Citizens.al

Dëshmitë e atyre që vuajtën burgun e Spaçit, bashkë në filmin “303”

Citizens.al/Foto ilustruese nga premiera e filmit "303"

Dhjetëra qytetarë, aktivistë dhe ish-të përndjekur të diktaturës ndoqën të premten filmin e regjisorit Gentian Doda kushtuar historive njerëzore të atyre që vuajtën në ish-Repartin e Punës së Detyruar “303” njohur gjerësisht si “Burgu i Spaçit”.

Titulluar “303” si ish-burgu famëkeq, për dhjetëra minuta filmi mbajti mbërthyer në një narracion të figurshëm të pranishmit në sallën e kinema “Millenium” në Tiranë.

“Një komunikim i ngrirë në kohë, shkëmbim zërash memecë që kumbojnë përmes heshtjes së thellë. Fjalë të pa artikuluara përhapen në një sfond të çuditshëm, ku edhe identitet janë venitur nën forcën shtypëse të autoritetit,” – përshkruhej në prezantim “303”-i.

Filmi, nismë e organizatës “Tek Bunkeri” me skenar dhe regji të Dodës dhe bashkë-regji të Lorin Tereziut, është xhiruar në mjediset e ish-burgut rreth 100 kilometra në veri të Tiranës.

Vepra filmike vjen si përmbledhje artistike e dëshmive të rrëfyera nga ish-të burgosurit politikë në këtë burg.

“Udhëtuam në Kavajë, Durrës, Elbasan, Korçë, Lezhë, Mamurras, Tiranë dhe Berat për të krijuar maskat e fytyrave dhe për të mbledhur rrëfimet e 49 ish-të burgosurve në Spaç. Për ne si organizatë është shumë e rëndësishme që të mbledhim të gjitha dëshmitë në vetë të parë, dëshmitë që kanë një vlerë të jashtëzakonshme sa i përket trashëgimisë jo materiale dhe formësimit të shoqërisë sonë,” – u shpreh Arnen Sula, drejtues i “Tek Bunkeri”.

Arnen Sula-Tek Bunkeri

Më herët, portretet e ngrira të ish-të burgosurve politikë në Spaç u shfaqën përmes një ekspozite.

“Kjo iniciativë u përmbyll me ekspozitën audio-vizuale e titulluar ‘E kaluara e tashme’, e cila në ditën e çeljes u vizitua prej 450 pjesëmarrës. Të gjitha portretet dhe rrëfimet i janë dhuruar burgut të Spaçit, për të qëndruar atje përgjithmonë si një ekspozitë e hapur për vizitorët,” – deklaroi Arnen Sula.

Sipas Gentian Dodës, skenarist dhe regjisor, kapaciteti i një artisti është kapaciteti i relacionit dhe paraqitja artistike në këtë rast është një formë metaforike.

“Me thënë të vërtetën unë e ndjej burg jetën. Liria është një burg tjetër. Duke u kthyer te rasti i filmit do isha shumë tendencioz të pretendoja të flas mbi të dënuarit dhe mbi historitë e të dënuarve. Sepse më mirë se vetë ata nuk mund ta tregoj unë. Më mirë se një dokumentim direkt i tyre,” – u shpreh Doda.

Gjatë diskutimit pas filmit me Gentian Dodën dhe Lorin Tereziun

Diktatura e Enver Hoxhës mbylli në Spaç qindra kundërshtarë politikë, mes të cilëve intelektualë dhe artistë të njohur. Ata u detyruan të punonin në minierë duke nxjerrë pirit në kushte të vështira.

Reparti i punës së detyruar qëndroi i hapur për rreth 22 vite në periudhën 1968-1990. Rreth pesë vite pas hapjes ndodhi ajo që në histori njihet si “Revolta e Spaçit”.

Mbajtja në izolim dhe dhunë të vazhdueshme të atyre që shfaqnin rezistencë apo kundërshti përshkallëzoi mllefin e të burgosurve duke bërë që për tre ditë në majin e vitit 1973 ata të ngriheshin në revoltë.

Zanafillë u bë dhuna ndaj Pal Zefit, i cili ishte izoluar pasi kishte kundërshtuar punën në galeri.

Mëngjesin e 21 majit Zefi iu largua rojeve në momentin e ndërrimit të batanijeve dhe iu bashkua grupit tjetër të të burgosurve, të cilët nuk pranuan t’ua dorëzonin.

Ky moment shënoi përplasjen me forcat e ruajtjes. Të burgosurit arritën ta merrnin dhe mbanin nën kontroll burgun për të paktën tre ditë, deri sa diktatura nisi në repart forcat ushtarake.

Gjyqi ushtarak që u mbajt për organizatorët e revoltës dënoi 4 prej tyre, – Pal Zefi 33 vjeç, Skënder Daja 28 vjeç, Dervish Bejko 27 vjeç dhe Hajri Pashaj 23 vjeç – me pushkatim ndërsa rreth 60 të tjerë me një total prej 1000 vitesh burg shtesë dënimeve të mëparshme që ata kishin.

Sipas dëshmisë së Xhemal Balit, ish-i dënuar, 4 të rinjtë organizatorë të revoltës u ekzekutuan pas mesnatës, diku në Mirditë. Trupat e tyre nuk janë gjetur as sot.

Gjatë periudhës 1944-91 sistemi totalitar i Hoxhës burgosi politikisht rreth 34 mijë njerëz. Rreth 6,500 u pushkatuan, apo vdiqën në izolim. Paralelisht u internuan dhe dëbuan nga banesat 59 mijë të tjerë që kishin qëndrime dhe familjarë të dënuar.

Por filma si “303” synojnë të ndërgjegjësojnë shoqërinë se “ata” nuk janë veç numra.

Lexo gjithashtu: 8 ditë pa përfillje, mbyllet greva e ish-të përndjekurve politikë

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW