri.
“Kuotat e pambuluara të specializimeve afatgjata në Mjekësi të paguhen me 80% të pagës së Mjekut Specialist,” ishte një tjetër kërkesë e studentëve.
Sipas Trevor Xhixhës, mospagesa e specializimeve është një barrë e rëndë për ta.
“Çfarë na bën të largohemi sapo të mbarojmë studimet janë edhe specializimet që në masën 60% janë pa pagesë. Është një barrë shumë e madhe sepse ne mbarojmë studimet 6 vjeçare, në moshën 24-25 vjeç dhe pastaj na duhet të punojmë 3 ose 4 vite të tjera në spital, pa u paguar. Në një moshë që është shumë i rëndësishëm kapitali,” – argumentoi Xhixha.
Për Rei Halulin, puna pa pagesë është përkufizim i skllavërisë.
“Mjekët specializantë punojnë për katër vite pa pagesë, që kjo është përkufizim i skllavërisë. As këto nuk u morën parasysh dhe ligji u miratua vetëm me një ndryshim nga ligji i parë. Është identik ligji i parë, për të cilin neve protestuam. I vetmi ndryshim është zbritja e numrit të viteve,” – shpjegoi Haluli.
“Pagesa e rojeve gjatë specializimit të dyfishohet, të paguhet mjeku primar dhe sekondar sipas listës së rojeve,” ishtë kërkesa tjetër e studentëve.
“Bëjnë roje, por nuk paguhen asnjë lek, vetëm çfarë iu jep mjeku primar,” – theksoi Guri te kjo kërkesë.
Një tjetër kërkesë e studentëve ishte edhe krijimi i një buxheti të dedikuar për trajnimin e specializantëve jashtë vendit për përvetësimin e teknikave të avancuara sipas fushës.
Përpos Gjykatës Kushtetuese, studentët e kanë dërguar ligjin edhe në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
“Por, kjo çështje në momentin që ne nuk gjejmë drejtësi me shtetin tonë, me gjykatat tona, ka gjykata te tjera, të cilat janë të pavarura dhe shpresojmë dhe besojmë se do të bëjnë drejtësi për ne. Ne duam të ftohemi që të qëndrojmë këtu dhe jo të detyrohemi. Asnjë i ri nuk dëshiron të largohet nga vendi në një moshë disi të pjekur, 24-25 vjeçare dhe t’ia nisi një jetë nga e para kur kushtet janë ato që e detyrojnë të largohet,” – përmbylli Haluli për Citizens.al
Kronologjia, si u miratua ligji për studentët e mjekësisë
- Qershor 2023: Ish-Ministrja e Arsimit Evis Kushi prezanton idenë se studentët e mjekësisë duhet të punonojnë 3 vite në Shqipëri për të tërhequr diplomën. Studentët kundërshtojnë me protesta.
- Korrik 2023: Kryeministri Edi Rama rikoncepton idenë e “qëndrimit të detyruar me 5 vite punë”. Studentët përgjigjen me protesta.
- 20 korrik 2023: Shumica socialiste miraton ligjin në Kuvend. Studentët paralajmërojnë bojkot të vitit akademik.
- Tetor 2023: Viti akademik nis me bojkot nga studentët e mjekësisë, teksa ligji dërgohet për pezullim në Gjykatën Kushtetuese. Universiteti i Mjekësisë pranon të mos paraqesë kontrata ndaj studentëve deri në një vendim nga gjykata.
- Nëntor 2023: Gjykata pezullon ligjin duke kërkuar nga Kuvendi të miratojë ndryshimet e nevojshme.
- 19 shtator 2024: Kuvendi miraton ndryshimet duke ulur nga 5 në 3 vite punësimin e detyruar.
- Çështja është dërguar edhe në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).