Citizens.al

Gjykata e Romës : “12 emigrantët në Gjadër të kthehen në Itali”

Pamje nga kampet në ndërtim, në Gjadër, Lezhë/ Shtator 2024

Gjykata e Romës kërkoi kthimin e 12 refugjatëve të sjellë të enjten në kampin e Gjadrit në Itali. Pas një afati maksimal prej 48 orësh që kishte kjo gjykatë për të shqyrtuar rastet, ky institucion nuk ka miratuar ndalimin e emigrantëve dhe dërgimin e tyre ne qendrat pritëse në Lezhë, që nisën të funksiononin vetëm dje.

Ky vendim i gjykatës lidhet me faktin se 12 emigrantët që mbërritën dje vijnë nga vende të konsideruara të pasigurta. Kujtojmë se vendet e origjinës së emigrantëve që mbërritën dje ishin Bangladeshi dhe Egjipti.

“Refuzimi i i trajtimit në strukturat shqiptare të barazuara me zonat kufitare ose të transitit italian ndodhi për shkak të pamundësisë për t’i njohur si “vende të sigurta” shtetet e origjinës së personave të ndaluar”- citohet në vendimin e Gjykatës së Romës.

Mediat italiane shprehen se vendimi i Gjykatës së Romës ishte deri diku i pritshëm, pasi lidhet me vendimin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, e cila kritikoi zgjerimin e listës së vendeve të sigurta nga qeveria Meloni.

Sipas vlerësimit të Gjykatës Evropiane, vende si Egjipti dhe Bangladeshi, vende origjine të 12 migrantëve, janë përfshirë në listën e zgjeruar të vendeve të sigurta nga qeveria Meloni, por janë vende që nuk konsiderohen si të tilla nga Bashkimi Evropian.

Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka specifikuar se vendet e sigurta konsiderohen njëjtë nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe se nuk mund të ketë vlerësime të ndryshme për secilin shtet.

Media italiane komunikojnë se në qendrën e Gjadrit ka hyrë tashmë një autobus, i ngjashëm me atë që është përdorur për të transferuar migrantët nga qendra portuale e Shëngjinit në këtë vendndodhje, megjithëse mbetet ende e paqartë sesi do të procedohet në vijimësi.

Kujtojmë se qeveria italiane ka 15 ditë kohë për ta apeluar vendimin, fakt i cili e bën ende të pazbatueshëm këtë vendim.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW