Tirana po përjeton një transformim urban të paprecedent. Në dhjetëvjeçarin e fundit, vizioni i zhvillimit të qytetit ka kaluar nga zgjerimi horizontal, drejt një oreksi të pangopur për të kapur qiellin. Qyteti po zhvillohet me filozofinë “qielli është limit”, ndërsa çdo ditë humbet elementë të çmuar të kujtesës së tij historike.
Kulla shumëkatëshe vazhdojnë të ngrihen përgjatë aksit qendror të Tiranës, duke iu mbivendosur objekteve historike, si vilat tradicionale dhe lagjet e vjetra. Rrugët janë mbushur me kantiere ndërtimi, shumë prej të cilave po ngrihen nën burime të dyshimta financimi, duke e kthyer modelin e kullave një njollë të errët në ekonominë shqiptare.
Ky model zhvillimi nuk ka kursyer as periferitë e qytetit. Ndërtimet po shtohen në kurriz të hapësirave publike, duke ngushtuar rrugët, parqet e së fundmi dhe institucionet publike.
Tërmeti i vitit 2019 i përballi komunitetet si Kombinati dhe “5 Maji” me një presion të ri: shembjen masive të banesave për t’i hapur rrugë ndërtimit të kullave shumëkatëshe.
Në Citizens.al, besojmë se ky model zhvillimi që po transformon Tiranën ka nevojë për një shpjegim të thelluar. Në rubrikën “Tirana Vertikale”, do të analizojmë me detaje projektet e mëdha të kullave: kush po ndërton çfarë, ku ndodhen këto projekte dhe cilat janë arsyet pas tyre?
Kjo nismë bazohet në përvojën e platformës tonë “Urban Stories” ku sollëm në vëmendje historitë urbane të kryeqytetit dhe analizuam gjendjen e vilave historike. Më tej, përmes serisë së hulumtimeve “Tirana 2031” ne shqyrtuam projektet strategjike të Planit Urbanistik të Tiranës, duke hedhur dritë mbi çështje thelbësore si strehimi, gjelbërimi, trashëgimia kulturore dhe lëvizshmëria.
Ky angazhim i ri do të informojë qytetarët të kuptojnë më mirë ndikimet sociale të këtij transformimi, duke ofruar një databazë të dhënash që rrëfen të shkuarën dhe analizon të ardhmen e qytetit.
“Tirana Vertikale” do të hartëzojë thjeshtë dhe qartë gjurmët e këtij ndryshimi, duke ndriçuar sfidat dhe mundësitë që urbanizimi po sjell për qytetarët e Tiranës.