Citizens.al

Qeveria me “narrativë justifikuese” përballë pensionistëve

Facebook/Takim i qeverisë Rama me pensionistët te Piramida.

Një takim i thirrur nga qeveria për të adresuar më mirë mbështetjen ndaj pensionistëve përfundoi me zotime të përgjithshme për rritjen e bonusit të fundvitit dhe shikim në plan afatgjatë për shtesat.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e linjës, Blendi Gonxhja e Petrit Malaj drejtuan një qasje justifikuese për nivelin e përgjithshëm të pensioneve, pavarësisht se pranuan se pensionistët janë kategoria që ka përfituar më pak nga zhvillimi ekonomik i vendit.

“Ndërsa kemi rritur pagat në administratë, shëndetësi, arsim, polici e mbrojtje. Besoj se ka ardhur koha që të adresojmë edhe çështjen e rritjes së pensioneve,” – u shpreh Ministri i Financave, Petrit Malaj.

Teksa shprehu në emër të qeverisë vullnetin për ta trajtuar situatën e pensioneve “në terma afatshkurtër” Ministri Malaj u zotua për rritje fillimisht të bonusit të fundvitit.

“Ky bonus është një mënyrë për të lehtësuar sado pak barrën financiare të përditshme që ju keni, si dhe synon të ndihmojë më shumë ata që kanë nevojë,” – u shpreh Ministri Malaj.

Në terma afatgjatë Malaj theksoi se synimi është të krijohet një skemë pensioni e qëndrueshme që do të garantojë në vazhdimësi pensione të larta.

Nga takimi u tha se qeveria po punon për ndryshime ligjore të cilat do të sjellin “njohje automatike të kontributeve gjatë viteve para vitit 1994 për kooperativat dhe ndërmarrjet shtetërore.

“[…] do të lehtësojë në mënyrë të menjëhershme rreth 40 mijë veta që dalin në pension çdo vit dhe do t’i evitojë atyre mbi 3 mijë procese gjyqësore çdo vit që janë të kushtueshme, rraskapitëse,” – u shpreh Ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhe.

Më pak kontribuues, më shumë përfitues

Zyrtarisht Shqipëria numëron rreth 791 mijë pensionistë prej të cilëve rreth 92% e tyre përfitojnë pensione nga skema e detyrueshme e sigurimit shoqëror, invaliditetit apo pensionet familjare, pjesa tjetër prej 8% përfitojnë pensione nga programet e veçanta të trajtimit në kategoritë e ish-ushtarakëve, punonjësit e minierave, naftëtarëve etj.

Një muaj më parë qeveria indeksoi me 4.1% pensionet, vendim që u konsiderua i pamjaftueshëm nga pensionistët në një kohë kur kostoja e jetesës është rritur ndjeshëm dhe pensionet e tyre mesatare shkojnë te 15 mijë lekë në muaj.

Por sipas Ministrit të Financave Petrit Malaj, indeksimi nuk ka të bëjë me reformën që qeveria synon në skemën e sigurimeve shoqërore. Por në këtë pikë as ai dhe as Kryeministri nuk dhanë specifikime për një vlerë të përafërt rritjeje të menduar.

“[Indeksimi] 4.1% është detyrim ligjor që ka të bëjë me indeksimin e rritjes së çmimeve të vazhdueshme,” – theksoi Malaj.

Sipas Bankës Botërore, kufiri i varfërisë në vendin tonë është 6.7 dollarë në ditë për person, që do të thotë se një pjesë e konsiderueshme e pensionistëve e prekin këtë prag.

Ministri Blendi Gonxhja paraqiti një version justifikues për pamundësinë e qeverisë për të vepruar më shpejt në rritjen e pensioneve. Ai tha se ditët e sotme po lindin më pak fëmijë dhe paralelisht “po rritet jetëgjatësia” duke nënkuptuar këtu se të ardhurat nga kontributet aktuale nuk mjaftojnë për të mbuluar skemën.

“Por që të na dalin llogaritë duhet që për një pension të kishim dy deri në tre të punësuar. Ndërsa raporti që ne kemi sot është gati 1 me 1. Ndaj dhe duhet të rrisnim së pari pagat për të ndihmuar sa më shumë skemën kontributive të pensionit. Pra indirekt dhe direkt ju,” – deklaroi Gonxhe duke iu drejtuar pensionistëve të pranishëm.

Të njëjtën qasje me “më shumë pensionistë duan më shumë kontribuues” ndau edhe drejtuesi i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado.

“Ka një numër të lartë pensionistësh në raport me popullsinë rezidente në Shqipëri. Qytetarë rezidentë në Shqipëri janë dikur te 2 milion e 450 mijë qytetarë, ndërkohë që ne kemi pensionistë që jetojnë dhe e marrin pensionin çdo ditë rreth 720 mijë. Janë 30% e totalit të popullsisë në Shqipëri mbi moshën 65 vjeç. Kemi pak njerëz që kontribuojnë”.

Hado shtoi më tej se shpenzohet shumë për sigurimet shoqërore nga buxheti i shtetit.

“Në skemën e sigurimeve shoqërore janë gati 1.7 milionë vetë të cilat janë anëtarë të kësaj familjeje të madhe. Janë rreth 830 mijë veta që janë kontribuues që janë në moshë pune dhe kontribuojnë për anëtarët e familjes dhe janë diku te 750 mijë përfitues të cilët përfitojnë nga këto para dhe buxheti që sot shpenzohet për sigurimet shoqërore është relativisht i lartë, është diku te 25-27% e buxhetit të shtetit,” – deklaroi Hado.

“Narrativë justifikuese” kundrejt pensionistëve

Fjalimi i ministrave dhe përfaqësuesve të sigurimeve shoqërore ishte i orientuar drejt justifikimeve se pse jemi në këtë gjendje.

“Ju e dini sa halle ka shteti,” – u shpreh Ministri Gonxhja, pasi kishte radhitur në gjuhë “fëmijësh” të gjithë punët që duhet të bëjë qeveria, ndërkohë që duhet të kujdeset dhe për pensionistët.

“Mbi 1/5 e buxhetit të Shtetit shkon direkt për pensionet dhe me lekët që mbeten qeveria duhet të bëjë gjithçka tjetër, të shtrojë rrugë, të ndërtojë shkolla, spitale, të mirëmbajë, të paguajë mësues, mjekë, policë, të përballojë emergjenca etj,” – deklaroi Gonxhja.

Narrativa me karakter justifikues, u shndërrua në një leksion për mënyrën se si funksionon skema e sigurimeve shoqërore nga Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani.

“Është e rëndësishme që së pari t’ju informojnë çfarë është skema e sigurimeve shoqërore. Cilat janë shtyllat, burimet dhe të ardhurat e skemës së sigurimeve shoqërore. Pse është gjendja aktuale e pensioneve e tillë? Pse një pensionist si ju merr nj pension prej 150 mijë lekësh, pse dikush tjetër merr 200 mijë lekë, pse dikush tjetër merr 350 mijë lek,” – deklaroi Zëvendësministrja Manjani ndërsa prezantoi më pas një “power point” për pensionistët e pranishëm.

Citizens.al realizoi më herët një anketë online, ku mblodhi opinionet e dhjetëra qytetarëve në moshë pensioni, të cilët ndanë përvojat e tyre për kostot e jetesës. Shumica u shprehën se ilaçet ishin shpenzimi kryesor më i kushtueshëm i muajit dhe se në fund nuk ju mbeten para.

Shumica tregoi se ndihmohej nga fëmijët me para për shkak të pensioneve të ulëta. Ndërsa një pjesë e vogël u shpreh se marrin borxh nga të afërmit ose blejnë veresie produktet që duan të konsumojnë.

Asnjë shifër konkrete, vetëm “histori me prindërit pensionistë”

Përgjatë gjithë prezantimit, u fol për vëmendje të shtuar ndaj pensionistëve, por përveç se do të ketë një rritje të bonusit të fundvitit, nuk pati shifra konkrete se sa do të jetë rritja e pensioneve.

E vetmja gjë konkrete ishin rrëfimet e zyrtarëve të qeverisë për familjarët e tyre në moshë pensioni, duke e çuar figurën e një pensionisti në Shqipëri në grotesk.

“Një histori që më ndodhi mbrëmë me nënën time pensioniste. Më tha cfarë do të bëni me pensionet? Sa do të na jepni? I thashë mama kaq janë mundësitë financiare, kaq lek kemi dhe kaq do të japim. Po le ti gjejë lekët qeveria. Dhe me naivitetin e vet tha po mire le të presë para qeveria,” – rrëfeu drejtuesi i ISSH, Astrit Hado.

Qasje personale ndau edhe Zëvendëministrja Manjani.

“Jo vetëm prindërit e mi janë pensionistë, por kam edhe fatin e madh që kam ende gjyshërit në jetë, të cilët janë gjithashtu pensionistë sikurse edhe ju. Më besoni që nuk ka takime familjare, darka familjare apo qoftë edhe telefonata që ju siguroj që janë shumë të shpeshta me të gjithë ata, veçanërisht me gjyshërit të cilët nuk e mbyllin telefonin pa bërë gjithmonë të njëjtat pyetje: Kur do rriten pensionet? Sa do rriten pensionet?” – deklaroi Manjani.

Pyetje të cilat ajo nuk arriti t’u japë përgjigje as gjatë prezantimit me “power-point” për disa minuta që mbajti para pensionistëve.

Nga indeksimi i fundit prej 4.1% në shtator 2024, pensionet urbane u shtuan me afër 752 lekë. Nga 18,241 lekë që është pensioni mesatar, pensionistët në qytete morën në tetor 18,993 lekë.

Për pensionistët në zonat rurale shtesa ishte më e ulët, në vetëm 453 lekë. Nga 11,051 lekë pensioni mesatar rural shkoi në 11,504 lekë.

Pensionistët thirrje për protestë

Në takim pensionistët nuk u përfshinë në diskutim, por ishin dëgjues pasivë të fjalimeve të qeveritarëve. Jashtë, një prej tyre nuk u lejuan të futeshin në takim.

“Sot ish-minatori dhe pensionisti Qani Shino, guxoi të zbërthente propagandën e Edi Ramës. Ai u përpoq të futej në takim për të demaskuar premtimet boshe dhe mashtrimet por, në vend të kësaj, rojet e Ramës e larguan me forcë. Ky veprim tregon qartë se qeveria nuk dëshiron të dëgjojë zërin e vërtetë të pensionistëve, por dëshiron vetëm duartrokitje të sajuara për kamerat,” – deklaroi Lëvizja Bashkë.

https://www.facebook.com/watch/?v=2274590629568301&rdid=Jlo6vuGEuG8YPCkF

Të mërkurën, më 23 tetor, në orën 10:00 ata kanë thirrur protestë para Kryeministrisë për më shumë të drejta e për minimum jetik.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW