Qeveria tkurri sipërfaqen e të paktën pesë parqeve kombëtare pa u mbështetur në vlerësime shkencore. Kjo shpërfillje pritet të shtyjë Gjykatën Administrative të Apelit t’i rrëzojë vendimet e saj.
Lajmi u bë me dije të martën nga organizata jofitimprurëse “Res Publica”, e cila si qendër që advokon për interesin publik, është palë me 10 shoqata të tjera mjedisore, të cilat kanë kërkuar rishikimin nga qeveria të kufijve të parqeve kombëtare të Divjakës, Butrintit, Shebenikut, Dajtit dhe Lurës.
Sipërfaqet e këtyre parqeve u ndryshuan pas dy vendimeve që qeveria mori në vitin 2022 duke hequr disa pjesë të tyre nga kategoria e zonës së mbrojtur.
Në seancën e fundit, të datës 28 tetor, ekspertë biologë të thirrur nga Gjykata dhanë opinion të ngjashëm shkencor me ekspertët e paraqitur më herët edhe nga organizatat paditëse.
“Të gjithë sipërfaqet e hequra kanë vlera të larta të biodiversitetit, janë habitate të rëndësishme të specieve të rrezikuara dhe heqja e tyre cenon jo vetëm këto sipërfaqe por edhe integritetin e vetë parqeve,” – citoi ekspertët Res Publica në një njoftim për shtyp.
Pas këtij zhvillimi, Res Publica thotë se tashmë është konsoliduar një qëndrim shkencor që nuk është konsideruar më parë nga qeveria në momentin e hartimit të vendimeve Nr.59 dhe 60 që ndryshoi sipërfaqen e parqeve të kategorive II dhe IV.
“Theksojmë që ligji për zonat e mbrojtura ka caktuar kritere shkencore për shpalljen e zonave të mbrojtura; kritere të cilët nuk varen as nga interesat politike e as nga ato të zhvillimit ekonomik,” – thuhet më tej nga Res Publica.
Vendimet që kundërshtohen:
- VKM Nr.59 datë 26.01.2022 “Për miratimin e ndryshimit të statusit dhe sipërfaqes së Ekosistemeve Natyrore të Parkut Kombëtar (Kategoria II) të Zonave të Mbrojtura Mjedisore”
- VKM Nr. 60 datë 26.01.2022 “Për shpalljen e Ekosistemeve Natyrore, Rezervave Natyrore të Parkut të Menaxhuar/Natyral (Kategoria IV) si dhe miratimin e ndryshimit të statusit të sipërfaqeve ekzistuese të Zonave të Mbrojtura që i përkasin kësaj kategorie”.
Organizatat e shoqërisë civile që janë palë paditëse:
- AOS – Albanian Ornithological Society
- Eco Albania
- PPNEA – Protection and Preservation of Natural Environment in Albania
- EDEN – Environmental center for Development Education and Networking
- Milieukontakt Albania
- REC – The Resource Environmental Center Albania
- IMPETUS
- Albanian Centre for Environmental Governance (ACEG)
- Kujri
- Res Publica
- Qendra për Fuqizimin Ligjor
Çështja kundër dy vendimeve të qeverisë po gjykohet prej shkurtit të vtitit 2023 në Gjykatën Administrative të Apelit nga gjyqtari Ardian Dvorani.
Deri më tani janë zhvilluar 26 seanca, ku vetëm tetë prej tyre kanë qenë seanca gjyqësore, pjesa tjetër seanca përgatitore kryesisht me përgatitjen dhe shqyrtimin e opinioneve të ekspertëve.
Lexo gjithashtu:
Erblin Vukaj ka përfunduar studimet për “Shkenca Komunikimi” e më tej ka ndjekur përthellime të nivelit Master në “Gazetari Evropiane dhe Ndërkombëtare” në Universitetin e Tiranës. Prej viti 2012 Vukaj punon si gazetar profesionist duke pasur përvojë në media online, shtyp të shkruar, radio dhe televizion. Ai ka mbuluar çështjet të ndryshme si aktualiteti, shëndetësia, mjedisi dhe sporti. Paralelisht, ai ka drejtuar dhe është përfshirë në disa projekte hulumtimi mbi të shkuarën komuniste në Shqipëri.