Pas 11 ditësh nga protesta që u mbajt përpara fabrikës INCA, banorët e Lezhës iu kthyen sërish “rezistencës kundër ndotjes”.
Ata u mblodhën përpara Ministrisë së Mjedisit, ku u takuan me përfaqësues të këtij institucioni duke marrë prej aty premtimin se brenda tre ditëve do të marrin një përgjigje për zgjidhjen e mundshme rreth problemit të ngritur.
Përfaqësues nga Ministria u thanë aktivistëve se do të zhvillojnë mbledhje me të gjitha palët e përfshira për të diskutuar të gjitha alternativat e mundshme për zgjidhje duke respektuar kërkesat e komunitetit, por edhe të sipërmarrjes.
“Do t’i mbledhin të gjitha institucionet bashkë, edhe do mundohemi të bëjmë një zgjidhje, minimumi që ajo fabrikë të largohet nga aty,” – u zotua Arilda Lleshi, aktiviste.
“Zgjidhja e vetme është largimi fabrikës nga aty. Ne këtë kemi kërkuar, këtë po kërkojmë dhe këtë do vazhdojmë të kërkojmë,” – u shpreh Bledar Përlika, aktivist.
Sipas banorëve fabrika e mbetjeve “INCA” krijon ndotje jo vetëm në aroma, por edhe në sistemin ujor.
“Drini dikur ka qenë ujë i pijshëm, ka pasur ujë të pijshëm, tani nuk ka më as peshk, as bretkosa, as gjarpërinj, pra të gjitha gjallesat kanë mbaruar,” – tha Zef Nikolli për Citizens.
Banorët shprehen se është e vështirë që të provohet ndotja, pasi kompania lajmërohet gjithmonë përpara kontrolleve.
Ndërsa më herët Agjencia Rajonale e Mjedisit Lezhë i tha Citizens se përsa i përket aromave nuk ka aparatura specifike që mund t’i masë ato.

Kompania INCA, e themeluar në vitin 2005, zgjeroi aktivitetin në vitin 2021 me fabrikën në rrugën “Frang Bardhi” në lagjen Skënderbej të Lezhës.
Zona përreth njihet si “Ushqimorja e vjetër”. Banorët aty janë ankuar disa herë ndërsa palët ndahen përballë diskutimit nëse kjo zonë është apo jo industriale.
Përfaqësues të fabrikës INCA kanë thënë për Citizens se sipërmarrja e tyre bazohet 100% në ekonomi qarkulluese dhe punon në harmoni me mjedisin.
“Po ta ndjejnë erën, jo të vijnë aty kur njoftojnë fabrikën që të fiket. Vijnë aty thonë s’ka erë, normal s’ka erë, po e fiku fabrikën, po bëri pastrimet. Po të vijnë aty kur punon fabrika!” – analizoi Përlika.
Banorët do të kthehen sërish pas disa ditësh përpara ministrisë për të marr përgjigje për kërkesat e parashtruara.
Prej dy muajsh grupi, i angazhuar bashkë me aktivisten Arilda Lleshi, ka mbledhur rreth 1,700 firma në një peticion që ata ia kanë adresuar me shqetësim institucioneve përgjegjëse për mjedisin.
Kompania “INCA”, themeluar dhe drejtuar nga Alban Zusi, ka si aktivitet kryesor përpunimin e mbetjeve shtazore. Ajo u mbështet nga qeveria shqiptare dhe BE-ja me financim nga programi “IPARD II”.
“INCA” përfitoi rreth 135 milionë lekë investim për pajisje dhe makineri të fabrikës, e cila u përurua më 16 shkurt 2020 me prezencën e Bledi Çuçit, asokohe Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Zusi ishte zëvendësministër i Bujqësisë në mandatin e parë të qeverisë Rama. Ai ushtroi këtë detyrë në kabinetin e Edmond Panaritit deri më 30 shtator 2015 kur u dorëhoq për “arsye personale”.
Lexo gjithashtu:
- “Na morët frymën!”: Lezha proteston kundër fabrikës së mbetjeve shtazore
- Lezha kundër “fabrikës që qelb”

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.