Prokuroria e Përgjithshme ka urdhëruar prokuroritë e rretheve të trajtojnë me prioritet çështjet e sulmeve ndaj gazetarëve, vendim që është përshëndetur nga organizatat e mediave, të cilat e konsideruan pozitive për përmirësimin e lirisë së shprehjes.
Qarkorja e miratuar të martën nga Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, urdhëron për të trajtuar me “prioritet institucional” sulmet ndaj medias teksa krijon një pikë kontakti pranë Prokurorisë, e cila do të merret specifikisht për raportimin dhe ndjekjen e tyre.
Në shkresën dërguar institucioneve të varësisë Çela e argumenton këtë qasje duke vlerësuar lirinë e medias thelbësore për funksionimin e demokracisë.
“Siguria e gazetarëve dhe e mediave ndaj çdo forme veprimi të paligjshëm që përbën vepër penale, është garanci për ushtrimin e të drejtës kushtetuese dhe konventore të lirisë së shprehjes,” – u tha në një komunikimin për shtyp shpërndarë nga Prokuroria.
Angazhimi i Prokurorisë vjen pas rekomandimeve të vazhdueshme të organizatave që merren me mbrojtjen e gazetarëve, të cilat kanë shprehur shqetësime për vonesat apo mungesën e vullnetit për t’i trajtuar me përparësi hetimet e sulmeve ndaj gazetarëve.
Në disa raste sulmet ndaj gazetarëve apo mediave kanë mbetur pa hetuar.
Blerjana Bino, drejtuese e Qendrës Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV) përshëndeti nismën teksa vlerësoi se vetëm hetimet e plota dhe transparente mund të ndikojnë edhe te rrëzimi i kulturës së pandëshkueshmërisë.
“Shpresojmë që kjo qarkore do të shërbejë edhe që gazetarët të nxiten dhe të raportojnë rastet e sulmeve,” – tha Bino për Citizens.
“Numri i presioneve ose intimidimeve që hasin gazetarët, por që nuk i raportojnë as në shoqata, as në publik as në autoritete është i lartë sepse është kjo ndjesia e normalizimit. Që ‘u mësuan” me këtë gjë. Kjo nuk duhet normalizuar” – shpjegoi Bino.
Krahas Prokurorisë së Përgjithshme për një mekanizëm dhe qasje të tillë në raport me rastet e sulmeve ndaj gazetarëve po punon edhe Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit. Protokollet e tyre pritet të konsultohen dhe publikohen brenda vitit.
Megjithatë Bino thekson se këto qarkore duhen të institucionalizohen dhe vihen në zbatim pavarësisht se kush do të jetë titullari në të ardhmen.
“Mos te jetë vetëm tani që kemi këtë Prokuror të Përgjithshëm e pastaj kur të vijë Prokurori tjetër të ndryshojë qasja. Pra është e rëndësishme që kjo të institucionalizohet” – vijoi Bino.
Në vijim të kësaj qasjeje, drejtuesja e SCiDEV e konsideron të nevojshme që periodikisht të diskutohet efektiviteti i qarkores, a ka funksionuar dhe si mund të përmirësohet më tej në të ardhmen.
Citizens ka zhvilluar një seri podkastesh me temë Sigurinë e Gazetarëve, ku gazetarët ndian shqetësimet e tyre për rastet e sulemve dhe trajtimin nga ana e drejtësisë. Po ashtu dhe problemet që kanë në redaksi për shkak të problemeve me pronësinë që ka media në Shqipëri.
Podkastin “Të Padëgjuarit” mund ta gjeni këtu:
Ose në kanalin tonë në Youtube.
Lexoni gjithashtu:
Shqipërisë i duhen reforma: Paditë SLAPP “shuplakë” ndaj demokracisë
Gazetarët shqiptarë “raportuan nga larg” vizitën e Erdoganit në Presidencë
Linçohet online drejtuesja e SCiDEV, shkak raporti për lirinë e medias
Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.