Citizens.al

Shqipëria dhe Bosnja mbyllën institucionet e kulturës për një të ardhme më të mirë?

Citizens.al/Paraqitje grafike e Muzeut Kombëtar dhe Bibliotekës.

Qeveria shqiptare thekson vazhdimisht rëndësinë e turizmit kulturor, por si turiste, nuk munda të vizitoja thuajse asgjë. Aktualisht, të gjitha institucionet kulturore në Tiranë janë të mbyllura.

Kjo më kujtoi Bosnjë-Hercegovinën ku nëse dëshiron të vizitosh Bibliotekën Kombëtare nuk mundesh.

Gjithashtu prej gati tre vitesh nuk mund të vizitosh Muzeun Kombëtar, për arsye që duken plotësisht të kundërta me ato të Shqipërisë.

Shqipëria po i rikonstrukton, ose të paktën kështu thuhet, ndërsa Bosnje e Hercegovina është duke i mohuar.

Ndërsa juridiksionet e institucioneve politike mbi ato kulturore kombëtare janë më të qarta në Shqipëri, në Bosnjë e Hercegovinë ka ndasi mendimesh mes boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve se çfarë është në të vërtetë shteti.

Për rrjedhojë, jo të gjithë anëtarët e Këshillit të Ministrave konfirmojnë karakterin kombëtar boshnjak-hercegovinas në emrat e institucioneve dhe trashëgiminë që ato përfaqësojnë.

Në pamje të parë, duket se nuk ka lidhje, megjithatë, institucionet kulturore janë dhe kanë qenë të mbyllura, dhe këto vendime janë marrë nga politika.

Gjithçka e mbuluar nga misteri

Zjarri në vitin 2017 dhe përmbytja e vitit 2018 shkaktuan dëme serioze në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, pas të cilave, sipas asaj që tha institucioni, u mbyll përkohësisht, fillimisht për 7 ditë e më pas për 17 ditë të tjera.

Por qytetarët e Tiranës pretendojnë se Biblioteka është ende e mbyllur.

Biblioteka iu përgjigj pyetjes time zyrtare si gazetare, duke thënë se ajo është funksionale dhe materialet janë të disponueshme për këdo mbi moshën 15 vjeç. Ata ofruan gjithashtu oraret kur mund të huazoja materiale.

Kështu, vajta dhe e vizitova bibliotekën dhe në hyrje më thanë se mund të përdorja vetëm dhomën e leximit, por jo koleksionet e bibliotekës. Kjo jo vetëm sepse jam turiste.

“Shikoni këto kuti,” tha një zonjë në hyrje, duke treguar një dhomë plot me kuti bananesh, “Ne kemi probleme me hapësirën”. Kur e pyeta se sa do të zgjaste kjo, ajo u përgjigj, “Deri sa qeveria të vendosë ndryshe.”

Fakti është se hapësira e ndërtesës nuk është e përshtatshme për të gjitha materialet që ka biblioteka.

Kjo është konfirmuar dhe nga raportet e UNOPS të bëra për projektin EU4Culture, ku theksohet se pas riparimeve të përkohshme, janë dhënë sugjerime për zhvendosjen e materialeve në hapësira të reja dhe që hapësira e arkivit është e pamjaftueshme për të gjitha materialet e bibliotekës, duke rekomanduar se duhet ndërtuar një ndërtesë e re.

“Brenda, vërehet mungesë kushtesh minimale jo vetëm për stafin, por edhe për ruajtjen e librave dhe dokumenteve historike. Struktura e ndërtesës duket e konsumuar nga lagështia, koha dhe mungesa e mirëmbajtjes, sidomos në dhomat e katit të dytë. Çarje në drejtime të ndryshme përshkojnë muret e këtyre hapësirave,” – thuhet në raportin e UNOPS për gjendjen e bibliotekës.

Nga ana tjetër, biblioteka pretendon se ka zhvilluar dhe dorëzuar një projekt për “Rehabilitimin e Hapësirave Magazinuese për Materialet e Bibliotekës” tek UNOPS, i cili e ka miratuar përkohësisht, por ende nuk ka një marrëveshje të nënshkruar.

Ndërkohë, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe, ka bërë me dije se qeveria po punon për ndërtimin e një ndërtese të re të bibliotekës.

Kjo u tha – në shtator – në të njëjtën ditë kur u prezantuan projektet e Korporatës Shqiptare të Investimeve, së cilës qeveria po i bën të disponueshme prona publike për të ndërtuar objekte për administratën dhe, siç tha Kryeministri Edi Rama, “institucionet publike që ende rrinë në mjedise me qira (…) si për shembull Biblioteka Kombëtare, etj.”

Deri atëherë, Policia e Shtetit mburret për mënyrën se si mbron institucionet më të vizituara kulturore.

Pak e mistershme, por plot premtuese

Ndryshe, ndërtesa e Bibliotekës Universitare Kombëtare të Bosnjë e Hercegovinës ekziston dhe është funksionale, por dyert e saj janë të mbyllura, për herë të dytë në dy muaj.

Për herë të parë ndodhi në gusht, pasi punonjësit punuan për gjashtë muaj pa pagesë. Problemi është i një natyre komplekse administrative.

Ish-shteti Jugosllavi ishte themeluesi i të gjitha institucioneve me rëndësi kulturore në Bosnjë e Hercegovinë, por pas luftës (1992-1995) askush nuk mori përgjegjësinë për financimin e tyre.

Biblioteka duhet të mbështetet nga shteti, por nuk ka një Ministri të Kulturës në nivel shtetëror, pasi përfaqësuesit e serbëve, boshnjakëve dhe kroatëve në Bosnjë e Hercegovinë nuk bien dakord se e kujt është kultura (si përkatësi).

Për këtë arsye nivelet më të ulëta të qeverisjes – kantonet –  siguruan ndihmë të përkohshme për bibliotekën, dhe Qeveria Federale e Bosnjë-Hercegovinës premtoi financim deri në fund të vitit 2025.

Ata premtuan gjithashtu vendosjen e një drejtuesi të ri, pasi ky institucion, pas daljes në pension të drejtorit të mëparshëm, nuk ka drejtues. Megjithatë, këto mbeten vetëm premtime, sepse Qeveria Federale nuk mund të bëjë asgjë pa miratimin e Shtetit. Dhe Shteti, përsëris, nuk mund të arrijë marrëveshje.

Për arsye të ngjashme, Muzeu Kombëtar i Bosnjë-Hercegovinës u mbyll për tre vite. Asokohe, punonjësit e muzeut nuk ishin paguar prej një viti.

Në atë periudhë gjithashtu, nivelet e ulëta të qeverisjes morën përsipër detyrimin për të punuar me shtetin në mënyrë që të gjendeshin fondet për të gjitha institucionet e rëndësishme kulturore.

Dyert e muzeut u hapën me një zgjidhje të përkohshme dhe një premtim që sigurisht nuk zgjati gjatë.

Dokumenti i vetëm që provon që Muzeu është në rikonstruksion

Më 15 mars 2024, për shkak të rikonstruktimit, Muzeu Kombëtar i Shqipërisë deklaroi se do të qëndronte mbyllur për katër vite. Në të njëjtën ditë njoftimi u fshi.

Atë kohë, dokumenti i vetëm publik ishte “Vendimi Nr.54” i 13 shkurtit nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, i cili miratonte në parim projektin e “Restaurimit, rikonstruksionit dhe muzealizimit të Muzeut Historik Kombëtar”, krijuar nga UNOPS si pjesë e programit “EU4Culture”.

Sipas dokumentit të UNOPS, nevojiten 16 muaj për konsultimin dhe shqyrtimin shkencor, dhe tre vite për implementimin e rikonstruktimit, me një buxhet prej €1,485,225.

Aktualisht “puna po vazhdim”, thuhet nga Muzeu, që “në përputhje me standardet e restaurimit” po vijon me “zhvendosjen e koleksionit muzeal”.

Qeveria përgjigjet për gjithçka

Media kishte raportuar se rindërtimi i Galerisë Kombëtare të Shqipërisë do të zgjaste tre vjet.

Tani, faqja e Ministrisë nuk përmend afat. Thjesht deklarohet se galeria është mbyllur përkohësisht.

Tre vjet kanë kaluar – nëse për të rindërtuar Muzeun Kombëtar duhen katër vjet, do të ishte e dobishme të shihnim dokumentacionin që tregon pse galerisë, e cila ka sipërfaqe dhe koleksion më të vogël, po i duhet më shumë kohë.

Sipas Galerisë, koleksioni është zhvendosur në Muzeun Kombëtar të Shqipërisë, që gjithashtu është në rindërtim.

Koleksioni i Galerisë nuk mund të shikohet online, pasi rindërtimi (në njëfarë mënyre) ka ndikuar edhe në web-in dhe faqja nuk funksionon, ndërkohë që i gjithë fondi i veprave artistike të shtetit shqiptar mbetet i paarritshëm.

Nuk mund ta gjeja atë ligjin e të drejtave të njeriut. Për rrjedhojë, as një dokument që përshkruan planin e rindërtimit për këtë institucion. Galeria thotë: “Nuk mund ta kalojmë tek ju, ju lutemi kontaktoni Ministrinë (e Kulturës).”

Teatri Kombëtar i Shqipërisë gjithashtu thotë se nuk di asgjë për datat, përfundimin e projektit dhe kohën e ndërtimit të godinës së re, sepse nuk janë të përfshirë institucionalisht në këtë proces.

Pas shembjes së godinës së vjetër gjatë pandemisë dhe pas ceremonisë së mbyllur për vendosjen e gurit të parë për ndërtesën e re, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj shpalli një afat ndërtimi për vitin 2024.

Ndërkohë, qeveria justifikon se kostot e ndërtimit janë rritur, tenderët kanë dështuar, firmat dhe investitorët janë ndryshuar.

Jemi në vitin 2024 dhe Teatri Kombëtar po i zhvillon shfaqjet në një skenë alternative. Deri kur?

Nëse institucionet kulturore nuk mund të flasin për veten e tyre, aq sa tani e pranojnë këtë, sepse vetëm shteti di gjithçka, pavarësia e artit dhe kulturës ka vdekur zyrtarisht.

Është një mistifikim të besohet se ka ekzistuar ndonjëherë, veçanërisht nëse (mendohet se) kultura është e lidhur me kombin, por pushteti është shpërndarë si kapilar, përmes dredhave të tij, pikërisht atje ku mund të gjendeshin pika rezistence.

Në Bosnjë-Hercegovinë, pushteti endet mes transferimit të përgjegjësive dhe varietetit në nivelet e ndryshme të autoriteteve mes strukturave qeverisëse dhe opozitare.

Në Shqipëri, bazuar në gjithçka që përmenda, pushteti duket se është i centralizuar.

Megjithatë, fakti që (të dy) shtetet po mbyllin dyert e institucioneve të kulturës kombëtare është një rast unik për qytetërimet.

Ndërsa Shqipëria e bën këtë për një të ardhme më të mirë, ose të paktën kështu thotë, Bosnjë-Hercegovina jeton sot për nesër.

“This article has been produced with the financial assistance of the European Union. The contents of this document are the sole responsibility of Citizens.al and can under no circumstances be regarded as reflecting the position of the European Union.”

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW