Kërkimi shkencor po futet në një kornizë të re ligjore përmes projektligjit “Për shkencën dhe kërkimin shkencor” që tanimë po diskutohet në komisionet parlamentare me grupet e interesit.
Projektligji “Për shkencën dhe kërkimin shkencor”, – hedhur për diskutim, – është pritur me rezerva nga Akademia e Shkencave, Universiteti i Tiranës (UT) dhe sindikatat e arsimit.
Aktualisht shkenca në Shqipëri zhvillohet sipas parashikimeve të një ligji të hartuar në vitin 1994.
Qeveria mendon se me një ligj të ri, kërkimi shkencor mund të nxitet dhe menaxhohet më mirë, por projektligji u prit keq gjatë dëgjesave të zhvilluara me përfaqësuesit e institucioneve të shkencës në Komisionin parlamentar për Edukimin.
Sipas tyre projektligji është i keq-formuluar, cenon autonominë dhe lirinë e kërkimit shkencor, ndërsa ka kaluar për shqyrtim në Kuvend pa u diskutuar paraprakisht me grupet e interesit.
Rektori i UT-së, njëkohësisht drejtues i Konferencës së Rektorëve, Artan Hoxha, e cilësoi të papranueshme që projektligji kaloi në komision pavarësisht kërkesave për pezullim të konsultimit drejtuar Kryesisë së Kuvendit.
Duke folur para Komisionit Parlamentar për Edukimin Hoxha theksoi se në gjendjen e propozuar projektligji ka probleme me Kushtetutën dhe nuk është në fazën për të kaluar për votim në Kuvend.
“Ka probleme të forta me Kushtetutën, ka probleme të forta me lirinë e kërkimit shkencor dhe autonominë. Ka probleme të forta përplasjeje me aktet ligjore sot në fuqi dhe se në vetvete si projektligj është një projekt deklarativ. Nuk zgjidh pothuajse asgjë dhe është shumë i hapur për rregullime me akte nënligjore, të cilat në eksperiencën e ligjit për arsimin e lartë na ka treguar që përmbajnë rrezikshmëri të lartë të kuptimit dhe interpretimit të normave juridike që parashikon ligji me akte nënligjore dhe që lidhet jo thjesht me vullnetin politik,” – argumentoi më tej Hoxha.
Mes të tjerash, Rektori i UT-së pa me shqetësim një nen të projektligjit ku institucionet vlerësuese të veprimtarisë së kërkimit shkencor konsiderohen Ministria dhe Akademia e Shkencave, kjo e fundit e shtuar rishtazi.
“S’mund të jesh aktor edhe vlerësues. Nuk mund të jetë vlerësuese Qeveria për kërkimin shkencor. Vlerësimet janë brenda institucioneve të arsimit të lartë. Neni 8: Ministria vlerëson veprimtarinë kërkimore të institucionit të kërkimit shkencor. Si i vlerëson, me cfarë mekanizmash? Me vendim të këshillit te ministrave? Jo!” – deklaroi Rektori Hoxha.
Por Zëvendësministrja e Arsimit, Ana Kapaj, i hodhi poshtë këto pretendime teksa u shpreh se projektligji duhet parë si vlerë e shtuar për kërkimin shkencor.
“Është bindja jonë e plotë se ky projektligj nuk prek aspak as autonominë akademike të universiteteve, absolutisht nuk prek as lirinë e kërkimit shkencor. […] Në asnjë moment të këtij ligji nuk ulet, nuk cenohet pesha e universiteteve. Nuk duhet lexuar ashtu sikundër nuk është,” – siguroi zëvendësministrja.
Të njëjtën qasje mbajti dhe Zëvendëskryetarja e Komisionit Parlamentar, Evis Kushi, e cila i siguroi rektorët se projektligji në fjalë nuk do të kalojë me nxitim për votim.
“Projektligji do të marrë të gjithë kohën e duhur në Kuvendin e Shqipërisë. Ne nuk do ta miratojmë as këtë javë, as javën e ardhshme, por do të sigurohemi që t’i kemi të gjitha komentet, të gjitha sugjerimet përpara se të marrim vendim”.
Por projektligji gjeti rezerva edhe nga Akademia e Shkencave. Drejtuesi i saj Skënder Gjinushi shprehu përpara Komisionit shqetësimin se “në disa nene propozimi lë vend për ambiguitet” duke nënkuptuar këtu idenë se me formulimin e parë ligji mund të keqinterpretohej.
Paralelisht Gjinushi kritikoi qasjen diskriminuese në shpërblimin e kërkuesve shkencorë gjatë punëve jashtë orarit.
