Citizens.al

Banorët i qenë drejtuar gjykatës, Bashkia anulon shembjen e pallatit në Kombinat

Bashkia Tiranë anuloi vendimin e shembjes së një pallati në Kombinat pesë vite pasi e kishte cilësuar të dëmtuar rëndë nga tërmeti pavarësisht kontestimeve të banorëve.

Me një vendim të muajit shtator, Bashkia shfuqizoi vendimin e marrë vetëm dy ditë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, që i hapte rrugë “prishjes së detyruar” të pallatit “Nr.12-13” në rrugën Bernardin Palaj pranë Shkollës Teknike Elektrike “Gjergj Canco” në Njësinë Administrative Nr. 6.

Lajmi u bë me dije sot nga Qendra “Res Publica” e cila kishte marrë përsipër përfaqësimin e banorëve në një proces gjyqësor të ngritur për kundërshtimin e vendimit të vitit 2019.

“Banorët të përfaqësuar nga avokatët e Res Publica iu drejtuan gjykatës, ku pas insistimit të tyre, e duke vënë në dukje parregullsitë dhe paligjshmërinë e vendimit, Bashkia [Tiranë] vendosi të anulojë vendimin për prishjen e pallatit,” – thuhet në komunikimin e “Res Publica”.

Qendra tha se institucionet kanë qenë kontradiktore në vlerësimin e dëmtimeve të këtij pallati, ndërsa i bën thirrje Bashkisë të ndjekë të njëjtën rrugë edhe për rastet e tjera të ngjashme.

“Instituti i Ndërtimit rekomandonte përforcimin dhe Bashkia vendosi për prishjen e ndërtesës,” – theksoi “Res Publica”.

Banorët e Njësisë Administrative Nr.6, që njihet rëndomtë si Kombinati, ishte një nga zonat që u prek më shumë nga lëkundjet e forta të tërmetit të “26 Nëntorit 2019”.

Procesi i vlerësimit të dëmeve atje u shoqërua me kontestime, pasi disa ndërtesa u klasifikuan të dëmtuara rëndë edhe pse banorët këmbëngulnin se dëmet ishin të riparueshme.

Rasti i pallatit te rruga “Bernardin Palaj” nuk është rasti i parë ku banorët fitojnë përballë Bashkisë Tiranë.

Në korrik të këtij viti, rastet e fitoreve të banorëve në gjykatë shkoi në 11, raste këto të ndjekura nga avokatët e qendrës “Res Publica”.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW