Citizens.al

Tajlanda i kthen mbetjet Shqipërisë, BAN apel për hetime transparente

Citizens/Foto ilustruese e anijes Moliva që ktheu në Shqipëri mbetjet nga Tajlanda.

Autoritetet shqiptare urdhëruan sot vënien nën sekuestro të ngarkesës me mbetje të dyshuara si të rrezikshme që u kthyen me shqetësim nga Tajlanda rreth tre muaj pas sinjalizimeve ndërkombëtare.

Me t’u ankoruar në portin e Durrësit, 102 kontejnerët që u sollën me anijen “Moliva” ditën e hënë, pritet të vihen nën sekuestro nga Prokuroria e Durrësit. Aktualisht anija është në radë në pritje të vendimit të autoritetit portual.

Prokuroret Suela Beluli dhe Mediana Meta urdhëruan që ngarkesave t’u ndalohet hapja normale dhe të vihen në një vend të sigurt duke u mbajtur nën monitorim me kamera.

Autoriteti portual, doganor si dhe policia janë udhëzuar të mbajnë procesverbale të detajuara mbi karakteristikat e kontejnerëve, kodet e sigurisë dhe gjendjen e plumbçeve të tyre pa i hapur ngarkesat.

Nuk është e qartë se si do të veprohet me analizimin e mostrave, por pritet që secili kontejner të analizohet më vete për përmbajtjen.

Kontejnerët dyshohet të mbajnë rreth 2,100 tonë mbetje industriale, të cilat autoritetet tajlandeze i refuzuan gjatë muajit korrik nën dyshimin se përmbajnë nivele të larta plumbi, arseniku apo kadmiumi.

I pranishëm jashtë portit të Durrësit, Jim Puckett, Drejtor Ekzekutiv i “Basel Action Network”, (BAN) organizatë e cila ndërkombëtarizoi çështjen, tha se “me 95% siguri” mbetjet janë nga pluhuri i furrave elektrike të metalurgjikut të Elbasanit.

Puckett theksoi se transporti i mbetjeve është bërë në mënyrë të paligjshme në shkelje të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Ai shpjegoi se mbetjet industriale të metalurgjikut janë të vështira për t’u trajtuar. Si fillim kërkohet riciklim të zinkut, më pas zhvendosje e mbetjeve që ngelin (si plumbi, arseniku apo kadmiumi) në vendgrumbullime të specializuara për trajtimin e tyre pasi janë mbetje helmuese.

“Qeveria, porti dhe industria në Shqipëri kanë nevojë për edukim të mirë në trajtimin e këtyre çështjeve,” – theksoi Puckett teksa e konsideroi të rëndë përpjekjen për t’i depozituar këto lëndë helmuese në Tajlandë pa i vënë në dijeni autoritetet atje.

Drejtori i BAN kërkoi nga prokuroria shqiptare të mos zvarrisë hetimet, të bëjë analiza të detajuara në mënyrë që në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare brenda këtij viti çështja të marrë drejtim.

BAN u ka propozuar autoriteteve shqiptare që të marrë pjesë në hetime duke iu dhënë mundësia për të marrë mostra nga kontejnerët.

“Shpresojmë që [autoritetet shqiptare] të bien dakord,” – theksoi Puckett duke këmbëngulur se hetimet duhet të jenë transparente për qytetarët.

Një përmbledhje se çfarë ka ndodhur

BAN, një organizatë mjedisore me bazë në SHBA, e cila lufton tregtinë e jashtëligjshme të mbetjeve të rrezikshme, ngriti alarmin korrikun e këtij viti pasi mori informacione nga burime konfidenciale se mbetje të dyshuara helmuese po transportoheshin nga Shqipëria drejt Tajlandës.

Burimi i shoqëroi pretendimet me mostra të analizuara nga një ngarkesë e ngjashme bllokuar në Kinë gjatë pranverës, të cilat tregonin prezencë plumbi mbi 8%.

Pra rasti i Tajlandës nuk ishte i vetëm, por rasti i dytë që po ndodhte.

Pas konfirmimit të dyshimeve BAN vendosi të sinjalizojë të gjitha palët e përfshira për rrezikshmërinë e ngarkesave.

Më tej çështja u bë publike në Bloomberg nga ku rezultoi se bëhej fjalë për tre ngarkesa, një të nisur dhe bllokuar më parë në Kinë dhe dy të tjera të ndara me destinacion Tajlandën.

Ngarkesat e bllokuara:

  • 115 kontejnerë me “koncentrat zinku” bllokuar më 2 prill në Guangzhou (Kinë).
  • 102 kontejnerë me “pluhur furre skrapi e çeliku” bllokuar më 20-22 gusht në Laem Chabang (Tajlandë).