“[…] Të gjendet një mënyrë që Këshilli i Ministrave të përcaktojë një masë shpërblimi që të jetë një çikë më dinjitoze se sa paga bazë,” – u shpreh Gjinushi teksa rekomandoi riformulim të propozimit në të tillë mënyrë që të rrisë autonominë e institucioneve shkencore.
Por në thelb sipas Gjinushit, aludimi se projektligji synon ulje të rolit të universiteteve në favor të dikujt tjetër “nuk qëndron”.
“Akademia e Shkencave ka marrë pjesë më pak se shkollat e larta në hartimin e këtij projektligji. Kemi ndikuar së fundmi vetëm që të ketë Këshill Kombëtar dhe të jetë i kontrolluar, pra shumica të jetë nga shkenca dhe pakica nga ekzekutivi,” – deklaroi Gjinushi.
Edhe Sindikatat nuk pajtohen me projektligjin
Përfaqësues të sindikatave të arsimit në vend e nisën kundërshtinë që prej titullit të projektligjit, duke shpjeguar se “shkencë” dhe “kërkim shkencor” kanë konotacion të njëjtë, ndaj propozuan të përdoret termi “inovacion”.
Mes të tjerash ata e panë fondin për shkencën shumë modest.
“Direkt për shkencën në mënyrë faktike kemi buxhetin prej 5.5 milionë eurosh që i bie afërsisht 500 euro për pedagog dhe kërkues shkencor në vit. Ndërkohë ky financim për pedagog në vende të tjera të rajonit është mbi 10 herë më shumë se sa në vendin tonë,” – deklaroi Aleksandër Kovaci, kreu i Sindikatës së Arsimit të Lartë.
Sipas tyre në projektligj nuk është shprehur në mënyrë direkte zhvillimi i komunitetit akademik kërkimor në Shqipëri.
“Mendojmë se ka një mangësi dhe duhet përqendruar më shumë pasi në arsimin e lartë janë punësuar rreth 5400 pedagogë dhe kërkues, pa përfshirë këtu doktorantët që shyqyr u hapën doktoraturat dhe ky komunitet përbën shumicën e komunitetit shkencor dhe kërkimor të vendit, mbi 90% aktualisht. Duket si numër i madh por është vetëm 2.3 kërkues për 1000 banorë, mbi katër herë më i vogël se sa vendet e rajonit,” – vijoi Kovaci.
Kreu i Sindikatës së Universitetit të Tiranës shprehu shqetësim për mungesën e kërkimit shkencor në vend e më gjerë.
“Ku ka shqiptarë nuk ka më kërkim shkencor. Jemi jashtë çdo lloj rankimi ndërkombëtar qoftë individual qoftë institucional,” – deklaroi Lulëzim Shuka duke theksuar se politika duhet të qëndroje larg shkencës.
“Vlerësimin e veprimtarisë shkencore kërkimore mendoj që nuk ka kapacitet Ministria për ta realizuar. Dhe si e tillë është shumë e rëndësishme që brenda ligjit duke e krahasuar dhe me ligje të tjera të jenë agjenci të tjera faktor të jashtëm për vlerësimin e kërkimit shkencor, pasi edhe sikur ta bënte këtë një raport ministria të vlerësonte kërkimin shkencor me sensin pozitiv do të ishte i pabesueshëm për komunitetin e shkencëtarëve dhe të kërkuesve,” – vijoi ai.
Shuka i mëshoi faktit se kërkimi shkencor po shkon drejt modelit “copy-paste”.
“Sot ne kemi disa mbi 50 vjeçarë që punojnë. Por po edukojmë një brez të rinj kërkuesisht falsifikatorë”.
Për Lush Susajn, kreun e Sindikatës së Universitetit Bujqësor të Tiranës, i vetmi nen i rëndësishëm në këtë projektligj është Neni 40.
“Neni më i mirë që është shkruar në këtë projektligj është neni 40 ku thotë bie poshtë ligji i vitit 1994,” – u shpreh me ironi ai.
Ndërsa neni 10 sipas tij e politizon komplet ligjin.
“Nëse do ta degjenerosh një ligj, një projektligj një veprimtari sidomos kërkimor shkencor apo universitar është politizoje. Na janë politizuar shkollat, na janë politizuar universitetet, sepse kur thuhet që do të jetë kryeministri e pastaj edhe 10 ministra mbrapa e pastaj do të jenë edhe katër të tjerë po ku ti cojë rektori se ne e dimë si janë zgjedhur rektorët pa konkurrencë,” – deklaroi Susaj.

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).