Citizens.al

Itali-Shqipëri: Nga 1600 refugjatë vetëm 12 përfunduan në Gjadër

Pamje nga kampet në ndërtim, në Gjadër, Lezhë/ Shtator 2024

16 refugjatët e parë, të kapur nga pala italiane në detin Mesdhe, mbërritën të mërkurën në portin e Shëngjinit. Dhjetë prej tyre ishin nga Bangladeshi, ndërsa gjashtë të tjerë nga Egjipti.

Por pa bërë as 24 orë nga ardhja në Shqipëri, katër prej tyre u kthyen në Itali pasi dy u deklaruan minorenë, ndërsa dy të tjerë rezultuan me probleme shëndetësore.

Sidoqoftë ajo që ra në sy nga ardhja e parë e refugjatëve nga marrëveshja “Meloni-Rama”, ishte numri i ulët i refugjatëve.

Në kontrast, vetëm të mërkurën, në brigjet e Siçilisë autoritetet italiane regjistruan 316 refugjatë të ardhur nga rrugët detare të Mesdheut, ndërsa në tre ditët e fundit shifrat tregojnë për mbi 1,600 persona.

Përballë kësaj diference në shifra mediat italiane kanë vënë në diskutim leverdinë e marrëveshjes së kushtueshme.

“Kur vijnë kaq shumë, pse Italia dërgon kaq pak në Shqipëri?” – ishte pyetja që ngritën mediat italiane duke hedhur dyshimin se kampi i Gjadrit rrezikon të mbetet bosh.

Sipas parashikimeve të protokollit të marrëveshjes “Rama-Meloni” në kampin e mbylljes në Gjadër parashikohen të vijnë refugjatë vetëm nga vende që konsiderohen të sigurta.

Konventat ndërkombëtare detyrojnë shtetet të pranojnë kërkesat për azil të refugjatëve që i ikin vendeve të pasigurta të tilla si në luftë, apo pushtete totalitare e përndjekëse.

Ndryshe, për rastet e atyre që ikin nga shtete të konsideruara “të sigurta” kërkesat e tyre për azil duhen shoqëruar me argumente dhe fakte që provojnë pasigurinë e tyre në vendin e origjinës. Këto raste trajtohen me procedura të shpejtuara në gjykata.

Qeveria e Melonit ka zgjeruar listën e vendeve të konsideruara të sigurta duke e çuar nga 16 në 22.

Shteteve si Shqipëria, Algjeria, Bosnje-Hercegovina, Kepi i Gjelbër, Bregu i Fildishtë, Gambia, Gjeorgjia, Gana, Kosova, Maqedonia e Veriut, Maroku, Mali i Zi, Nigeria, Senegali, Serbia dhe Tunizia, iu shtua Bangladeshi, Siri-Lanka, Kameruni, Egjipti, Kolumbia dhe Peruja.

Statistikat e viteve të fundit tregojnë se refugjatët që kërkojnë më së shumti azil në Itali dhe që ndjekin rrugën detare të Mesdheut vijnë nga Bangladeshi, Siria, Tunizia, Guinea dhe Egjipti.

Kjo shtyu mediat italiane të kritikonin qeverinë Meloni se po riklasifikonte me qëllim disa nga këto shtete origjine si “të sigurta” për të drejtuar më shumë azilkërkues drejt kampit në Gjadër.

Por në një vendim të marrë së fundmi, Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka specifikuar se vendet e sigurta konsiderohen njëjtë nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe se “nuk mund të ketë vlerësime të ndryshme për secilin shtet”.

“Ky vendim […] mund të vërë në dyshim procedurat, […] nëse lista e vendeve të sigurta hiqet, gjithashtu do të hiqet edhe mundësia për të ‘deportuar’ emigrantët në territorin shqiptar,” – analizoi për Citizens, Federica Borlizzi, avokate në Koalicioni Italian për Lirinë dhe të Drejtat Civile (CILD).

Borlizzi shpjegon se shumë organizata italiane kundërshtojnë këtë dekret për përcaktimin e “vendeve të origjinës së sigurt”, pasi përfshinë shtete në të cilat ndodhin shkelje të rënda të të drejtave themelore.

“Për shembull, ky aspekt është i rëndësishëm për Nigerinë, ku në shumë pjesë të shtetit vepron grupi fundamentalist Boko Haram dhe ku kryhen persekutime ndaj disa kategorive shoqërore si për shembull ato në bazë orientimi gjinor,” – vijoi Borlizzi.

Për ta përshkruar më mirë situatën, avokatja italiane kujtoi një analizë të bërë nga gjyqtari i njohur italian Luigi Ferrajoli, i cili në një publikim të bërë në nëntor 2023, i konsideronte deportimet e refugjatëve në Shqipëri “një lloj Guantanamoje italiane”.

“Njerëzit nuk janë sende, dhe privimi i lirisë së tyre i nevojshëm për t’i transferuar në Shqipëri kundër vullnetit të tyre është qartësisht një rrëmbim personi,” – thotë në shkrimin e tij Ferrajoli.

Vlen të theksohet se potencialisht, sipas marrëveshjes, – dhe nga fakti se Shqipëria konsiderohet vend i sigurt, – edhe emigrantë shqiptarë të cilët mund të marrin përsipër t’i drejtohen brigjeve italiane nga i njëjti itenerar që zgjedhin refugjatët nga Afrika mund të përfundojnë në kampin e Gjadrit.

Edhe pse me një investim prej 670 milionë eurosh nga pala italiane për marrëveshjen 5-vjeçare, mbetet ende e paqartë nëse shuma e majme do të justifikojë numrin e refugjatëve që pritet të vijnë në Gjadër.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW