Në një tryezë që bëri bashkë organizata, institucione, studentë e gazetarë u prezantuan gjetjet e monitorimit të strategjisë së arsimit në vend nga Qëndresa Qytetare.
Monitorimi bazohej në Strategjinë Kombëtare të Arsimit 2021-2026 dhe nxori në pah një sërë problematikash që kanë nevojë për t’u adresuar nga institucionet arsimore.
Sipas Migen Qiraxhit, përfaqësues i “Qëndresës Qytetare” problematikat janë të thella.
“Sistemi arsimor parauniversitar është braktisur në dy vitet e fundit nga 2830 nxënës. Jo vetëm vuajtjen e nxënësve më pak, por sistemi parauniversitar vuan edhe prezencën e mësuesve. Ky sistem shpeshherë mbijeton me klasa kolektive në zonat rurale, vuan mungesën e shkollave në disa lagje në kryeqytet, por edhe sa i takon përmbajtjes. Testi PIZA ishte një shuplakë e jashtëzakonshme në sistemin tonë arsimor,” – deklaroi ai gjatë fjalës hapëse.
Për Eglantina Bardhin nga organizata “Together for Life” që merret kryesisht me shëndetësinë, përzgjedhja për të monitoruar strategjitë e dy fushave, sikurse arsimi dhe shëndetësia, vjen për nga rëndësia që kanë në shoqëri.
“Pa një sistem shëndetësor shumë të fortë nuk mund të kemi arsim cilësor, nuk mund të kemi ekonomi të qëndrueshme, nuk mund të kemi jetë cilësore. Por nga ana tjetër pa një arsim cilësor, me baza të forta, nuk mund të kemi as shëndetësi të mirë për vendin tonë. Ndaj ne vendosëm që të punojmë në të dy sektorët,” – deklaroi Bardhi.

Raporti përmblodhi të dhëna për sistemin parauniversitar sikurse numrin e nnxënësve, mësuesve dhe psikologëve në shkolla.
Rastet e dhunës fizik dhe psikologjike. Pajisjen me internet, digjitalizimin e shkollave dhe certifikimin e drejtuesve.
Pika këto të para edhe në sistemin universitar.
Sipas raportit, ka një rënie të numrit të nxnësve të komunitetit rom dhe egjiptian në arsimin bazë.
“Numri i nxënësve romë në arsimin bazë ka rënë me 5.4%, dhe numri i nxënësve egjiptianë ka rënë me 3.4%. Vetëm 30 mësues janë trajnuar për integrimin e kulturës rome në kurrikulat mësimore”.
Ka një ulje të numrit të mësuesve krahasuar me dy vite më parë.
“Numri i mësuesve është ulur në vitin shkollor 2023-2024 me 291 mësues. Raporti nxënës/mësues rezulton në arsimin fillor publik me 15.1 nxënës për një mësues, ndërsa në arsimin privat është 15.2, në arsimin 9- vjeçar publik raporti është 7.9 nxënës për një mësues dhe 8 në arsimin privat dhe në arsimin e mesëm të lartë publik, raporti është 11.5 nxënës për një mësues dhe 9.1 në arsimin privat, një ulje në arsimin publik dhe një rritje në atë privat krahasuar me vitin 2021-2022”.
Numri i psikologëve në shkolla është ende i pamjaftueshëm në raport me numrin e nxënësve.
“Megjithëse numri i psikologëve në shkolla është rritur me 30%, një psikolog rezulton përgjegjës për 506 nxënës, shtuar këtu edhe mungesën e oficerëve të sigurisë në 54% të shkollave, vijon të kemi hapësira të pasigurta për fëmijët në shkolla”,-shpjegon raporti.
Ndësa sa i takon digjitalizimit të shkollave, duket se jemi ende larg arritjes së objektivave.
Nga monitorimi rezulton se vetëm 71.5% e institucioneve arsimore parauniversitare janë të pajisura me kompjuterë, por raporti nxënës kompjuter është 20 nxënës për 1 kompjuter.
“Ndërkohë vetëm 46% e institucioneve arsimore raportojnë se janë të pajisura me internet, por vetëm 5.3% e tyre kanë rrjet Ëireless për akses në klasa,” – theksoi gjatë prezantimit të raportit Kolindo Vjerdha nga Qëndresa Qytetare.
Raporti cek edhe aspektin drejtues të shkollave.
“Shkolla e Drejtorëve ka certifikuar 908 drejtues deri në vitin 2023, por vetëm 27.6% e shkollave drejtohen nga individë të certifikuar”.
Sistemi universitar
Kurrikulat, organizimi dhe financimi janë disa nga problematikat e evidentuara në sistemin universitar.
“Kapacitetet e kuotave dhe universiteteve mbeten të paplotësuara në universitetet e vendit dhe kryesisht ato publike. Ndërkohë që 40% e programeve mbeten me risk për t’u mbyllur. Kjo tregon që ne kemi nevojë imediate për një debat kombëtar dhe një ulje të palëve që kanë interesa mbi çështjet arsimore,” theksoi Qiraxhi.
Ndërkombëtarzimi i universiteteve sipas raportit vijon të mbetet i ulët edhe pse është vendosur prioritet nga qeveria.
“Vetëm 0.6% e studentëve janë të huaj, dhe numri i studentëve shqiptarë që marrin pjesë në programe shkëmbimi ndërkombëtare është zakonisht më pak se 1%. Universitetet kanë buxhete të dedikuara për projekte ndërkombëtare, por një pjesë e madhe e fondeve mbetet e pashpenzuar,” – thuhet në raport.
Po ashtu, 7 nga 11 universitete nuk kanë sistem kundër plagjiaturës sikurse ua kërkon ligji.
“Universiteti i Tiranës, Universiteti i Sporteve, Universiteti i Durrësit, Universiteti i Korçës dhe Universiteti i Vlorës nuk kanë programe elektronike anti-plagjiaturë, duke cënuar integritetin akademik dhe moszbatuar dokumentin strategjik”.
Ende universitetet nuk kanë akses të plotë në internet.
“Universiteti i Tiranës, Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Universiteti i Shkodrës kanë vështirësi në aksesin me internet dhe për përdorim në procesin mësimor”,-thekson raporti.
Sipas raportit është e rëndëësishme që të adresohen në vijim sfidat demografike dhe migratore; të rritet ndërgjegjësimi dhe financimi për arsimin; të hartohen plane strategjike për reduktimin e klasave kolektive; të rritet numri i oficerëve të sigurisë në shkollat e mesme dhe të mbështetet qasja në arsim e nxënësve me aftësi të kufiuzar dhe komunitete rome dhe egjiptiane.
Lexo më shumë nga raporti: Zbatimi i Strategjisë Kombëtare të Arsimit 2021-2026

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).