Kompanitë e përfshira:

  • Apfelbaum (Kosovë) eksportoi tranzit nga Durrësi mbetje të minierës së Trepçës për llogari të Achro AG (Zvicër) drejt Guangxi Logistics Industry (Kinë).
  • Sokolaj (Shqipëri) eksportoi nga Durrësi mbetje të dyshuara se iu blenë KURUM-it (Shqipëri) për llogari të GS Minerals DOO (Kroaci) drejt një kompanie të panjohur në Tajlandë.
  • A.P Moller-Maersk ishte kontraktori që transportoi me linjat ndërkombëtare kontejnerët.

Reagimi i vonuar i autoriteteve dhe qeverisë shqiptare

Autoritetet dhe qeveria shqiptare mbajtën qëndrime kontradiktore për çështjen teksa nisën të hetonin rastet e mbetjeve të bllokuara në Kinë dhe Tajlandë të paktën një javë pasi ishin raportuar në mediat ndërkombëtare.

Ato pak media shqiptare, të cilat raportuan, e patën të pamundur të merrnin komente zyrtare për çështjen.

Zëri i parë zyrtar për mbetjet e bllokuara në Tajlandë ishte ai i Erjon Ukës, një këshilltar i Ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

Uka u citua nga Bloomberg më 19 gusht se “Ministria nuk kishte dhënë asnjë autorizim për eksporte të tilla” dhe se “rasti po hetohej”.

Ky qëndrim erdhi rreth një javë pasi prestigjiozja njujorkeze kishte raportuar për përpjekjet e autoriteteve tajlandeze për të bllokuar ngarkesat me mbetje që ishin nisur nga Shqipëria.

Më 21 gusht Drejtoria e Përgjithshme e Doganave nxitoi të shprehej se rasti i cituar në media nuk ishte eksport nga Shqipëria, por “tranzit ndërkombëtar”.

Por në reagim, Dogana foli për ngarkesën e bllokuar në Kinë katër muaj më parë duke ngatërruar opinionin publik që sapo ishte vënë në dijeni për rastin me Tajlandën.

Dogana gjithashtu theksoi se “nuk ka asnjë kompani shqiptare të përfshirë” dhe se “rasti po hetohej nga Zyra Evropiane e Luftës Kundër Mashtrimeve (OLAF)”.

Kjo deklaratë e Doganës bie në kontradiktë me atë çka i kishte referuar vetë Prokurorisë së Durrësit.

Kjo e fundit pak ditë më vonë tregoi se kishte qenë vetë Dogana që më 16 gusht i kishte nisur materiale për këtë çështje nën dyshimin për “kontrabandë me mallra të ndaluara”.

Në të njëjtin njoftim prokuroria tha se po bashkëpunonte me OLAF dhe se kishte marrë referime edhe nga Policia e Durrësit. Ajo shtoi se nga këto referime hetimet po kryheshin edhe për “shpërdorim detyre” dhe “transport mbetjesh”.

Autoritetet dyshojnë se ngarkesa me mbetje të furrës metalurgjike është e KURUM-it në Elbasan. Por më 21 gusht ajo këmbënguli se “nuk ka eksportuar kurrë mbetje”.

Rreth një javë më vonë Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku u shpreh se “KURUM do të jetë i detyruar të japë shpjegimet e duhura”.

Në këtë rast Balluku u bëri thirrje mediave “të tregohen të kujdesshme” për atë që ajo e quajti “çështje të ndërlikuar juridike dhe proceduriale”.

“Duhet të presim vendimet sa i përket kësaj çështjeje të rëndësishme mjedisore,” – u shpreh Balluku duke u munduar të heqë nga përgjegjësia Portin e Durrësit.

“Nuk ka lidhje me këtë proces, se [kontrollet] janë procesuar nga koncesionarët evropianë që operojnë në port,” – vijoi zëvendëskryeministrja.

Javën e dytë të shtatorit Kryeministri Rama ishte më kategorik. Përballë një interpelance kërkuar nga opozita, Rama këmbënguli se “këto janë akuza dhe fantazi për të helmuar popullin shqiptar”.

“Të gjitha janë vetëm dyshime! S’ka prova dhe as certifikime, por organet tona po hetojnë. Në të dyja rastet [Kinë dhe Tajlandë] mallrat janë transportuar me të gjitha dokumentacionet përkatëse përmes linjave ndërkombëtare me reputacion të padiskutueshëm,” – këmbënguli Kryeministri.

Prokuroria nuk ka nxjerrë ende të dyshuar, apo zyrtarë përgjegjës për këto raste.

*Saktësuar çështja e vendosjes në radë të anijes “Moliva”.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW