Citizens.al

Shoqata e të Verbërve u kërkon institucioneve më tepër përkrahje

Shoqata e të Verbërve marshim për përkrahje nga institucionet
Facebook/Shoqata e të Verbërve marshim për përkrahje nga institucionet.

Shoqata e të Verbërve në Shqipëri organizoi sot një marshim ndërgjegjësues për më tepër vëmendje nga institucionet publike rreth nevojave dhe problemeve me të cilat ata përballen në përditshmëri.

Marshimi për një jetë të denjë dhe të pavarur u organizua me rastin e të ashtuquajturës “Dita Ndërkombëtare e Shkopit të Bardhë”.

Anëtarë të shoqatës dhe mbështetës të tyre, marshuan nga Pallati i Kongreseve drejt Bashkisë Tiranë duke adresuar si kërkesa nevojën për autonomi në lëvizje, mbështetje arsimore, shërbime speciale, punësim dhe indeksim të pensionit të invaliditetit sipas normës së rritjes së çmimeve për tre vitet e fundit.

“[Marshimi] Ka për qëllim të sjellë në vëmendje sfidat e përditshme që përballojnë të verbrit dhe kërkesat e tyre legjitime,” – tha më vonë shoqata përmes një deklarate për mediat.

“Edhe pse organizata jonë ka lobuar për vite për të siguruar lirinë e lëvizjes për të verbrit, qeveritë kanë qenë të pavetëdijshme dhe neglizhente,” – u shpreh Gjergj Smakaj kryetari i shoqatës.

Shoqata theksoi se të verbrit vijojnë të mos konsiderohen pjesë aktive e shoqërisë dhe përballen me pengesa të shumta. Një pikë e rëndësishme që u veçua në marshim ishte mbështetja arsimore.

“Shteti, që nga viti 2016, nuk ka ofruar libra të përshtatur në gjimnaze dhe universitete për nxënësit dhe studentët e verbër. Kjo mungesë mbështetjeje i ka privuar ata nga mundësia për arsim të barabartë dhe për një të ardhme më të mirë,” – tha shoqata.

Personat e verbër deklaruan se qeveria nuk u ofron shërbimet special për të cilat ata kanë nevojë.

“Mekanizmat ndërkombëtarë e kanë vlerësuar me zero performancën e ministrisë përkatëse dhe të bashkive në ofrimin e këtyre shërbimeve,” – thuhet më tej në deklaratë teksa punësimi vijon të jetë një problem për këtë komunitet.

“Barriera të shumta dhe mungesa e politikave konkrete i kanë privuar ata nga mundësia për një punësim të denjë dhe të qëndrueshëm,” – deklaroi shoqata.

Mungesa e një indeksimi të drejtë të pensioneve të invaliditetit – që aktualisht llogaritet te 35 mijë lekë në muaj – u konsiderua nga Shoqata e të Verbërve si cenim i mbështetjes që ofron ky lloj programi social ndaj këtij komuniteti.

“E drejta për përfaqësim i është hequr në mënyrë të padrejtë organizatave të personave me aftësi të kufizuara dhe i është dhënë organizatave që veprojnë për ta”, thuhet më tej në deklaratë.

Ata kërkuan nga institucionet që të marrin në konsideratë këto kërkesa.

Plani kombëtar (2021-2025) i qeverisë për mbështetjen e personave me aftësi të kufizuara parashikonte rreth 12 milionë euro. Mes politikave kryesore që ka mbuluar ky plan janë aksesi i barabartë në shërbime, sistem të drejtësisë, tregun e punës, kujdesin shëndetësor dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.

Zyrtarisht nuk ka një shifër të deklaruar se sa është numri i përgjithshëm i personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri, apo i atyre që vuajnë specifikisht nga shikimi.

Censi i Popullsisë 2023 nxori si statistikë të përgjithshme prevalencën sipas së cilës 6.5% e popullsisë së moshës 5 vjeç e lart në Shqipëri, vuan nga një aftësi e kufizuar, nga ku 2.3% vuan kufizim të shikimit.

Lexo gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW