Shqipëria nuk përmbushi plotësisht rekomandimet e lëna nga Komisioni Evropian për të garantuar më shumë të drejtat e njeriut. Kjo u theksua në raportin vjetor të progresit, publikuar të mërkurën.
Raporti, i cili mat përparimet e një vendi kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nxjerr në pah sfidat dhe mangësitë kryesore që kërkojnë vëmendje nga qeveria dhe ligjvënësit.
Për Shqipërinë në aspektin e çështjeve të të drejtave të njeriut raporti ka vlerësuar negativisht zhvillimet për të drejtat e fëmijëve, dhunës ndaj grave, personave me aftësi të kufizuara, lirinë e shprehjes etj.
Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve dhe të dhënave personale
KE kërkon që Shqipëria të harmonizojë legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale me atë të BE-së dhe paralelisht të implementojë Agjendën Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve.
Raporti nënvizon nevojën për buxhete të mjaftueshme për forcimin e kapaciteteve të Agjencisë për të Drejtat e Fëmijëve në mënyrë që kjo Agjenci të mbështesë fëmijët në situata të vështira, përfshirë ata që jetojnë në varfëri, me aftësi të kufizuara dhe ata që i përkasin pakicave.
Dhuna ndaj grave
Sipas KE, dhuna ndaj grave mbetet problem urgjent në Shqipëri. Shqetësues raportohet numri i lartë i femicideve dhe zbatimi i dobët i urdhrave të mbrojtjes nga policia duke prodhuar pandëshkueshmëri.
“Zbatimi nga policia i urdhrave të mbrojtjes mbetet joefikas, duke rezultuar në pandëshkueshmëri të dhunës. Përgjegjshmëria e dobët e policisë në trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave është një shqetësim”,-thuhet më tej.
Ngjashëm me shqetësim konsiderohet mungesa e financimit nga shteti të shërbimeve mbështetëse për viktimat e dhunës, të cilat aktualisht mbështeten vetëm nga donatorë.
Raporti kërkon përmirësime në shërbimet shëndetësore, financimin e qendrave të strehimit dhe ndihmës ligjore për të ndihmuar viktimat e dhunës.
Të drejtat e personave me aftësi të kufizuara
KE vlerëson me shqetësim gjendjen diskriminuese ndaj personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri, ku ende ata kanë vështirësi për t’u punësuar, arsimuar dhe gëzuar një jetë të denjë publike.
“Cilësia e arsimit për fëmijët me aftësi të kufizuara, veçanërisht fëmijët me dëmtim të dëgjimit, vazhdon të shkaktojë shqetësim. Nuk ka pasur përparim në de-institucionalizim, që duhet të trajtohet me urgjencë”,-nënvizon raporti.
Për këtë Shqipëria thuhet se ka nevojë për veprime të mëtejshme sidomos në lidhje me arsimimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara ku ata që vuajnë nga mungesa e dëgjimit paraqiten në situatë më problematike.
Komunitetet rome dhe egjiptiane
KE thekson në raportin e vitit 2024 se romët dhe egjiptianët vazhdojnë të përballen me vështirësi në arsimim, punësim dhe përfshirje në administratën publike.
“Shkalla e përgjithshme e punësimit të romëve dhe egjiptianëve mbetet shumë e ulët. Zbatimi i dobët i planit kombëtar të veprimit për barazinë, përfshirjen dhe pjesëmarrjen e romëve dhe egjiptianëve në Shqipëri (2021-2025) dhe angazhimet e Poznan-it ka qenë i dobët”,-thekson raporti.
Për këtë rekomandohet zbatim më i mirë i planit kombëtar për përfshirjen e këtyre komuniteteve si dhe më shumë përpjekje për të adresuar diskriminimin dhe segregimin në shkolla.
Të drejtat e personave LGBTIQ
KE njeh disa përmirësime të përgjithshme por thekson se Shqipëria nuk ka ende ligje që njohin bashkëjetesën apo martesat mes së njëjtës gjini.
“Miratimi i protokollit mjekësor për personat transgjinorë dhe ata me identitete të ndryshme gjinore është një hap pozitiv në lehtësimin e të drejtës për shërbim shëndetësor për këta persona, por zbatimi nuk është miratuar ende dhe ndryshimet ligjore përkatëse duhet të sigurohen, përfshirë rishikimin e rregullave ligjore mbi ndryshimet në dokumentet e identitetit”,-thuhet në raport.
Përveç kësaj, personat LGBTIQ përballen me sfida në aksesin në shërbime shëndetësore dhe arsimore, ndërsa mbrojtja nga diskriminimi mbetet kritike.
Liria e shprehjes dhe mbrojtja e gazetarëve
Progres-raporti shpreh shqetësime të thella mbi lirinë e medias në Shqipëri.
Përqendrimi i lartë i mediave në një grup, ndikimi i interesave ekonomike dhe politike mbi pavarësinë e mediave dhe kushtet e paqëndrueshme të punës së gazetarëve konsiderohen si problematike.
“Pavarësia dhe pluralizmi i medias vazhdojnë të ndikohen nga përqendrimi i lartë i tregut, mbivendosja e interesave biznesore dhe politike, mungesa e transparencës së burimeve të financimit, përqendrimi i lartë i pronësisë së medias, intimidimi dhe kushtet e pasigurta të punës për gazetarët”,-thekson raporti.
Po kështu numri i lartë i padive “SLAPP” dhe incidentet e shtuara të sulmeve ndaj gazetarëve gjatë vitit 2023 konsiderohen sinjal alarmi për kushtet e vështira në të cilat operojnë mediat.
Raporti kërkon përmirësimin e ligjit për të drejtën e informimit duke shtuar afate detyruese për përgjigjet ndaj gazetarëve sipas praktikave më të mira evropiane.
Edukimi
Sa i takon edukimit, raporti shprehet se cilësia e arsimit mbetet e ulët, duke përmendur këtu edhe rezultatet e testit të PISA-s, ku vendi ynë u rendit ndër të fundit.
Për këtë KE-ja rekomandon organizimin e sistemit arsimor në përputhje me nevoat e tregut të punës si dhe zhvillimin profesional të mësuesve.
Sipas raportit po vijojnë përpjekjet për forcimin e arsimit profesional, por numri i personave që e frekuentojnë mbetet i ulët.
“Nevojitet më shumë përparim në angazhimin e sektorit privat në arsimin profesional për të përshtatur kurikulat në mënyrë që të përmbushin më mirë nevojat e tregut të punës”, -thekson më tej raporti.
Mjedisi
Nevoja për të përmirësuar aspektin ligjor shihet edhe në fushën e mjedisit. Sipas raportit korniza ligjore për menaxhimin e mbetjeve është pjesërisht e përshtatur me ate të BE-së.
Sakaq, përmendet edhe rasti i inceneratorëve.
“Rastet e korrupsionit, të identifikuara nga Strukturat e Specializuara Anti-Korrupsion (SPAK) në lidhje me projektin e inceneratorit të Tiranës, janë nën hetim, me disa drejtorë municipalë të arrestuar”.
Raporti thekson se ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura u bënë pa konsultim me palët e interesit, ndërsa rekomandoi forcim të inspektimeve për të adresuar krimet mjedisore.
Po ashtu, raporti thekson se sa i takon monitorimit të ajrit edhe pse ka shtat stacione në mbarë vendin asnjë prej tyre nuk është funksionale, ndaj duhet punuar më tepër në këtë drejtim.
Përshtatje me legjislacionin e BE-së duhet të kryhet edhe për menaxhimin e mbetjeve, ndotjes së ajrit, të ujit

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).