Citizens.al

Refugjatët e parë nga Italia priten me protestë: Përfundon ëndrra evropiane

Protesta në Shëngjin për ardhjen e refugjatëve nga Italia.

Shqipëria priti të mërkurën refugjatët e parë nga Italia duke nisur zyrtarisht marrëveshjen dypalëshe të dakordësuar mes qeverive të Giorgia Melonit dhe Edi Ramës.

Gjashtëmbëdhjetë refugjatë – dhjetë nga Bangladeshi dhe gjashtë nga Egjipti – zbritën në portin e Shëngjinit nga anija e marinës italiane Libra rreth orës 8 të mëngjesit.

Refugjatët ishin nisur nga qendra e pritjes në Lampedusa – një ishull mes Maltës dhe Tunizisë, i përdorur që prej vitit 1998 si qendra kryesore e pritjes së flukseve migratore nga Afrika drejt BE-së.

Për shkak se kjo ishte mbërritja e parë, autoritetet shqiptare kishin shtuar sigurinë në port duke mos lejuar hyrje-daljet pas ankorimit të anijes Libra.

Refugjatëve iu desh më shumë se një orë e gjysmë për të dalë nga anija drejt qendrës së parë të pritjes dhe nisjes më tej në qendrën e dytë, atë të mbyllur në Gjadër rreth 20 kilometra në veri nga porti.

Mbërritja e tyre u prit me një protestë simbolike të organizuar nga tre aktivistët Sidorela Vatnikaj, Edison Lika dhe Arilda Lleshi të cilët mbajtën një banderolë me mbishkrimin në anglisht “The European Dream Ends Here!” (Ëndrra Evropiane përfundon këtu!).

“Mendojmë që ky kamp është një skenë krimi që i bëhet demokracisë, emigrantëve që vijnë këtu, shqiptarëve dhe italianëve gjithashtu,” – u shpreh për mediat Lika.

Sipas tij modeli i zgjedhur mes dy qeverive nuk i jep zgjidhje çështjes së refugjatëve apo flukseve emigratore, por vetëm sa forcon pozitat politike të dy kryeministrave ndaj elektorateve të tyre.

“Ky është një model që nuk mund të ndiqet sepse është fundi i demokracisë perëndimore për të cilën është luftuar dhe besuar prej vitesh,” – theksoi më tej Lika.

Numri i ulët refugjatëve që mbërritën në Shqipëri është ironizuar në mediat italiane “si qesharak”, në raport me më shumë se 300 refugjatë që mbërritën një ditë më parë në brigjet e Italisë.

Marrëveshja mes dy vendeve parashikon që deri në 36 mijë refugjatë në vit, të cilët ndalohen nga rojet bregdetare italiane në detin Mesdhe gjatë përpjekjeve të tyre për të emigruar drejt vendeve të BE-së, të vendosen në kampin e mbyllur të Gjadrit.

Për këtë çështje ka pasur pretendime të ndryshme. Politika e dy anëve të Adriatikut e konsideron si marrëveshje të mirë, ndërsa organizatat që mbrojnë dhe advokojnë për të drejtat e njeriut e konsiderojnë atë si një shkelje e konventave dhe të drejtave ndërkombëtare.

Lexo gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW