Citizens.al

Pensionistët për të dytën herë para Kryeministrisë për pensione dinjitoze

Citizens.al/Banderola gjatë protestës së pensionistëve për pensionet para Kryeministrisë.

Ashtu siç u paralajmërua nga “Lëvizja Bashkë” rreth orës 10 të së mërkurës, qindra pensionistë, ish-minatorë dhe invalidë protestuan sërish përpara Kryeministrisë për pensione dinjitoze. Kjo ishte protesta e dytë kundër asaj që grupimi e quan “tallje të qeverisë”.

Sërish protestës iu bashkuan kërkesat për miratimin e statusit të minatorit, apo dhe miratimin e minimumit jetik, të cilat sipas “Lëvizjes Bashkë” do ta bënin të detyrueshëm rivlerësimin e pensioneve për shumë prej pensionistëve aktual.

Shqipëria numëron afërisht 791 mijë pensionistë prej të cilëve rreth 92% e tyre përfitojnë pensione nga skema e detyrueshme e sigurimit shoqëror, invaliditetit apo pensionet familjare. Vetëm 8% përfitojnë pensione nga programet e veçanta të trajtimit në kategoritë e ish-ushtarakëve, punonjësit e minierave, naftëtarëve etj.

Qeveria indeksoi sipas normës së inflacionit me 4.1% pensionet duke u shtuar 752 lekë pensioneve në zonat urbane dhe 453 lekë atyre të zonave rurale. Për kategoritë e veçanta si ish-ushtarakët, minatorët, naftëtarët shtesa e parashikuar ishte rreth 800-1,200 lekë.

Përballë këtij reagimi nga pensionistët, qeveria u mundua të shpjegohet, por në të paktën dy takime të zhvilluara ajo mbajti narrativë justifikuese, sipas së cilës pensionet nuk mund të rriten pasi skema e pensioneve nuk ka kontributorë të rregullt.

Në takimin e tretë të zhvilluar në Durrës pikërisht të mërkurën teksa pensionistët protestonin para Kryeministrisë, Rama këmbënguli se nevojitet të flitet drejtpërdrejtë me pensionistët duke u bazuar te faktet.

“Rritja e pensioneve nuk është si rritja e pagave, pagat rriten në bazë të taksave, pensionet në bazë të kontributeve,” – përsëriti Rama në Durrës duke u justifikuar se përse qeverisë së tij iu desh 10 vite për të shqyrtuar këtë kategori.

Rama theksoi se “pensionistët vidhen nga ata që nuk deklarojnë pagat” duke kthyer dhe njëherë vëmendjen te “lufta e informalitetit” një zotim i qeverisë që pritet të detyrojë sipërmarrjet për të rritur deklarimet.

Qeveria ka premtuar rritje të bonusit të fundvitit dhe rishikim të skemës së pensioneve në një plan afatgjatë “brenda mandatit të ardhshëm”. Sidoqoftë për këto dy pika ajo nuk ka treguar një parashikim të qartë se sa do të jetë bonusi i rritur dhe po kështu se çfarë parashikon “rishikimi në plan afatgjatë”.

Më herët, Citizens.al ka publikuar një anketë mbi vështirësitë jetike të pensionistëve.

87,5% e pensionistëve që iu përgjigjën anketës u shprehën se në fund të muajit mbeten pa para, ndërsa 72,1% e tyre u shprehën se, për shkak të pensioneve të ulëta, i mbajnë fëmijët. Ndërkohë, 14% e tyre raportojnë se marrin borxh nga të afërmit ose blejnë veresie produktet që duan të konsumojnë.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW