“City Hotel” është një prej shumëkatëshve që po zhvillohen mbi vilat e zonës së ish-Bllokut.
Projekti, i konceptuar nga Marco Casamonti dhe Kleant Bibolli, parashikon 12 kate “godinë polifunksionale” në rrugën “Brigada e VIII” ngjitur me ndërtesën tjetër të ideuar nga studioja e Casamontit, Archea: Brigada VIII.
Struktura ka zënë vendin ku deri në vitin 2020 gjendej një vilë njëkatëshe me lulishte, e njohur prej lokalit të natës me emrin “Dada” që ushtronte aktivitetin aty.
Shumëkatëshi po zhvillohet nga sipërmarrësit Agim Zeqo dhe vëllezërit Kujtim e Ilir Shtufi me “Nova Group” (Nova Construction 2012).
Zeqo, grosist i njohur i pijeve, duhanit dhe produkteve ushqimore, ka zgjeruar prej kohësh investimet në sektorë si turizmi, energjia e përtëritshme, apo ndërtimi.
Vëllezërit Shtufi, me aktivitet kryesisht ndërtimin dhe energjetikën, janë ortakë me Zeqon edhe në projektin “Green House Korça Resort” – që si investim strategjik përfitoi 10,000 metra katrorë truall publik.
“Nova Group” gëzon portofolin më të madh të kullave në kryeqytet me projekte si:
- Mount Tirana – rreth 60 kate kullë nga CEBRA në qendër të Tiranës, duke u ndërtuar.
- Bond Tower – rreth 50 kate kullë nga OODA në rrugën “Dritan Hoxha”, në pritje të lejes.
- Hora Vertikale – dy kulla 30-40 kate nga OODA te ish-kompleksi “Dajti” rruga “Muhamet Gjollesha”, miratuar leja.
- Tirana Garden Building – ndërtesë masive me dy kulla 16-24 kate nga Archea te ish-Muzeu i Shkencave të Natyrës, “Rruga e Kavajës”, mbaruar së ndërtuari.
Tre vite pas lejes së parë, projekti i “City Hotel” u ndryshua duke përfituar një kat shtesë parashikuar në vendimin e qeverisë në korrik të vitit 2022 si “12 kate + ATIK” – nga “attic” dhomë/apartament mbi katin e fundit “penthouse”.
Historiku i zonës ku po ndërtohet
Zona – e njohur sot si ish-blloku, – u zhvillua kryesisht në periudhën 1925-1943 nën ndikimin e arkitekturës italiane.
Mbi 30 vila dhe blloqe rezidenciale dy-trekatëshe u ndërtuan gjatë kësaj kohe sipas konceptit urbanistik të parcelizimit me oborre dhe lulishte duke i dhënë qytetit një zonë të re me stil modern.
Fillimisht atje u vendosën familje oficerësh italianë, më tej nëpunës, zyrtarë dhe sipërmarrës të kohës së monarkisë.
Gjatë diktaturës vilat u konfiskuan dhe zona u konceptua si bllok ku u vendos udhëheqja politike.
Asaj iu shtuan disa pallate 5-katëshe, ndërsa pas viteve 90-të – dhe veçanërisht dhjetëvjeçarin e fundit – zhvillimi i paplanifikuar mirë tjetërsoi vilat dhe hapësirat e gjelbra në komplekse pallatesh shumëkatëshe.
*Ndryshuar pas saktësimit, nga “Studio Nova Group” në “Nova Group”.

Erblin Vukaj ka përfunduar studimet për “Shkenca Komunikimi” e më tej është mjeshtëruar (MSc) për “Gazetari Evropiane dhe Ndërkombëtare” në Universitetin e Tiranës. Prej vitit 2012 Vukaj punon si gazetar profesionist duke fituar përvojë në media online, shtyp të shkruar, radio dhe televizion. Ai ka mbuluar çështjet të ndryshme si aktualiteti, shëndetësia, mjedisi dhe sporti. Paralelisht, ka drejtuar dhe është përfshirë në disa projekte hulumtimi mbi të shkuarën komuniste në Shqipëri.